Bomba e Ruzhdies, prova e manipulimit
Në fillim ishte fshati Dushk që i dha emrin fenomenit të pandryshueshëm të trukimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Tani, me të gjitha gjasat, një gjë të tillë do ta bëjë Ruzhdia, një fshat i vogël në Qarkun e Fierit. Një hetim penal i prokurorisë ka nxjerrë prova befasuese për manipulimin e zgjedhjeve: votues që nuk kanë qenë fare në Shqipëri më 28 qershor 2009 dhe jo vetëm firma të falsifikuara. Revista MAPO dëshmon misterin e asaj që ka ndodhur tetë muaj më parë. KQZ konfirmon: kemi bashkëpunuar me prokurorinë. çfarë ka ndodhur në Ruzhdie që është kaq e rëndësishme edhe për Berishën, edhe për Ramën që ua kanë treguar dhe europianëve?
Në datën 28 qershor 2009, u duk si një lajm i zakonshëm për terrenin shqiptar të zgjedhjeve, tetë muaj më pas, në shkurt 2010 ka vlerën e një kali të hekurt beteje për opozitën. Një hetim i dyfishtë penal për “kanosje mes komisionerësh” dhe “braktisje detyre nga komisionerë”, ka nxjerrë paraprakisht në dritë fakte të jashtëzakonshme për atë çfarë ndryjnë brenda kutitë e mbyllura të votimit. Dhe nëse i besohet aksiomës së vjetër se “nuk duhet pirë gjithë uji i detit për të mësuar që ai është ujë i kripur”, atëherë për publikun shqiptar ka një arsye më shumë dhe shteruese për të besuar se kutitë e Lundrës, lundrojnë në një det të pafundmë pasaktësish. Të cilat, nëse zbardhen të gjitha, do të kishin pa dyshim efektin e një tërmeti politik për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen e politikës shqiptare. Dhe epiqendra e këtij tërmeti është Ruzhdia, një fshat i vogël në Qarkun e Fierit, që ashtu si fshati Dushk që vite më parë i dha emrin e tij metaforës së trukimit të zgjedhjeve, Ruzhdia do të jetë metafora e re për atë çfarë mbajnë kyçur kutitë e mbyllura të votimit.
Hetimi penal i Prokurorisë së Fierit për “qendrën e votimit në Ruzhdie”, në mënyrë indirekte provon të shndërrohet, kështu, në shpatën që do të këpusë nyjën e sherreve PD-PS. Individë që ndodheshin jashtë shtetit në datën 28 qershor 2009 dhe që megjithatë kanë votuar, firma të falsifikuara komisionerësh e “faulle” të tjera elektorale kanë dalë befas në dritë. Zyrtarisht KQZ pohon se ka pasur një letërkëmbim të disahershëm me Prokurorinë e Fierit dhe se ka vënë në dispozicion të hetimit të saj kutitë e materialeve zgjedhore. Burime të rezervuara konfirmojnë mbylljen e hetimit penal të Prokurorisë së Fierit dhe dërgimin e dosjes së gjykatë për gjykim. Por përpara se të ndodhte një gjë e tillë, tani Ruzhdia ishte përmendur nga dy protagonistët kryesorë të politikës, Berisha dhe Rama.
Edi Rama, kryetar i PS-së e përmendi emrin e “harruar” të fshatit fierak fillimisht në takimin me delegacionin europian që erdhi fundjavën e kaluar për të negociuar për zgjidhjen e krizës së rëndë politike në vend. “Hap Ruzhdien time dhe Ruzhdiet e tua dhe të bëjmë transparencë”! Batuta e hidhur e liderit socialist nuk la më shumë për të kuptuar në atë moment të parë. “Kutia brenda ka fakte skandaloze. Kur këto të dhëna ua paraqitëm anëtarëve të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ata u skandalizuan. Dokumentet e shkruara ua vumë në dispozicion mbrëmjen e dy ditëve më parë, (të shtunën e kaluar), ndërsa në takim u vumë përpara provat e faktet”, citohet nga Gazeta Shqiptare një deputet socialist, dëshmitar i këtij dialogu, të nesërmen e këtij takimi. Më herët ende, në datën 13 shkurt, emrin e Ruzhdies e kishte përmendur edhe Kryeministri Sali Berisha në tryezën e Presidentit Topi. Pas takimit, zyrtarisht, Berisha tha se “Gjykata e Apelit shpalli të pavlefshme, me kërkesë të PS-së, 512 votat e komunës Rushdie vetëm pse fletët e votimit nuk kishin dy vula, por vetëm një për arsye se njërën vulë e mori komisioneri i Partisë Socialiste që u largua nga Qendra e Votimit gjithë ditës. Dhe, në këtë mënyrë i dha mandatin Partisë Socialiste... Unë nuk kam akuzuar zotin Rama se më grabiti mandatin për Ruzhdien. Jo! Mandati ju mor Partisë Demokratike nga Gjykata e Apelit, dhe unë e kam pranuar këtë vendim”, tha Berisha për mediat.
Kaq ka mjaftuar që Ruzhdia të bëhej papritur një mister i vërtetë. Dhe në këtë mister, ka peshën dhe vlerën e saj edhe fakti i sekretimit të plotë i gjithë procesit të hetimit për atë çfarë ka ngjarë aty më 28 qershor 2009 dhe sidomos “sinkroni” i pazakontë i Berishës dhe Ramës dhe citimi i atypëratyshëm, njëri pas tjetrit, i emrit të të njëjtit fshat.
Revista MAPO ka konsultuar një numër të madh burimesh të pavarura nga njëra-tjetra dhe në fund të tyre, mundi të dallojë një dalje në këtë labirint. Edhe Presidenca konfirmon jozyrtarisht se në takime është përmendur shumë shpesh emri i fshatit, por përtej këtij konfirmimi, selia e zotit Topi qëndron krejt hermetike.
Si ka nisur historia?Pak përpara mesditës së datës 28 qershor 2009 – gjykuar nga ora kur ankesa zyrtare ka mbërritur në KQZ - në selinë e PS-së u dha njoftimi i parë se në fshatin Ruzhdie, të Qarkut të Fierit kishte pasur një incident. Pak çaste më pas, pothuaj në kohë reale me incidentin në vijim e sipër, stafi politik dhe teknik i PS-së, në selinë e saj qendrore, përgatiti një ankesë në KQZ. Dhe shumë shpejt edhe një të dytë, konfirmojnë burime nga KQZ-ja. Thelbi i dy ankesave ishte se për pak ishte shmangur një përplasje e armatosur: anëtarë të komisionit të qendrës së votimit, që mbronin ngjyrat e PD-së kishin kanosur me armë “kolegët” e tyre socialistë. Edhe rrotull qendrës së votimit ishin verifikuar gjithashtu, lëvizje personash të armatosur, siç thuhet në ankesat e depozituara në KQZ. Tre anëtarët socialistë të komisionit u larguan nga qendra e votimit duke e pezulluar procesin e hedhjes së votës. Një vendim i ndërmjetëm i KQZ në Tiranë lejoi vijimin e procesit, në fund të të cilit, rezultati i numëruar PD-PS për kutinë e Ruzhdies u fiksua në shifrat 420 me 12. Gjithsej në kuti ndodhen 512 vota, kurse pjesëmarrja në votim ishte pothuaj dyfishi i asaj në shkallë vendi: kishin “votuar” rreth 90 për qind e votuesve. Fillimisht, KZAZ, me shumicë të majtë, fletët e votimit me një vulë dhe ato që kishin shënime në pjesën e prapme të tyre i konsideroi të pavlefshme. Në këto rrethana, PD-ja bëri kërkesë në KQZ dhe kërkoi rinumërim dhe rivlerësim të votave të Ruzhdies. Kryetari i KQZ-së, Ristani, atëherë kërkoi aplikimin e nenit të famshëm 138, (neni për rinumërimin e votave, me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ-së). Mbas debatesh të ashpra, çështja u hodh në votim dhe me rezultat 4 me 3, KQZ-ja vendosi hapjen e kutisë së kësaj qendre votimi. Po me këtë rezultat u vlerësua vlefshmëria e votave të vulosura vetëm me një vulë. Mbas këtij numërimi, rezultati paraprak i shpallur u ngushtua me deri 150 vota diferencë në favor të PD-së, të pamjaftueshme për të mbajtur mandatin shtesë që kjo parti kërkonte në Fier. Më pas, edhe Kolegji Zgjedhor, la në fuqi të njëjtin verdikt – ndërkohë ishte e qartë që mandati i nëntë në Fier ishte për Partinë Socialiste dhe kështu, u konfirmua mandati i deputetit të sapobetuar, Piro Lutaj.
Marrë me shkurtime nga revista MAPO
#