E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bomba me celular në Fier, në kërkim investitori i Xhamisë

02/05/2005  Pëllum Reshlani nuk po e ndërtonte xhaminë me fondet e tij. Verifikim lidhjeve të viktimave në Tiranë

Prokuroria dhe policia e Fierit po hetojnë për investitorin e xhamisë, që po ndërtohet prapa shtëpisë së Pëllum Reshlanit, besimtarit mysliman nga Baltëza, i cili dyshohet të jetë edhe ideatori i prodhimit të bombës me celular, që i mori jetën atij dhe 20-vjeçarit Armando Duraj. Kjo pas dyshimeve se dy besmitarët që u shkrumbuan nga bomba, që po krijonin me duart e tyre, mund të kenë qenë ekstremistë islamikë. Ky fakt është konfirmuar edhe nga burime pranë SHISH-it, të cilat sqaruan se prej afro tre vjetësh po hetohet për një celulë të mundshme ekstremistësh islamikë në rrethin e Fierit, që dyshohet të ketë lidhje me qarqe terroriste. Tjetër pjesë e hetimit disa vjeçar të SHISH mësohet të jetë edhe mundësia e investimit të parave të terrorizimit në këtë rreth, që njihet si një ga më të zhvilluarit dhe me më shumë mundësi ekonimike në vend. Ndërkaq, mësohet se SHISH ka nën hetim edhe të tjerë elementë të dyshuar si ekstremistë islamikë. Por, hetimi është shtrirë paralelisht në Tiranë, për lidhje të mundshme të dy viktimave. Kjo, pasi edhe vetë famijarët e Reshlanit kanë pohuar se ky i fundit posa ishte kthyer nga Tirana ku kishte blerë celularë, të cilët do t’i shiste në Fier, kur ka thirrur edhe mikun e tij, Armando Duraj.

Hetimi

Sipas burimeve të policisë fierake dhe SHISH, mësohet se prej disa vitesh ka pasur një hetim për një celulë të mundshme të ekstremistëve islamikë në qytetin e Fierit e rrethinat e tij. Kjo, pasi kohët e fundit mjaft të rinj, ndër ta edhe persona të dyshimtë e me precedentë penalë, të cilët nuk kanë pasur ndonjë prejardhje apo ndikim fetar, kanë përqafuar fenë islame brenda një kohe mjaft të shkurtër. Madje disa prej tyre, kanë pasur mundësinë të ndjekin shkolla në Lindjen e Mesme, si dhe kanë kryer kurse për zanate të ndryshme, të cilat i praktikojnë në vend. Tjetër fakt, që ka iniciuar hetimet e SHISH-it, kanë qenë edhe investime të dyshimta, të cilave nuk u njiheshin donatorët. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Policisë dhe Prokurorisë së Fierit, të cilat sqaruan se pista kryesore ku është përqëndruar hetimi është gjetja e investitorit të xhamisë pranë shtëpisë së Pëllum Reshlanit. Kjo, pasi nga verifikimet dhe hetimet e deritanishme është konkluduar, se Reshlani nuk po e ndërtonte këtë xhami me fondet vetjake. Për këtë shkak po hetohen të gjitha lidhjet e tij në Tiranë, për të gjetur se kush është investitori i kësaj xhamie dhe çfarë përfaqëson ai në fenë islame. Ndërkaq, burime nga SHISH shprehen, se prej afro tre vitesh kanë pasur informacione për lidhje të dyshimta të disa besimtarëve myslimanë me persona të skeduar si ekstremistë në vendet e Lindjes së Mesme.

Objektivi eksplozivit

Burime të besueshme pranë policisë fierake dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pohuan dje për gazetën, se bomba që po prodhonin dy besimtarët myslimanë, dyshohet se mund të përdorej për një akt të mundshëm terrorist. Burimet pohojnë, se një qark i mundshëm ekstremistësh islamikë, dyshohet ta përdornin bombën për të përgjakur pashkët në Fier. Për këtë shkak, policia ka marrë masa të forta sigurie në kishën e Shën Gjergjit në Fier, ku efektivë të shumtë patrullojnë në oborrin e saj dhe përqark gjatë gjithë 24-orëve. Gjithashtu, policia e kryeqytetit ka marrë masa sigurie edhe për kishat ortadokse në Tiranë që ditën e shtunë. Ndërkaq, burime pranë SHISH shprehen, se janë vënë në gadishmëri agjentë të shumtë, të cilët survejojnë çdo lëvizje të personave të dyshimtë. Por, policia dhe prokuroria e Fierit ka nxjerrë zyrtarisht edhe dy pista hetimi, rreth vetëvrasjes aksidentale të dy të rinjve në fshatin Baltëz, ndërsa po prodhonin një bombë me celularë. Pista e parë, është ajo sipas të cilës tritoli duhej për të kryer një hakmarrje të mundshme personale të ndonjë prej viktimave. Ndërsa pista e dytë, është ajo që i përmbahet dyshimit, se mund të jetë edhe bombë e aktivizuar në celular, por kjo nuk do t’i shërbente ndonjë akti terrorist, por për vetëmbrojtje, ose për kuriozitet, për të ditur si funksiononte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›