E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapet shqiptari, shfrytëzonte 27 rumunë për 2 euro në ditë pune

02/05/2005  Kishte vjedhur energji elektrike për të cilën u merrte 10 euro në muaj

ITALI- Arrestohet në Itali, një shqiptar i cili prej kohësh ka shfrytëzuar për qëllime përfitimi 27 punëtorë rumunë. Lajmi është publikur dje nga mediat italiane, në të cilat thuhej se karabinierët italianë, kanë prangosur të shtunën 32-vjeçarin Dëshir Xhani, i cili akuzohet për favorizim trafiku klandestinësh, shfrytëzim të krahut të punës si edhe grabitje të energjisë elektrike. Në mediat italiane, thuhej se policia vendore kishte pohuar se 32-vjeçari Dëshir Xhani, prej shtatë vitesh jetonte si emigrant i rregullt në qytetin e Foxhias në Itali. Ka qenë policia, ajo që ka gjetur në një banesë të rrënuar 27 punëtorët rumunë, në një fshat pranë qytetit të Foxhias. Në mediat italiane përshkruheshin kushtet e vështria dhe jashtë standarteve ku ata jetonin, dhe me një higjenë jashtë normales. Gjatë marrjes në pyetje, ata kanë pohuar para policisë italiane se paguheshin me 2 euro e gjysmë në ditë, dhe punonin si punëtorë krahu në fushë. Ndërsa Dëshir Xhani u siguronte atyre punën dhe i transportonte me furgon nga një fshat në tjetrin. Por, shfrytëzimi i 32-vjeçarit Xhani ndaj rumunëve, duket se ka qenë edhe më ekstrem. Në mediat italiane thuhej se 27 rumunët, në fund të muajit, duhet të paguanin nga 10 euro secili për energjinë elektrike. Ndërkaq, nga hetimet e policisë italiane, ka rezultuar se shqiptari 32-vjeçar e kishte siguruar energjinë elektrike në rrugë të paligjshme. Pas arrestimit të tij, karabineria vendore ka kontrolluar banesën e Xhanit, ku ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 mijë euro. Gjithashtu, aty janë gjetur edhe fotokopje të dokumenteve të 27 punëtorëve rumunë, që ka bërë të mundur ngritjen e akuzës së favorizimit të trafikutn të klandestinëve ndaj Xhanit, pohohej në mediat italiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›