E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festat, policia mban nën kontroll situatën në Tiranë

02/05/2005  TIRANË- Pashkët dhe 1 maji angazhojnë uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe të komisariateve përkatëse. Që në orët e vona të së shtunës viheshin re në të gjitha pikat hyrëse e dalëse të kryeqytetit patrulla të Repartit "Shqiponja" dhe të Grupeve të Gatshme të të gjitha komisariateve, të cilët në çdo moment kanë mbajtur nën kontrroll situatën. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, të gjithë sektorët kanë marrë urdhërat përkatëse për të mos lejuar anomali në qetësinë e qytetarëve gjatë festimeve. Policia e Rendit ka organizuar koordinimin e patrullave në të gjitha rrugët kryesore të metropolit, me qëllim mbarëvajtjen e festimeve të Pashkëve dhe 1 majit, ndërsa janë këshilluar disa adoleshentë të dehur, të cilët kanë krijuar shqetësime të vogla në disa nga pikat e Tiranës. Policia Kriminale nuk ka rreshtur së kontrolluari personat e rrezikshëm e të shpallur në kërkim, ndërsa Policia Kufitare ka mbajtur nën kontroll dyndjen e emigrantëve shqiptarë nga Greqia e Italia, duke iu përmbajtur letër-porosisë së tre ditëve më parë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj. Ndërkaq Policia Rrugore e ka pasur më të vështirë në kontrollin e trafikut të dendur, kryesisht në orët e para të mëngjesit dhe gjatë mesditës, ndonëse kritikat ndaj këtij sektori nuk kanë rreshtur në asnjë nga mbledhjet e krerëve të policisë. Nga burime policore mësohet se gjatë këtyre ditëve fluksi i mbërritjes së emigrantëve në dogana ka rënë, ndërsa pritet që radhët të shtohen sërisht brenda tre ditëve, periudhë në të cilën ata rikthehen në vendet e tyre të punës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›