E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krimet e rënda prangosin tutorin elbasanas

02/05/2005  E dëmtuara dëshmon si u shfrytëzua në semaforët e Evropës. Policia sekuestron 100 mijw Euro

ELBASAN- Akuzohet se ka shfrytëzuar si prostitutë për disa vjet me radhë të dashurën e tij, arrestohet me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ka qenë dëshmia e viktimës, e cila ka bërë të mundur ngritjen e akuzës ndaj 27-vjeçarit nga qyteti i Elbasanit. Ndërsa policia i ka sekuestruar afro 100 mijë euro që i janë gjetur në banesë dhe në llogaritë e tij bankare. Elton Avdyli, është arrestuar dje nga forcat policore të qytetit të Elbasanit, të cilat kanë ekzekutuar fletë-arrestin e lëshuar disa ditë më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Arrestimi

I riu nga qyteti i Elbasanit, 27-vjeçari Elton Avdyli, akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, se ka shfrytëzuar disa vite me radhë si prostitutë, një vajzë nga i njëjti rreth, emri i së cilës nuk bëhet i ditur për arsye etike. Lajmi i arrestimit të tij, është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol”, nga burime pranë prokurorisë, të cilat sqaruan se prej disa ditësh i ishte përcjellë policisë së Elbasanit urdhër-ndalimi i 27-vjeçarit. Burimet sqarojnë se ka qenë vetë e dëmtuara që ka dëshmuar ndaj 27-vjeçarit, duke pretenduar se ishte shfrytëzuar e dhunuar prej tij, duke përfituar sasi të mëdha parash. Ndërkaq, dëshmia e saj mësohet të jetë siguruar në cilësinë e provës materiale në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Burimet pohojnë se mëngjesin e djeshëm, i akuzuari për trafik dhe shfrytëzim të femrave është vënë në pranga nga policia e Elbasanit. Ndërsa janë verifikuar të gjitha pasuritë e tij, nga ku i janë sekuestruar paraprakisht afro 100 mijë euro, thonë burimet.

Akuza

Sipas prokurorisë, Elton Avdyli, akuzohet se e ka shfrytëzuar për më shumë se dy vjet të renë nga qyteti i tij. Ajo ka dëshmuar para hetuesve se Avdyli e kishte pasur të dashur dhe e kishte mashtruar për një jetë më të mirë jashtë shtetit. Por me mbërritjen jashtë Shqipërisë, ai nëpërmjet dhunës e ka detyruar të dalë në rrugë e të prostituojë, thonë burimet. Ndërkaq, pohimet e të dëmtuarës janë faktuar edhe nga të afërmit e saj, të cilët kanë deklaruar se vajza ishte shfrytëzuar si prostitutë nga Avdyli, e më pas ishte braktisur prej tij. Ndërsa ky i fundit kishte përfituar një sasi të konsiderueshme parash, një pjesë e të cilave i janë sekuestruar përfunduan burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›