E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sollaku: “Terrorizmi operon nën emra anonimë”

02/05/2005  Në fillim të javës, në Prokurorinë e Përgjithshme ka filluar një seminar njëjavor për Luftën Kundër Krimit Financiar dhe Pastrimit të Parave, ku kanë marrë pjesë hetues shqiptarë dhe misionarë të drejtësisë amerikane në vendin tonë. Gjithashtu, prezente ka qenë edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Marsi Rais. Seminari është hapur nga Kryeprokurori Sollaku, i cili ka theksuar se organizatat kriminale nuk e kanë të vështirë që të kryejnë në Shqipëri investime në dukje të bazuara në ligj. Ndërsa, Rais ka pohuar se lufta kundër terrorizmit ka nevojë për mjetet e duhura logjistike.

Sollaku

“Ndonëse Shqipëria nuk është një nga vendet që ka lidhje historike me terrorizmin, mungesa e eksperiencës, e shkallës së njohjes së tij dhe moszbatimi i plotë i kuadrit ligjor, krijojnë terren të përshtatshëm që organizata kriminale me investime në dukje të ligjshme, të shfrytëzojnë vendin tonë si bazë për financimin e terrorizmit". Kjo ka qenë deklarata e Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, gjatë seminarit mbi "Luftën Kundër Krimit Financiar dhe Pastrimit të Parave", ku kanë marrë pjesë edhe ekspertë të mbrojtjes e drejtësisë amerikane. Burime zyrtare të organit qendror të akuzës, thanë se, Sollaku pohoi që në Shqipëri përveç bizneseve të ndershme e të ligjshme ka edhe nga ato biznese që operojnë nën emra anonime. Sipas Kryeprokurorit Sollaku, në vendin tonë nuk mungon kuadri ligjor, por e nevojshme është zbatimi i tyre në praktikën e përditshme.

Marsi Rais

Ndërsa, ambasadorja amerikane në Tiranë, Marsi Rais, që ishte pjesëmarrëse në këtë seminar tha se, “terrorizmi financohet nga krimi financiar i sofistikuar dhe pastrimi i parave bëhet në vende, të cilat mund të jenë larg atyre që janë objekt i terrorizmit”. Ajo theksoi se, “bazuar në këtë logjikë, është më e rëndësishme se asnjëherë tjetër, që strukturat e zbatimit të ligjit të kenë mjetet e duhura logjistike dhe normat ligjore të nevojshme për të luftuar terrorizmin”.

Disa nga arrestimet në Shqipëri të të

dyshuarve e akuzuarve për terrorizëm

28 QERSHOR 1998

Kapen Ahmed Ibrahim El Naggar, me pseudonimin Muhamed Fonda, 39 vjeç, dhe bashkëpunëtori i tij në fondacion, Mohamed Hasan Mahmud (alias Moget Mustafa), 36 vjeç.

24 TETOR 1998

Vritet në shtëpinë e gruas shqiptare, Selam Muhamed Omar El Said, një tjetër i dyshuar për lidhje me "Xhihadin". Gjatë aksionit plagoset njëri prej drejtuesve të RENEA-s.

15 SHKURT 1999

Arrestohet iraniani Mohamed Nexhip Jashim dhe siriani Abdyl Mahem, të cilët kishin falsifikuar nënshtetësinë për t'u futur pa vizë në Shqipëri. Nuk dihet nëse kishin lidhje me terrorizmin.

13 NENTOR 1999

Shpallet "non grata" jordanezi Abdyl Latif Saleh. Jetonte në kryeqytet, si drejtuesi i katër fondacioneve fetare dhe njëkohësisht kishte lidhje edhe me biznesin e ndërtimit në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›