E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bomba në ambasadë, Zheji: Kur i shpëtova pushkatimit

Ai ngjit shkallët ngadalë,
mbahet lehtë pas parvazit.
E ndjek pas drejt
strehëzës së tij. I ka kaluar
të 80-at (83 për të qenë të
saktë), por në fytyrë tregon më
pak se kaq. Gjergj Zheji, përkthyes,
studiues e shkrimtar, me
veprat e tij ka folur shumë, por
ka ende edhe më shumë për të
thënë. Flet ngadalë, me zë të ulët.
I kujtohen qartë detajet nga fëmijëria.
Koha kur shkruante poezitë
e para, apo koha kur së bashku
me të vëllanë, Petro Zhejin, iu
kushtua studimit të gjuhëve e
përkthimeve. E di mirë arsyen që
e shtyu drejt studimit të folklorit
shqiptar, është e thjeshtë: ai u rrit
me të. Nëse përkthimin e quan
një art më vete, të shkruarin e
quan një oaz ku gjen kënaqësinë.
Poezinë? E do, shumë, por shton
me humor "më mirë që nuk i ka
mbetur gjë prej tyre". Por një e
ka shkruar tani. "Taksi, të lutem"
është poezia e pabotuar e Gjergj
Zhejit, të cilën e ka ngjizur pasi
është njohur me historinë që i ka
kushtuar jetën. Në vitin 2002, në
një të përditshme shqiptare, një
ish-kolonel i Sigurimit dëshmon
skenarin e hedhjes së bombës
në ambasadën sovjetike dhe
personat që do të sakrifikoheshin
për këtë çështje. "Sipas urdhrit të
Enver Hoxhës, personat që do të
arrestoheshin u përgatitën që më
përpara nga njerëzit e Sigurimit...
Ato ditë që po hartoheshin ato
lista, kolegu im më pyeti edhe
për një djalë me mbiemrin Zheji,
i cili në atë kohë vazhdonte studimet
në Institutin Pedagogjik
dyvjeçar në Tiranë dhe babai i
tij kishte qenë oficer në kohën e
Zogut. Unë e njihja atë njeri dhe
i thashë kolegut ta
fshinte nga lista e
atyre që do arrestoheshin...".
"Ky kolonel
thotë se kishte
marrë urdhër për të
pushkatuar një grup
prej 23 vetësh dhe
i pushkatuan, por
ndër ta ishte edhe
një i 24-t që shpëtoi.
Ai isha unë. Se përse
donte të më vriste
ai, këtë nuk e di.
Por pasi kam lexuar
këtë, për një vit të
tërë m‘u duk sikur
kisha një boshllëk, sikur tërë jeta
ime kishte qenë jeta e një skllavi,
e mishëruar prej një periudhe
të caktuar", thotë trishtë Gjergj
Zheji, por e kalon shpejt, duke
cituar shprehjen e Papa Gjon Palit
II: "Kriminelët t‘i falim, por emrat
nuk do t‘ua harrojmë". Ai gjen rastin
të flasë për Ismail Kadarenë,
të cilin e do dhe e vlerëson. Detaje
të një jete kushtuar profesionit,
të cilit i dha shumë, por ende i
ka mbetur për të dhënë. Në një
intervistë për gazetën "Shqip",
Gjergj Zheji, rrëfen të shkuarën.
I flet së ardhmes.
Profesor, do të më pëlqente
që këtë intervistë ta nisnim me
poezinë, duke qenë se ju, që
në fëmijërinë e hershme, keni
shkruar vargjet e para e për më
tepër sepse për të flitet shumë
pak sot…
Po unë them se të gjithë e fillojnë
me poezi. Edhe Turgenjevi
e filloi me poezi e pastaj kaloi në
prozë. Mendoj se poezia është
rruga më e kollajtë e më spektakolare
për jetën. Pastaj vjen një
fazë tjetër kur shkrimtari fillon
e piqet. Nuk i mjafton më vetëm
poezia, por i duhet edhe proza.
Poezia është e bukur, ajo të zbukuron,
është ndryshe ajo.
Po ju pse keni shkruar poezi?
Ǒju shtynte drejt saj?
Kam shkruar poezi kohë më
parë. Kam shkruar poezi që kur
kam qenë fëmijë. Ka qenë pasioni
im në vegjëli. Ka nga ata fëmijë që
kanë talent për muzikë, ka nga
ata që janë të dhënë për pikturë,
mua më pëlqente të rrija ulur
diku e të mendohesha. Kështu
nisa edhe të shkruaja poezi. E
kam bërë këtë që i vogël, por tani
nuk ka mbetur asnjë prej tyre, e
shyqyr që nuk ka mbetur (qesh).
Ju nuk keni shkruar më poezi?
E kam shkruar edhe një tani.
E kam shkruar pasi lexova në një
të përditshme kujtimet e një koloneli
të sigurimit. Ai flet për një
bombë që u hodh në ambasadën
sovjetike. Ky kolonel thotë aty se
kishte marrë urdhër për të pushkatuar
një grup prej 23 vetësh
dhe i pushkatuan, por ndër ta
ishte edhe një i 24-t që shpëtoi.
Ai isha unë. Në atë periudhë, kam
qenë rreth 20 vjeç. Se përse donte
të më vriste ai, këtë nuk e di. Por
pasi kam lexuar këtë dëshmi, për
një vit të tërë m‘u duk sikur kisha
një boshllëk, sikur tërë jeta ime
kishte qenë jeta e një skllavi, e
mishëruar prej një periudhe të
caktuar. Më ka tronditur shumë,
jo nga frika, por sepse më dukej
sikur kisha arritur deri këtu, në
sajë të mëshirës së një krimineli.
Meqenëse jemi te poezia, a
kemi poetë ne?
Sigurisht që kemi poetë…
Shiko, nuk duhen edhe shumë
poetë. Një vendi i mjaftojnë trekatër
të tillë.
I kemi ne këta tre-katër poetë?
I kemi.
Më parë, kishte më shumë
apo më pak prurje? Si seleksionoheshin
ato?
Mua më kujtohet që kishte
shumë talente të reja, të cilët
vinin shpesh e kërkonin mendime
për krijimet e tyre. Në
atë kohë punoja së bashku me
Ismail Kadarenë në organet e
Lidhjes. Ismaili që dukej sikur
ishte indiferent, në të vërtetë
nuk ishte aspak i tillë. I merrte
dhe lexonte poezitë e të rinjve,
përzgjidhte më të mirat dhe pasi
e kishte bërë këtë, i afrohej atij
që e kishte shkruar dhe e pyeste:
‘Ti e ke bërë këtë? Mirë ishte,
por përpiqu të bësh akoma më
mirë‘. Dukej sikur ai nuk përfillte
njeri, por nuk është e vërtetë. Ai
bënte seleksionime. Nëse lexonte
ndonjë poet që botonte për herë
të parë dhe i pëlqente, atëherë
atë e nderonte. Dinte se kë të
përzgjidhte. Kishte eksperiencë
dhe përvojë për të zbuluar atë që
ishte me të vërtetë talent. E për
ta bërë këtë, nuk ishte e kollajtë.
Ai nuk mund të zgjidhte ndonjë
budalla, që kishte maninë e të
shkruarit. Sot ka shumë poetë
që i ka përzgjedhur Kadare dhe
që kanë ecur përpara.
Pse thoni që Ismail Kadare
dukej indiferent, e tillë ishte
përshtypja e krijuar për të?
E them këtë sepse kur e shikon
në pamje të parë të duket sikur
Ismaili ka një pamje nursëzi, por
e vërteta është që nga brenda
digjej. Ai nuk i linte talentet të
humbisnin kollaj. Nuk dinte
të përkëdhelte, kjo po, është e
vërtetë, sepse ai nuk i nxjerr përnjëherë
ato që ka në zemër.
Ju keni ende komunikim
me të?
Sigurisht që vazhdoj t‘i ruaj
marrëdhëniet. Ai më ka dashur e
më do akoma. Ai e di që diku ka
një njeri që e do, dhe unë e di që
kam një njeri që më do.
Po flisnit për një periudhë që
keni punuar në shtyp. Ǒmendim
keni për gazetarinë sot e për
kritikën në përgjithësi?
Të pasqyrosh realitetin e vendit
tënd kërkon njerëz që mund
ta bëjnë këtë. Më kujtohet kur erdhën
disa bullgarë në redaksi dhe
panë se ne ishim vetëm 15 veta.
I pyetëm po ju sa jeni? Ne vetëm
në redaksinë qendrore jemi 50
veta, thanë ata, përveç korrespondentëve.
Po pse kaq shumë,
vazhduam? Sepse gazeta ka për
detyrë të pasqyrojë krijimtarinë
që bëhet në të gjithë vendin, e jo
vetëm kaq, ajo duhet të vlerësojë
edhe veprat e reja që botohen.
Që të bëhet kjo, kërkohen njerëz
që merren vërtet me këtë punë.
Ne sot nuk arrijmë të flasim e
të shkruajmë për librat tonë.
Mendoj se nuk kemi nevojë për
shkrime që të lakohen shumë nga
reklama. Kemi nevojë për artikuj
ku të vihet re kritika studimore.
Këtë ende nuk e kemi ne. Edhe
në ato vende ku mendohet se
ekziston, e ku duhet të jenë, këto
shkrime nuk janë krijuese, por
zyrtare.
Flasim pak për familjen tuaj?
Ne e njohim mirë vëllanë tuaj,
Petro Zhejin, studiues e përkthyes,
po aq sa njohim mirë edhe
motrën tuaj, Vera Zheji, më shumë
akoma zërin e saj. Po pjesa
tjetër e familjes?
Unë jam nga Zagoria, nga një
zonë që shquhej për kulturë.
Babai im (jam duke menduar të
shkruaj kujtimet e mia, të shohim
sa do t‘ia arrij) babai im jetim
mbeti. Ishte familje e madhe
ç‘është e vërteta. Gjyshi im ishte
një patriot i rangut të parë. Ai
bënte poezi, dinte të këndonte
bukur, ky ishte artist, e nëse ka
ndonjë damar prej artisti që e
kemi trashëguar ne të tërë, e kemi
prej tij. Nikolla Ballo e quanin.
Dinte shumë këngë, i binte veglave
muzikore, kishte përkthyer
edhe këngë të huaja. Kur kishte
qenë në kurbet, kishte mësuar
shumë këngë nga të Caruzos, të
cilat i këndonte. Ishte një folklor
i gjallë. Ǒnuk dinte ky, dinte
dhe shumë këngë nga veriu, të
cilat i këndonte duke i kthyer
në toskërisht. Ky ishte fat, sepse
fuste edhe këngët e veriut në
jug (Gjergji Zheji nis të këndojë:
pushka e parë bëri bam, nëna
e Halitit dolli në xham, dolli në
xham e në penxhere, vallë ç‘është
kjo potere. E këndon në gegërisht
e toskërisht sipas gjyshit të tij).
Ai na ka ndihmuar shumë. Duke
parë se me sa dashuri e këndonte
folklorin, dashurinë për fshatin, të
gjitha këto na u ngjitën edhe neve.
Ju mendoni se shqiptarët e
kanë harruar traditën, se nuk e
njohin më folklorin?
Jo, nuk e mendoj këtë. Ne
vërtet duam të përqafojmë të
renë, por pasi kemi bërë disa
hapa, tërhiqemi. Kthehemi atje
ku ishim. E shumë mirë që ndodh
kështu, e bëjmë sepse duam
të mbrojmë veten. Ngado që
shkojnë, ata nuk harrojnë kurrë
që janë shqiptarë. Edhe me
fëmijët e vegjël ndodh kështu.
Identiteti kombëtar nuk humbet
kurrë. 500 vjet të pushtuar nga
turqit e megjithatë, Gjergj Elez
Alia u vazhdua të këndohej. Kjo
është një anë e fortë e jona sepse
ka edhe popuj që i kanë harruar.
Megjithatë, të njohësh gjuhën
e kulturën e një kombi tjetër
është pasuri më vete, ju sa gjuhë
njihni?
Gjuhët tek unë janë si puna
e latinishtes. Gjuhë të vdekura
janë tek unë. Unë di të shkruaj e
të lexoj, pak të flas nga këto gjuhë
që do të përmend: rusishten, italishten,
frëngjishten, anglishten
etj. Këto janë punë të linguistit,
jo më shumë. Por Petroja im,
i mëson gjuhët në mënyrë të
çuditshme. Jo vetëm i njeh, por
edhe i flet këto gjuhë. Rusishten
e njeh shumë mirë. Tani që kthej
kokën mbrapa, kemi përkthyer
kaq shumë nga rusishtja sa kemi
lënë sytë, sepse babai e nëna
ishin pa punë e na duhej të punonim
për të gjithë familjen. Kemi
bërë shumë përkthime, jo vetëm
ato që janë botuar, por edhe ato
që nuk janë botuar.
Ka shumë të tilla, të pabotuara?
Ka shumë, sa të duash. Kishte
nga ato përkthime që realizoheshin
vetëm për t‘u lexuar nga
ca efendinj. Për mua, këto ishin
një kohë e humbur. Tani po më
kujtohet Vedat Kokona, Skënder
Luarasi e shumë të tjerë, që ishin
nga më të mirët në përkthim. Ata
i dhanë forcë përkthimit, krijuan
gjuhën e artit, gjuhën e romanit.
Kur u fillua të përktheheshin romane
këtu, nuk dinte njeri se cila
ishte gjuha që duhej të përdorej.
Të përkthesh nuk është e lehtë,
të rrëmosh gjuhën e romanit e ta
futësh aty brenda gjuhës tënde,
nuk është e thjeshtë, e megjithatë
u përkthye në ato kohë "Lufta e
paqja", "Don Kishoti", e shumë
vepra madhore. U skalit gjuha e
përkthimit e këtë e bënë përkthyesit,
jo prozatorët. E njëjta gjë
ndodhi edhe me poezinë, por jo
në të njëjtën masë që u krye për
romanin.
Si e shihni nivelin e përkthyesve
të sotëm?
Ka nga ata që janë pak më
mirë, por pjesa më e madhe ende
nuk e ka kuptuar se çfarë i kërkohet.
Ata tentojnë të përkthejnë
një roman e atë vepër ta sjellin
me besnikëri të madhe në gjuhën
tonë. Por besnikëria nuk është
aty, është te gjuha, te shpirti. Në
përkthim, duhet të ruhet fryma,
shpirti, kjo e bën një vepër, nuk
e bën përkthimi fjalë për fjalë.
Nuk bëhet kjo, s‘ka se si të bëhet.
Petroja e kishte djalin gazetar në
Itali atëherë. Një ditë, ai mori në
telefon babanë dhe i tha si mund
ta përkthejmë në shqip këtë fjalë
X? Dhe ky i përgjigjet: ‘Gënjeje!‘.
Ideja është që duhet të sjellë
frymën, jo të përkthejmë fjalë
për fjalë.
Nga të gjitha veprat që keni
përkthyer, cila ju ka kushtuar më
shumë mund?
Më shumë nga të gjitha, më ka
kushtuar shumë mund përkthimi
i "Aventurat e Hakëlberi Finit",
nga Mark Tëein. Megjithatë, ka
qenë një vepër me të cilën jam
kënaqur shumë. Më ka mahnitur
gjithashtu edhe përkthimi i
veprës së Platonit "Republika", e
pasi e kam përkthyer, kam parë
realitetin me sy tjetër. Më dukej
sikur atje ishte e shkruar e gjithë
historia e Shqipërisë, sikur ai e
dinte dhe po e shkruante për ne.
Aty mësova se si lindin demokracitë
e diktaturat, aty mësova se
si diktatura mund të lindi edhe
nga demokracia, kur demokracia
degjeneron në diktaturë. Ka një
mekanizëm të çuditshëm sa të
duket sikur Platoni vetë ka jetuar
në të njëjtën periudhë komuniste
me ne. Aty gjen Enver Hoxhën
dhe krejt atë çka ai bënte. Shkollës
sonë i mungojnë pikërisht
këta autorë e filozofia e letërsisë.
Le të flasim pak për veprat
tuaja studimore, për folklorin
shqiptar. Pse ju ka tërhequr
kaq shumë? Mos ndoshta ju ka
influencuar gjyshi juaj?
Patjetër ka influencuar gjyshi,
babai… Ne jetonim me folklor.
Ne akoma jetojmë me folklor.
Edhe te romani "Don Kishoti",
ta dini se është brenda e gjithë
Zagoria, e gjithë gjuha e zonës.
Ka fletore të tëra të Petros me
shënime. Ishte një grua nga kjo
zonë e cila ishte një thesar i pafund
fjalësh e frazash, mënyrës
së të thënit, e aty janë futur të
tëra. Aty Petro mori shkas që u
bë edhe studiues i gjuhës. Kur
nisa të jap mësim në universitet,
pashë se duheshin tekste të reja.
Teksti i folklorit në atë kohë ishte
një tekst mizerabël që nuk gjeje
gjë. E kështu nisa të merresha
me folklorin.
Ju keni shkruar edhe romane…
Si e ndieni veten si shkrimtar?
Njeriu kur shkruan, e bën këtë
për t‘u çlodhur, për të humbur në
atë oaz kënaqësie, se kur arti nuk
i ka këto kënaqësi, atëherë nuk
është më art.
Ka ndonjë autor që ka ndikuar
më shumë në jetën tuaj?
Çehovi. Ne kemi një ndikim të
madh në përgjithësi nga letërsia
ruse, e kjo është gjë e mirë se
është një letërsi e madhe. Por
Çehovin e dua se është romantik,
por ka edhe humorin brenda,
është shumë i dashur e shumë i
afërt për shqiptarët.
Po letërsia për fëmijë, ç‘vend
zë ajo në krijimtarinë tuaj?
Letërsia për fëmijë ka bukurinë
e saj. Unë e quaj një letërsi
lodër. Ndonjëherë kemi gjetur
shtrat fshehjeje në letërsinë për
fëmijë, ose në historinë, merreshim
me përralla për të lënë pas
realitetin. As që më kishte vajtur
mendja kurrë se do të shkruaja
për fëmijë.
Keni ende dorëshkrime, një
roman apo një vepër studimore
që ju ka mbetur pa botuar?
Më kanë mbetur shumë e nuk
e di se sa do të jetoj që të shikoj
ndonjë prej tyre të botuar. Kam
shumë për të thënë, se nuk më
lanë t‘i thosha. Më ka mbetur nga
folklori, të cilin ne e kemi të mbledhur
shumë, por pak të studiuar.
Për shembull proza e folklorit,
përrallat janë të pastudiuara.
Epo këto përralla janë filozofia e
këtij populli, e kjo filozofi është
e pastudiuar. Duhet riparë edhe
letërsia e shkruar. Më kujtohet te
"Muret e Krujës", romani fillonte
me punën në manastir, kur një
prift pikturonte ikonën e Shën
Gjergjit. Kur libri shkoi për botim
u skandalizuan, sepse ai që në
faqet e para fillon me shenjtorët.
S‘e kush theu qafën atëherë dhe
libri doli i paprekur. Epo bëhet
kështu letërsia, arti muzika? Ndaj
duhet riparë letërsia e shkruar.
Ju keni punuar një periudhë
edhe në Teatrin e Operës e Baletit?
Si e kujtoni këtë kohë?
Për mua, kjo periudhë ishte
ngarkesë e tepërt. Unë e kisha
vërtet pasion muzikën, por jo të
merresha mirëfilli me të. Megjithatë
habitesh se si këndohej në
ato kohëra, në ç‘kushte ishin të
detyruar ato talente të jashtëzakonshme
të përshtateshin. Unë
ndjenja 11 vjet atje dhe e njoha
mirë institucionin e emrat e
mëdhenj të skenës.
Keni pengje?
A mund të kisha bërë gjëra të
tjera? Shumë gjëra nganjëherë
kuptohen vonë. Kishte faza të
një frike të madhe. Mua më kanë
kapur dy-tre romane me gabime
dhe unë e di shumë mirë se çdo
të thotë të jesh para syrit të të
tjerëve e të japësh llogari. Kur u
botua romani "Mosha e burrave",
unë kujtova se tani u thyen të
gjitha barrierat dhe se mund të
shkruaja pa frikë. Por nuk ndodhi
kështu. Më thirrën e bënë mbledhje,
a thua kisha bërë ndonjë
hata të madhe. "Mosha e burrave"
u diskutua në ambiente frike. E
gjithë kjo ndodhi në një kohë kur
bashkëshortja ime, Janulla, ishte
shumë e sëmurë. Për këtë arsye,
gjëmën që na kanosej e mbajta
të fshehur nga ajo për katër vite.
Shpëtova mirë, por nga këto, ka
me qindra episode.
Ndërkohë ju keni ende një roman
në proces, a mund të flisni
pak më shumë për të?
Kam një roman që është
dyvëllimësh. Titullohet "Sëmundja
e lirisë". Është një roman
thuajse i përfunduar. Jam duke
u marrë me fundin, por fundet
janë gjithnjë të vështirë për t‘u
shkruar. Aty mblidhen anët që
kanë të bëjnë me strukturën e
veprës, por ka edhe nga ato që
kanë të bëjnë me strukturën
e personazheve. Kur shkruan,
nuk je më zot i vetes, je skllav i
logjikës së aksionit. Ti do që një
personazh të dalë një njeri i keq,
ndërsa ai del një njeri i mirë. Sa
më shpejt ta mbaroj, aq më shpejt
dua ta botoj.
Për çfarë flet?
Është situata të cilën po jetojmë.
Romanin kam nisur ta
shkruaj kur ishte "periudha e
keqe" në kohën e Enver Hoxhës.
Bëhet fjalë për vitet ‘80. Atëherë
e nisa për botim romanin, por u
luftua. Tani sigurisht që ngjarjet
kanë ndryshuar. Nuk është vetëm
romani që doja të botoja në ato
vite. Nis me retroskenë, që ka të
bëjë me periudhën e demokracisë.
Kjo është pjesa e parë, ndërsa
pjesa e dytë tregon se si njeriu i
keq vazhdon të mbetet i keq. Pasi
kam lexuar e studiuar "Republikën"
e Platonit, e kam të lehtë të
zbërthej ngjarjet e personazhet.
Periudha kur u luftua romani ka
qenë rreth viteve ‘80.
Mendoni se keni dhënë gjithë
sa keni dashur?
Në asnjë mënyrë nuk kam
dhënë aq sa kam dashur, por jo
se nuk kam dashur unë, por sepse
nuk kam mundur. Kur më kapën
romanin, që përmenda më sipër,
unë grisa një roman tjetër. Kjo
ishte situata atëherë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›