E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Sokrati" shqiptar, sukses në Athinë

"Sokrati" shqiptar ka
shkuar edhe në vendin
e lindjes. Pas
më shumë se 100 shfaqjesh,
Mirush Kabashi e ka ngjitur
pjesën edhe në skenën greke.
I ftuar nga Bashkia e Athinës,
më 22 janar, ka interpretuar
në teatrin "Neo Kosmos". Një
tjetër sukses për "Apologjinë e
Sokratit". Publiku grek dhe ai
shqiptar që ndodhej në sallë
e ka duartrokitur dhe komentuar
me nota pozitive pjesën.
Ndërsa për aktorin Mirush
Kabashi duket sikur ka qenë
një sfidë. "Ndonëse ‘Apologjinë
e Sokratit‘ e kam interpretuar
më shumë se 100 herë, shfaqja
e Athinës për mua ishte si
premierë. Unë po e çoja këtë
pjesë në vendlindjen e Sokratit,
por edhe të autorit të madh
grek, Kosta Varnalis. Kjo vepër,
ndër vite është dramatizuar në
forma të ndryshme dhe është
vënë në skenë nga regjisorë
dhe aktorë të njohur grekë.
Por mund të them se edhe
varianti shqiptar u prit me
sukses. E ndjeva nga reagimet
e publikut gjatë shfaqjes, me
duartrokitjet e herëpashershme
të tyre", është shprehur
Kabashi në një konferencë
të djeshme pas kthimit nga
Greqia. Në rolin e ndihmësit
kryesor ka qenë aktori shqiptar,
Lefter Simoni, ndërkohë
që edhe Kabashi ka tentuar që
pjesën finale të Sokratit ta interpretojë
në greqisht. E quan
sipërmarrje donkishoteske,
por ia ka dalë. Pas këtij suksesi,
për aktorin Kabashi kanë ardhur
menjëherë ftesat për një
tjetër interpretim të "Apologjisë
së Sokratit" në Greqi. Bëhet
fjalë për muajt mars-prill,
ndërkohë që kryebashkiaku
i Athinës, Nikita Kaklamani,
i ka premtuar aktorit se do t‘i
krijojë mundësinë që pjesën ta
vërë në disa nga skenat më të
mëdha të Athinës. Përgëzime
i kanë shkuar Kabashit edhe
nga aktorë të njohur grekë, të
pranishëm në shfaqje, ndërsa
më parë ambasadori shqiptar
në Athinë, Vili Minarrolli,
kishte paralajmëruar për
mjeshtërinë e interpretimit.
Në konferencën për shtyp, Kabashi
u shpreh se ky ishte edhe
një sukses i teatrit shqiptar
dhe shkollës sonë të aktrimit.
Por ndërsa suksesi i Sokratit
vazhdon, këtë fundjavë, aktori
do të ngjisë në sallën e vogël të
Teatrit Kombëtar një tjetër monodramë,
"Zoti Ibrahim dhe
lulet e Kuranit", shkruar nga
autori francez Erik Emanuel
Shmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›