E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen maskat, vidhet me armë një karburant

Rikthehen grabitjet me armë në
karburante, ku roja i një pike të
tillë ka rënë pre e dy hajdutëve gjatë
dy netëve më parë. Ngjarja ka
ndodhur në aksin rrugor Milot-Burrel,
ndërkohë që policia ka nisur
punën për zbardhjen e kësaj çështjeje.
Burimet policore të Lezhës
bënë të ditur se rreth orës 20:00
është njoftuar nga Valentin C., se
në vendin e quajtur karburant
"ELDA", në aksin rrugor Milot-Burrel,
në dalje të qytetit të Milotit, dy
persona të paidentifikuar i kanë
vjedhur këtij personi me armë 30
mijë lekë dhe dy celularë. Menjëherë
në vendngjarje kanë shkuar
forcat e policisë dhe grupi hetimor.
Nga veprimet e kryera ka rezultuar
se Valentin C., 45 vjeç, me punë si
shitës te karburant "Elda", në
pronësi të Dervish Veselit, e ka filluar
punën në orën 07:00 të
mëngjesit dhe rreth orës 19:30, kur
ky person ishte ulur në krevatin e
vendrojës, një person i maskuar në
fytyrë është futur brenda dhe
direkt i është drejtuar Valentinit me
fjalët: "Shpejt paratë". Për momentin,
Valentini ka kujtuar se mos është
ndonjë shok i tij dhe po bën shaka,
por direkt personi i maskuar ka
marrë dy celularët e vendosur sipër
tavolinës dhe 30 mijë lekë, që i kishte
në xhep. Pas këtij veprimi, Valentini
e ka kuptuar se nuk është shaka
kur ka parë se përveç këtij personi
të maskuar, në distancë jo më
shumë se një metër jashtë derës
së zyrës qëndronte një person
tjetër, jo i maskuar, që mbante në
dorë një pushkë, person ky që nuk
ka kryer asnjë veprim dhe se i përket
moshës rreth 18 vjeç. Më pas,
të dy personat janë larguar në
drejtim të paditur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›