‘Bomba’ në shkollë, reagon Kisha
SHKODER / RIDVAN DIBRA
Kreu më i lartë i Kishës Katolike në Shkodër, Arqipeshkvi Mitropolit Anxhelo Masafra reagoi dje për ngjarjen e ndodhur në shkollën “Zemra e Krishtit”. Monsinjor Masafra e konsideroi ngjarjen ku u dyshua për eksploziv në oborrin e shkollës, si një akt provokativ. Ai i kërkoi publikisht organeve të drejtësisë që të japin përgjigjen në lidhje me shkaqet e vënies së pakos së dyshimtë pranë shkollës, si dhe autorët e mundshëm të këtij akti të turpshëm. Monsinjor Anxhelo Masafra ishte i pranishëm dje në një aktivitet të organizuar në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës me temë mbi tolerancën. Por ai nuk e fshehu indinjatën e komunitetit katolik që përfaqëson për ngjarjen e ndodhur, ndonëse me një gjuhë të përzgjedhur dhe diplomatike. Monsinjor Masafra u bëri thirrje besimtarëve që të denoncojnë rastet e tilla. “Ajo që ndodhi atë ditë mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Mund të ketë qenë një provokim, por nuk mund ta them me siguri. Mund të këtë qenë dhe një akt për të ngjallur frikë, sepse fuqia e këtij rasti tregoi se autorët nuk kishin pasur për qëllim që të dëmtonin konkretisht njerëz. Por fuqia e të urtit është të vazhdojmë punën me vigjilencë ndaj kërcënimeve të tilla. Vlen të theksoj se për këtë rast më mirë mund të shprehen organet kompetente. Por unë kërkoj që të denoncojnë veprime të tilla anonime”, u shpreh Arqipeshkvi i Shkodrës. Ngjarja që solli edhe reagimin e kreut më të lartë të Kishës Katolike ndodhi më 23 shkurt, rreth orës 11:00. Mësuesit zbuluan një pako të dyshimtë, pranë portës hyrëse të shkollës 9-vjeçare jo publike “Zemra e Krishtit”. Frika e ndonjë lënde shpërthyese bëri që gjithë personeli, mësues dhe nxënës të shkollës të evakuohen nga frika.
Fillimisht u dyshua për vendosjen e një sasie eksplozivi me telekomandë. Policia e Shkodrës që mbërriti në vendin e ngjarjes sinjalizoi për çaktivizimin e saj forcat speciale te xhenios në Tiranë. Por pas analizës që iu bë kësaj pakoje nga ana e specialistëve, u mësua se lënda ishte një bashkim i disa fishekzjarrëve dhe jo të një eksplozivi sikundër u dyshua.