E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jala, Bode: Do vazhdojmë edhe pa BB

 

Fabiola Çela

Qeveria shqiptare është e gatshme që të vazhdojë me fondet e saj projektin për zhvillimin e zonës bregdetare të Jalës. Ky ka qenë reagimi i kreut të financave shqiptare, Ridvan Bode, vetëm pak ditë pas publikimit të raportit të Bankës Botërore. Ministri Bode ka theksuar edhe një herë se ndërtimet e prishura në zonën e Jalës ishin të jashtëligjshme, madje sipas tij përveç raportit të panelit të inspektimit të BB-së ka pasur edhe një raport tjetër. Ky raport është kryer nga një kompani tjetër e paguar nga Banka Botërore, por çuditërisht ky raport nuk është bërë publik nga banka. Në deklaratën e tij të djeshme, kreu i financave nuk ka hezituar të publikojë letrën që qeveria shqiptare i ka nisur Bankës Botërore. Me anë të kësaj letre, qeveria shqiptare i ka kërkuar BB-së që të nxjerrë përgjegjësit që shtrembëruan raportin dhe e publikuan atë në rrugë jozyrtare. “Guvernatorit i është përcjellë projektraporti i Inspektimit, ndërsa më e çuditshëm mbetet fakti se si raporti që ishte konfidencial gjeti dritën e botimit fillimisht në gazetat shqiptare”, tha ministri Bode.
Reagimi
Përveç raportit të panelit të inspektimit, ka pasur dhe një raport tjetër të kryer nga një kompani tjetër e pavarur. Por ky raport nuk u publikua kurrë nga BB. “Shpreh vendosmërinë e qeverisë shqiptare që të vijojmë të insistojmë përpara panelit të inspektimit, për të marrë një përgjigje rreth pasaktësive që ka pasur paneli i inspektimit, aq më tepër që ka pasur një raport nga një kompani e paguar prej BB –së dhe ky raport asnjëherë as nuk u publikua dhe as nuk mor në konsideratë nga paneli i inspektimit”, deklaroi ministri. Madje, sipas tij, qeveria shqiptare do të financojë vetë me fondet e saj realizimin e këtij projekti. “Ne shprehim gatishmërinë tonë për të vijuar zbatimin e këtij projekti sa më shpejt, pasi me këtë projekt lidhen jo vetëm fondet e BB–së, por edhe fonde të donatorëve të tjerë, nga të cilët vjen edhe pjesa dërmuese e fondeve dhe po ashtu të vijojmë me projekte të tjera në të njëjtën mënyrë” ka thënë ai. Raporti i panelit të inspektimit të Bankës Botërore mbi projektin për zhvillimin e zonës bregdetare ka ngjallur reagime të forta. Vetëm dy ditë më parë, në një deklaratë për mediat kreu i Ministrisë së Punëve Publike Sokol Olldashi tha se këto 12 objekte ishin pa leje dhe duke qenë se ishin ndërtuar në një zonë turistike nuk ishin të përfshira as në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale. Të njëjtën gjë ka theksuar edhe Ministri i Financave Bode. Sipas raportit të publikuar pak ditë më parë nga Banka Botërore, thuhet se BB nuk kishte lidhje me shkatërrimet e objekteve në Jalë. Ata kanë pranuar gabimet e kryera në këtë projekt madje kanë deklaruar se janë gati të japin asistencë për familjet që u prekën nga shembja.

Gjoni: Jala, projekt familjar

Anëtari i Asamblesë socialiste, Ilir Gjoni, e cilësoi projektin e Jalës si një projekt familjar të kryeministrit me dëm ekonomik për të gjithë shqiptarët. “Ministri Bode duhet të ndihet në turp që njëherë thotë një gjë e njëherë një tjetër, vetëm për të fshehur atë që duket qartë dhe që është dështimi i një projekti, i cili nga një kombëtar, u kthye në një projekt familjar me dëm ekonomik e moral për Shqipërinë. I kërkojmë ndjesë Bankës Botërore për qëndrimet e papërgjegjshme të qeverisë shqiptare lidhur me projektin dhe me vetë Bankën Botërore”, tha Gjoni. Sipas tij, “Banka Botërore ka folur qartë dhe ka treguar me transparencë pse e si është krijuar skandali i Jalës, për të cilin përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë e mbi koordinatorin i projektit që është dhëndri i Berishës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›