Gjyqi, akuza ndaj Bashës në rrezik
Fatos Mahmutaj
Pasditen e 5 dhjetorit të vitit të kaluar, vetëm pak minuta pasi Prokuroria e Përgjithshme kishte nisur me postë aktakuzën dhe dosjen penale në ngarkim të Lulëzim Bashës, dy punonjës të Ministrisë së Jashtme e kishin hedhur këtë dosje në derën e institucionit kryesor të akuzës.Këtë fakt e bëri publik dje prokurori Arben Kraja, gjatë debatit juridik që pati me avokatët e të akuzuarve Lulzim Basha dhe Andi Toma. Gjykatësi Besnik Ymeraj pyeti prokurorin Artur Selmani, se nëse nuk ka akt për njoftimin e akuzës, ashtu siç pretendoi mbrojtja e tij, pse ishte thirrur ministri Lulzim Bashën në gjykatë dhe nëse akti shpallej i pavlefshëm, a e ka cilësinë e të pandehurit Basha? Prokurori Selmani u përgjigj se në këtë mënyrë Basha nuk e ka cilësinë e të pandehurit. Sipas tij, nëse gjykata do konsiderojë të pavlefshme këto dy dokumente, megjithëse mund të jetë absurde, atëherë është kompetencë e gjykatës të ripërsërisë njoftimin e akuzës. Ndërkohë që, pala mbrojtëse kërkoi pushimin e akuzës në çështjen “Durrës – Kukës”. Kërkesa u paraqit dje në Gjykatën e Lartë nga avokati Genci Gjokutaj, mbrojtës i ish-kreut juridik të Ministrisë së Transporteve, Andi Toma, me argumentin se procesi në ngarkim të klientit të tij ishte derivat me atë të Lulzim Bashës, ish-ministrit të akuzuar. “Kërkojmë pushimin e gjykimit. Ju keni të gjitha kompetencat ligjore për ta bërë këtë”, pohoi avokati Gjokutaj, i cili mbështeti argumentet që paraqiti kolegu i tij, mbrojtës i ministrit Basha. Sipas avokatit të Bashës, klienti i tij ende nuk është marrë i pandehur, pasi ai nuk ka marrë njoftim për akuzën e ngritur ndaj tij. Si rrjedhojë sipas avokatit, duke mos pasur një person të pandehur atëherë nuk ka vlerë as procesi që po zhvillohet në ngarkim të tij. Kurse prokurorët e çështjes, Artur Selmani dhe Arben Kraja, pohuan se Basha ende nuk e ka ankimuar vendimin për zgjatjen e afateve të çështjes pas datës 6 nëntor 2008, duke bërë që, të paktën për të, të jenë të vlefshme të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale të kryera pas kësaj date. Seanca e djeshme e zhvilluar në Gjykatën e Lartë, e rezervuar për paraqitjen e kërkesave paraprake nga palët u kthye në debat juridik mes palëve me njëra-tjetrën, si dhe me anëtarët e trupit gjykues. Prokurori Selmani kërkoi që seancat të incizoheshin nga gjykata, kërkesë të cilës trupi gjykues iu përgjigj se kjo gjë bëhej që nga seanca e parë, ndërsa sekretaret gjyqësore shënon përmbledhtazi seancën. Pasi dha gjenealitetet, ministri Basha ngarkoi avokatin e vet për të paraqitur kërkesat paraprake. Avokati pohoi se kërkesa për gjykimin e çështjes “Durrës – Kukës”, ishte e pavlefshme pasi mungonin gjenealitetet e klientit të tij, të cilat nuk ishin dhënë sipas ligjit nga ai. Po kështu avokati pohoi se ky dokument procedural duhet të përpilohej pasi Basha të njihej me aktet, gjë që nuk është bërë ende. Konkretisht, sipas avokatit, në dosje ekzistojnë dy akte që nuk njihen nga Basha, kërkesa për gjykim dhe fletëthirrja për komunikimin e akuzës. Duke vazhduar në këtë linjë, avokati tha se këto dy dokumente e bënin të pavlefshme dosjen penale, e për rrjedhojë krejt procesin dhe kompetencën e Gjykatës së Lartë, pasi Basha, sipas mbrojtësit, edhe pse gëzonte cilësinë e deputetit dhe ministrit, nuk i është dhënë kurrë zyrtarisht cilësia e të pandehurit. Vetë Basha, e cilësoi fabul të prokurorisë çështjen, duke u shprehur se ishte gjykata ajo që do të vendoste në lidhje me kërkesat e tyre. Këto kërkesa, sipas palës së akuzuar, gjenin mbështetje veç të tjerash edhe në vendime të mëparshme të Gjykatës së Tiranës, që kishte vendosur në disfavor të prokurorisë. Trupi gjykues pesëanëtarësh, i kryesuar nga gjykatësi Spiro Spiro, shpalli dje në fund të seancës se më datë 16 mars do të shprehej mbi kërkesat e paraqitura nga mbrojtja dhe të kontestuara nga Prokuroria.
“Akuzës i ka dalë çështja nga duart”
“Prokurorisë i ka dalë çështja nga duart. Vetë Prokurorja e Përgjithshme në një konferencë për shtyp ka pohuar se gjykata e ka ndërprerë hetimin e për këtë çështje, duke mos lejuar kryerjen e veprimeve procedurale”. Ky ishte pohimi i avokatit të ministrit Lulzim Basha, i cili shtoi se Gjykata e Lartë nuk kishte kompetencë për këtë çështje, pasi Basha që gëzon imunitet deputeti dhe është anëtar i qeverisë, ende nuk është marrë sipas ligjit i pandehur.
Basha, s’u ankua për zgjatjen e afateve
Zgjatja e hetimeve pas datës 6 nëntor nuk është ankimuar asnjëherë nga Lulzim Basha dhe për rrjedhojë është në fuqi ende për këtë person. Ky ishte një nga argumentet e paraqitur në gjykim nga prokurorët e çështjes “Durrës-Kukës”, të cilët legjitimuan në këtë mënyrë aktin e njoftimit të akuzës për Bashën, si dhe dërgimin e dosjes penale me anë të postës. Prokurorët pohuan se ankimi është individual dhe si i tillë ka vlerë vetëm për të pandehurin Andi Toma.
Ankimohet vendimi i mbylljes së hetimeve
Vendimi i Gjykatës së Apelit, që urdhëronte mbylljen e hetimeve për dosjen “Durrës – Kukës”, nuk është i formës së prerë pasi ai është ankimuar në Gjykatën e Lartë nga Prokuroria. Duke paraqitur në gjykatë një vërtetim për këtë, dy prokurorët pohuan se përfundimi i hetimeve më datë 6 nëntor 2008, sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës dhe më pas Apelit, mund të rrëzohet nga Gjykata e Lartë dhe pas kësaj të gjitha veprimet e kundërshtuara nga pala e akuzuar bëhen të vlefshme.
Procedurat, Gjykata e Lartë vendos më 16 mars
TIRANE – Gjykatës së Lartë, më datë 16 mars do t’i duhet t’i japë zgjidhje problemit të njoftimit të akuzës për ministrin Lulzim Basha. Kjo, si domosdoshmëri për të vazhduar procedurat e tjera ligjore në këtë proces. Togat e zeza të Shkallës së Tretë u përballën dje me pretendimin e Prokurorisë se procedurat janë kryer ligjërisht, kërkesën e mbrojtjes për pushim akuze dhe dispozitën ligjore se akuza në këtë rast mund t’i komunikohet ministrit Basha edhe nga vetë trupi gjykues. Po kështu ekziston edhe mundësia ligjore për rikthimin e akteve në organin e akuzës me detyrën e lënë nga gjykata, për të kryer procedurat ligjore ndaj të akuzuarve. Gjatë seancës, një nga anëtarët e trupit gjykues i pyeti prokurorët: “Nëse nuk ka akt për njoftimin e akuzës, pse keni thirrur Bashën të pandehur? Nëse Gjykata e Lartë shpall të pavlefshme fletëthirrjen për Bashën, atëherë a e ka ky cilësinë e të pandehurit?”. Prokurorët iu përgjigjën se kjo mund të konsiderohej si absurde, dhe se sipas tyre mbetet kompetencë e gjykatës ripërsëritja e njoftimit. f.m.
Prokuroria: Nuk kemi surpriza
TIRANE - “Në dosje kemi kërkesën për heqje imuniteti të të pandehurit Lulzim Basha. Nuk bëjmë surpriza me provat që ndodhen në të, por do iu përmbahemi procedurave. Basha është njohur me aktet e dosjes më datë 5 dhjetor”. Prokurorët Artur Selmani dhe Arben Kraja kundërshtuan në këtë mënyrë pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve Lulzim Basha dhe Andi Toma, se veprimet hetimore të kryera nga organi i akuzës ishin konform ligjeve dhe procedurave. Përfaqësuesit e akuzës pohuan se Bashës i ishin dërguar aktet në ngarkim të tij me postë më 5 dhjetor 2008, ndërsa gjykata argumentoi se kjo kohë mund të ishte e pamjaftueshme, pasi ishte ditë e premte, pasdite dhe për më tepër në një segment kohor prej pak minutash Basha nuk mund të arrinte të lexonte dhe të kuptonte dosjen voluminoze me shtatë fashikuj. f.m.
“Akuzat ndaj Bashës janë gatuar në zyrën e Bamir Topit”
Deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, akuzon kreun e shtetit se po fabrikon akuzat ndaj ish-ministrit të Punëve Publike, Lulzim Basha lidhur me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai flet edhe për çështjen e Gërdecit dhe premtimet e qeverisë për vizat, luftën ndaj korrupsionit rritjen e pagave dhe pensioneve.
Ju jeni shprehur disa herë se qeveria mbajti premtimin për sa i përket ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Deri tani duket se një gjë e tillë po realizohet, por teksa kjo rrugë po ndërtohet, një ministër akuzohet për korrupsion dhe është nën hetim...
Bëni durim. Pak ditë më parë një lider i së majtës vizitoi për herë të parë rrugën dhe u shpreh i mahnitur nga ajo që kishte parë. Sikur këtë rrugë – thjesht për kuriozitet ta vizitonin dhe prokurorët e çështjes do të kishin një mendim tjetër. Ajnshtajni thotë diku se “problemet nuk mund të zgjidhen me të njëjtin nivel mendimi që i krijon ato”, edhe rruga nuk mund të gjykohet me të njëjtin nivel mendimi, gjykimi dhe paragjykimi që bëhet për një rrugë të tenderuar fjala bie nga Bashkia e Tiranës. Ata që e kanë parë rrugën kanë mbetur të mahnitur dhe kanë ndërruar mendim, mendim të krijuar nga shkrime gazetarësh, nga kafenetë e bllokut në Tiranë apo nga “informacionet” që rrjedhin nga Prokuroria. Rruga është vepra më e madhe që ka ndërmarrë ndonjëherë një qeveri në Shqipëri. Rruga po mbaron. Llafet dhe shpifjet mund të vijojnë, por kjo ka pak rëndësi për mua, ka pak rëndësi për ju besoj, por edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës. Këtu do të jemi dhe besoj se ju dhe koha do të më jepni të drejtë, kur them se hetimi është një turp, është një flluskë sapuni që do të ketë fatin që kanë patur historikisht flluskat. Për këtë hetim jam shprehur edhe në media dhe kam thënë se akuzat për korrupsion ndaj Lulzim Bashës janë gatuar në zyrën e Presidentit. Politikë mund të bëjë kushdo, por nuk është mirë të bëhet mbi këtë rrugë. Unë kam një ndjeshmëri të madhe për këtë rrugë, ndjeshmëri që e kam gjetur me këdo që kam folur. Gjëja më e mirë që ka bërë shteti shqiptar për veten dhe për Kosovën, të paktën që nga momenti i krijimit, është kjo rrugë. Përpjekjet për ta baltosur janë të neveritshme.
Pse mendon se PD-ja do të fitojë sërish në zgjedhjet 2009, po të kemi parasysh disa çështje si: Gërdeci, Fazlliç, ligji i Dosjeve....
Dakord. Atëherë ta fillojmë pse duhet të fitojë dhe do t’i përgjigjem edhe kësaj kundërpyetje. Të kthehemi pak në vitin 2005! Çfarë thamë atëherë dhe ku jemi sot? Imagjinoni pak. Shqipëria bëhet anëtar i NATO-s. Mund të duket një fjalë goje, por është një gjë e madhe, është e jashtëzakonshme. Ne duhet të jemi me fat që po jetojmë në këtë kohë që po ndodh kjo mrekulli. Nuk është retorikë, nuk është një gjë që duhet se jemi pranë fushatës, por është një gjë shumë e madhe që përcakton dhe betonon jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e këtij vendi. Duke qenë anëtarë në organizatën më të fuqishme politike dhe ushtarake që ka njohur bota që nga koha e Perandorisë Romake, ne jemi tashmë një vend i sigurt. Është njëlloj sikur të kesh një veprimtari ekonomike tënden dhe të jesh i siguruar në kompaninë e sigurimeve më të fuqishme të botës. Në planin politik, vendet e Europës Lindore që janë anëtarësuar në NATO, janë konsideruar si paradhomë për në Bashkimin Europian. Në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike, Shqipëria firmosi marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, bisedat kishin filluar që në vitin 2001 apo jo, por nuk nënshkruhej marrëveshja për arsye që po t’i shpjegojmë do të duhej edhe një faqe gazete. Gjatë mandatit të qeverisë së PD-së u ratifikua marrëveshja nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Shqipëria është gati të marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe... po këtë vit të liberalizojë lëvizjen e lirë të njerëzve. Pra, për t’i rënë shkurt, anëtarë të NATO-s, kandidat për në BE, lëvizje e lirë brenda BE-së. A nuk janë këto ëndrra e çdo shqiptari, të majtë e të djathtë, apo edhe indiferent ndaj politikës? Të kthehemi edhe te çështjet konkrete. Premtuam drita 24 orë? Si është gjendja sot? Premtuam rrugë dhe a shikoni sa vepra të mëdha janë drejt përfundimit. Megjithëse do të mjaftonte vetëm rruga Durrës-Kukës për ta përmendur 1000 vjet, unë po të shtoj edhe rrugën e Bregut Vlorë-Sarandë. Kush e imagjinonte që ajo rrugë do të përfundonte? U ndala vetëm tek këto dy rrugë për faktin se askush nuk ka besuar se do të mbaronin për shkak të vështirësisë, neglizhencës dhe premtimeve të pambajtura të qeverive socialiste. Nëse konsideroni pak rrugën Durrës-Kukës, rrugën e Bregut, dritat 24 orë, Shqipërinë në NATO dhe vend kandidat për BE, atëherë më mirë ta lemë këtu këtë bisedë.
Po e përsëris pyetjen: Janë një sërë problemesh që ka maxhoranca e sotme: Gërdeci, Fazlliç, ligji i Dosjeve? Sa do të ndikojnë këto çështje në votimin e 28 qershorit?
Më vjen mirë që ma kujtove këtë pyetje, por do të bëj një korrigjim të vogël, ju i paraqisni si probleme të maxhorancës, por në të vërtetë më shumë se të maxhorancës janë probleme të faqeve të para të një pjese të gazetave dhe jo të qytetarëve. Por si ish-ushtarak më lejo të them se për Gërdecin nëse do të ishin zbatuar rregullat dhe çdo ushtarak apo punonjës civil të ishte përpjekur së paku të ishte në rregull me veten dhe ligjin, Gërdeci nuk do të ndodhte. Por për fat të keq ajo fatkeqësi ndodhi. Ajo që kishte në dorë të bënte qeveria ishte të reagonte shpejt për t’i ardhur në ndihmë të prekurve nga kjo tragjedi dhe për të inkurajuar një hetim të shpejtë dhe të drejtë. Të dyja këto gjëra qeveria i ka bërë dhe deri më sot nuk kam dëgjuar asnjë zë, madje me gjithë gazetat e shumta nuk kam lexuar ndonjë rresht se nuk janë bërë këto gjëra.
Prokuroria i ka kapur nga bishti gjërat dhe jo nga koka - thotë së fundi ish-presidenti Moisiu për çështjen e Gërdecit. Komenti juaj?
Epo nëse zoti Moisiu ka bërë hetim të pavarur dhe i di fajtorët, atëherë duhet t’i thotë, sepse kjo e ndihmon shumë edhe Prokurorinë mes të tjerash, por ka një frymë staliniste në këtë deklaratë. Vetëm në kohën e Stalinit dhe të Enver Hoxhës pas ndodhjes së një krimi gjendej në fillim fajtori dhe pastaj bëhej hetimi që do të zbulonte krimin. Më vjen keq për deklarata të tilla që bëhen nga një ish-kryetar shteti. Hetimi është një çështje ekskluzive e Prokurorisë, por me njohuritë e pakta në këtë fushë them se hetimi është i plotë, i gjithanshëm dhe bëhet në çdo detaj. Në një anë themi që nuk i duhet ndërhyrë Prokurorisë, në anën tjetër kërkojmë jo vetëm t’i përcaktojmë pistat e hetimit, por edhe t’i gjejmë fajtorët!!! Ne themi të ndërtojmë shtet ligjor dhe jo të kthehemi te gjykatat popullore me një jurist dhe dy ndihmës gjyqtarë nga populli.
Gjykata Kushtetuese mori një vendim për pezullimin e ligjit të Dosjeve. Me këtë vendim a mendoni se ka shkuar dëm gjithë ky investim i maxhorancës për javë e muaj të tërë?
Aspak. Kinezët kanë një proverb që mbase nuk është i përshtatshëm, por po e them: “Kur të kthehesh në shtëpi në mbrëmje gjëja e parë që duhet të bësh është të rrahësh gruan, se edhe nëse nuk e di ti se çfarë ka bërë e di ajo”. Unë personalisht jam i bindur se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i shkon për shtat kësaj thënie. Ne kemi një hipokrizi si shoqëri, të gjithë në kafe flasin se Gjykata Kushtetuese kishte konflikt interesi, sepse një njeri nuk mund të gjykojë për veten, të gjithë përmendin emrat e Fehmi Abdiut dhe Fehmive të tjerë dhe publikisht flasin për ligjin dhe Kushtetutën. Ku është morali këtu? U shua gjyqësori shqiptar nëse nuk do të jenë pjesë e tij 5-së, 10-të apo e shumta 15-të gjyqtarë që kanë dhënë vendime politike në diktaturë. Të gjithë ndërkombëtarët jo vetëm e kanë mirëkuptuar, por edhe kanë dhënë mbështetje për nevojën e ndarjes së Shqipërisë nga e kaluara. Këtë askush nuk e ka vënë në dyshim. Janë mijëra e mijëra viktima të diktaturës, janë mijëra e mijëra familje që kanë vuajtur për dekada pasojat e luftës së klasave, nuk po flasim për të shkuarën e largët, por mjafton të them se në Kukës më 1988 është varur një poet, është varur Havzi Nela, është varur në litar një njeri dhe gjykatësi që ka dhënë në atë kohë firmën në këtë vendim makabër, vendosi firmën në Gjykatën Kushtetuese për të pezulluar ligjin e dosjeve.
“Me PS dallojmë si nata me ditën për korrupsionin”
Sipas deputetit të PD-së, Fatos Hoxha, dallimi mes qeverisjes së djathtë dhe asaj të majtë në tetë vitet e kaluara, janë si nata me ditën për sa i përket luftës ndaj korrupsionit. “Për të kursyer kohën do ju adresoja të lexonit Transparencën Ndërkombëtare, institucioni më i specializuar dhe më kredibël që jep notën për luftën ndaj korrupsionit. Aty thuhet shkoqur që qeveria shqiptare është kampione me reformat e ndërmarra në luftën ndaj korrupsionit. Po t’i referohesh raporteve të po kësaj organizate në kohën kur qeverisnin socialistët, dallimi është si nata me ditën”.