SHBA, Klinton takon liderët e Kosovës, përgëzon arritjet
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Rodham Klinton, ka përgëzuar liderët e Kosovës për arritjet e tyre në vitin e parë të pavarësisë. Në konferencën për shtyp pas takimit në Departamentin e Shtetit, ajo e cilësoi Kosovën si demokracinë më të re në botë. Klinton foli pas takimit me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni. Ajo tha se në takim u diskutuan sfidat ekonomike dhe politike që shtrihen përpara për Kosovën, e cila fitoi pavarësinë nga Serbia me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Në takim u rikonfirmua përkushtimi amerikan për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe shumetnike, edhe nga administrata e Presidentit Obama. Edhe liderët kosovarë shprehën gatishmërinë për bashkëpunim me administratën e re amerikane, duke u angazhuar në përmbushjen e vizionit për një Kosovë të re, të pavarur, ku të drejtat e minoriteteve janë të garantuara. Klinton tha përpara gazetarëve se i ka uruar dy udhëheqësit për përparimin që ka bërë Kosova në vitin e saj të parë historik si një shtet i pavarur. “Jam e lumtur që pres Presidentin Sejdiu dhe Kryeministrin Thaçi, si edhe ministrin e Jashtëm, Hyseni në Departamentin e Shtetit”, nisi kështu konferencën Sekretarja amerikane e Shtetit. Duke rrëfyer për takimin me tre politikanët më të lartë të Kosovës, Sekretarja Klinton tha se, “urova Presidentin dhe Kryeministrin për përparimin e Kosovës në vitin e saj të parë historik si një shtet i pavarur dhe, është një privilegj dhe nder i madh të shohësh arritjet e shumta të Kosovës që nga vitet e tmerrshme të shtypjes dhe luftës para 10 vjetësh”, shtoi ajo, duke theksuar edhe një herë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për shtetin e ri të Kosovës. Më tej Sekretarja e Shtetit shtoi se, “diskutova me Presidentin dhe Kryeministrin mbi detyrat politike dhe ekonomike që i presin përpara si edhe nevojën për të garantuar një jetë të sigurt dhe të begatë për popullin e këtij vendi”. Duke treguar se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tej, Klinton foli edhe në emër të Presidentit Sejdiu dhe politikanëve të tjerë të pranishëm në takim. “Presidenti dhe Kryeministri paraqitën vizionin e tyre për një demokraci shumetnike, me paqe brenda vendit dhe me fqinjët e saj. Ky vizion pasqyrohet në flamurin e Kosovës, yjet e të cilit përfaqësojnë grupet e ndryshme të popullsisë: shqiptarët, serbët, romët, boshnjakët, turqit dhe të tjerët, shtëpia e të cilëve është Kosova. Theksoj se Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me partnerët evropianë do të vazhdojnë të japin mbështetje të fortë për demokracinë më të re të botës. Zoti President dhe zoti Kryeministër, jam e lumtur që ju uroj mirëseardhjen në Uashington”, përfundoi Klinton. Gjatë darkës, Sejdiu, Thaçi dhe Hyseni u takuan edhe me nënpresidentin amerikan, Joseff Biden, ku morën sërish mbështetjen amerikane për vitet e ardhshme dhe integrimin e Kosovës në struktura ndërkombëtare, duke hequr çdo dyshim mbi ndryshimin e politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës pas ardhjes së Obamës në pushtet. Kosova do ta gëzojë mbështetjen e SHBA-së.