E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë, lirohet nga akuzat ish-presidenti serb

 

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka liruar dje nga akuzat për krime lufte në Kosovë ish-presidentin serb, Milan Milutinoviç, me shpjegimin se ai nuk ishte përgjegjës për vendimet e Serbisë, por ishte kryetar i saj formal. Gjykata e dha dje verdiktin për ish-presidentin dhe pesë zyrtarë të tjerë të lartë serbë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë. Veç Milutinoviç që u shpall i pafajshëm, pesë zyrtarët e tjerë serbë kanë marrë burgim shumëvjeçar. Zëvendëskryeministri jugosllav, Nikolla Shainoviç, është dënuar me 22 vjet burgim; Dragolub Ojdaniç, ish-shef i Shtatmadhorisë së ushtrisë jugosllave është dënuar me 15 vjet burgim, gjenerali i ushtrisë, Nebojsha Pavkoviç është dënuar me 22 vjet burgim, kurse gjenerali tjetër Vladimir Llazareviç është dënuar me 15 vjet burgim. Gjykata ka vendosur për gjeneralin e policisë, Sreten Llukiç, një dënim me 22 vjet burgim. Milan Millutinoviçi dhe pesë zyrtarë të tjerë të lartë serbë janë akuzuar për zhvendosje të dhunshme, deportime, vrasje dhe përndjekje të shqiptarëve të Kosovës. Ky është verdikti i parë lidhur me krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës. Akuzat ishin përqendruar në fushatën e terrorit dhe dhunës, përfshirë këtu edhe dëbimin e rreth 800 mijë shqiptarëve nga Kosova. Gjykata rrëzoi pohimet e mbrojtjes, se shqiptarët e Kosovës kanë “ikur nga bombat e NATO-s”, duke konfirmuar se bëhej fjalë për dëbim të organizuar e të dhunshëm të popullatës shqiptare nga vendbanimet e tyre, drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›