E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, zbulohen 24 predha

 

DURRES - Një arsenal i tërë me municion artilerie është gjetur përgjatë rrugës së vjetër Thumanë-Ishëm. Bëhet fjalë për 3 copë kalibër 152 mm, 10 predha kalibër 122 mm dhe 11 copë të tjera me kalibër 100 mm. Kanë qenë fshatarët e zonës, ata që kanë dalluar se në shtratin e përroit gjendej municion artilerie. Duket se gërryerja e skarpatit nga ujërat e furishme ka rinxjerrë në dritën e diellit arsenalin vrasës. Menjëherë policia bëri izolimin e zonës. Në aksion ka hyrë edhe policia ushtarake, e cila u mor jo vetëm me sensibilizimin e banorëve ndaj këtij rreziku, por edhe me ruajtjen e distancave të sigurisë nga banesat gjatë transportit të municioneve. Më pas është sinjalizuar edhe Agjencia antieksploziv nga Tirana, e cila bëri me dije se municioni i përkiste periudhës së dytë botërore. Sasia prej 24 predhash është asgjësuar në orët e para të mëngjesit në poligonin e fshatit Jubë, pranë grykëderdhjes së Erzenit. Sipas specialistëve, pavarësisht se në pamje të parë municioni ishte i ndryshkur, në brendësi të predhave lënda shpërthyese ishte akoma aktive.         o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›