“Të nxisim debatin me të rinjtë për problemet”
Konferenca e dytë vjetore e Modelit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, ka mbledhur dje në Tiranë nxënës të shkollave të mesme të Shqipërisë. Rreth 80% e të rinjve pjesëmarrës janë vajza, duke inkurajuar kështu edhe përfshirjen dhe fuqizimin e rolit të femrës në politikëbërje. Në konferencën katërditore, të rinjtë do të simulojnë mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB, Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Çështjeve Ekonomike dhe Sociale. Ata do të luajnë rolet e përfaqësuesve diplomatikë pranë këtyre organeve dhe do të diskutojnë çështje nga axhenda aktuale e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Temat që do të preken këtë vit janë trafikimi i qenieve njerëzore, ngrohja globale dhe ndryshimet klimaterike. Në ceremoninë e hapjes se konferencës, përveç 135 studentëve, morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, John Withers, Koordinatorja Rezidente e OKB-së në Shqipëri, Gulden Turkoz-Cosslett dhe Hill Denham, Drejtor i Korpusit të Paqes, si dhe shumë përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik në Shqipëri. Gjatë prezantimit të saj, Koordinatorja Rezidente e OKB-së në Shqipëri, Turkoz-Cosslet tha se “mënyra e vetme me të cilën bota mund të shënojë progres për zgjidhjen e krizave komplekse sociale, ekonomike dhe politike, është nëse individët – ashtu si ju – diskutojnë, analizojnë dhe debatojnë thelbësisht mbi këto çështje”.
Modeli i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri është një iniciativë e përbashkët midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Korpusit të Paqes dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Ky model synon të ndërgjegjësojë të rinjtë shqiptarë dhe mësuesit mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe çështjet e politikëbërjes globale. Pjesëmarrja në një konferencë të “Modelit OKB” u jep nxënësve mundësinë për të thelluar njohuritë e tyre mbi fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke përforcuar gjithashtu aftësitë e tyre në zgjidhjen e konflikteve, të folurën në publik, lidershipin dhe negocimin. a.l