E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bombat me celular u montuan në Tiranë

• TIRANE – Nëntë bombat me celular që u sekuestruan nga policia pak ditë më parë gjatë arrestimit të katër personave, janë montuar në Tiranë.Bombat e sekuestruara gjatë operacionit “Cikloni 5”, mësohet se kanë hyrë në territorin shqiptar nëpërmjet kufirit verior në mënyrë ilegale dhe më pas janë montuar në Tiranë, në afërsi të restorant Durrësit, në rrugën “Ferit Xhajko” tek një punishte për riparimin e pajisjeve elektronike. Hysen Hyka, që punonte si teknik televizorësh, në këtë rrugë, mësohet se ka qenë edhe personi që i ka montuar minat që kishin ardhur të përgatitura në Malin e Zi. Ai u arrestua më 20 mars, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas një hetimi disa mujor të kryer nga strukturat e Antitrafikut të Policisë së Shtetit dhe strukturat e saj vartëse në Tiranë dhe Durrës. Duke qenë se ai ishte njohës i mirë i drejtimit të lëvizjes së rrymave, baterive, teknikës së elektronikës, ai kishte marrë përsipër përfundimin e punës që kishte nisur në shtetin veriperëndimor me Shqipërinë. Lënda shpërthyese ishte përgatitur dhe lidhur me bateritë e telefonave. Ato duhej të bëheshin gati për funksionim, pasi të bashkoheshin me një telefon sipas baterisë që iu përshtatej. Bashkë me të, në dyqanin e tij për riparim elektroshtëpiakesh, kryesisht televizorë dhe radio, kishte punuar edhe 46-vjeçari Ardian Moçka. Të dy këta persona janë arrestuar nga Policia e Shtetit, bashkë me Glerian Hysenin 31 vjeç dhe Shkëlqim Gjokën, 34 vjeç. Atyre policia iu kapi në flagrancë, 9 bomba me celularë, të përgatitura me lëndë plasëse tritol. Po ashtu atyre iu kap edhe një dy armë zjarri, një snajper dhe një pistoletë me zhurmëhumbës të dyja prodhime belge të markës “Browing”. Të gjithë ata akuzohen për organizim, trafikim të lëndëve plasëse dhe minave, si dhe armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake.                      d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›