E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e atentatit nga agjenti i OSS për Enver Hoxhën

• Eshtë folur gjatë, për atentatin e dështuar kundrejt Enver Hoxhës nga një agjent amerikan i OSS, (Shërbimi Sekret Amerikan përpara CIA), Thomas Stefan.Anila MemaPo aq është folur edhe për realizimin e një filmi nga regjisori Stan Dragoti, bazuar mbi historinë shqiptare, ngjarë po në Shqipëri! Për librin që bëri aq bujë në botë, i autorit Peter Lukas, një njohës i mirë i vendit të shqiponjave, me titull “Misioni amerikan në Shqipëri”, në botë është shkruar gjatë! Por këto ditë, këtë libër të shumëpritur mund ta bëni tuajin! Prej nga dje gjenden në libraritë e kryeqytetit!  Operacionet sekrete të OSS-it dhe bashkëpunimi me partizanët komunistë gjatë Luftës së Dytë Botërore vjen i shqipëruar dhe hedhur në treg nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”, e njohur tashmë për botimin e veprave të këtij autori. “Misioni amerikan në Shqipëri” është një libër i jashtëzakonshëm dhe i pari në llojin e tij. Një histori marramendëse që ka ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe është objektive. Jo vetëm se është tej mase e dokumentuar, por edhe e verifikuar në vend dhe me bashkëbisedime të gjata me dëshmitarë okularë të ngjarjeve. Autori nuk është akademik, por një gazetar veteran. Ndaj dhe na sjell një histori të pashkruar më parë; një histori të panjohur; një histori që nuk është rrëfyer ndonjëherë as për shqiptarët, as për amerikanët dhe as për kurrkënd tjetër. Ndërkohë që disa autorë anglezë (Entoni Kuejl, Rexhinald Hibert, Xhulian Emeri dhe Dejvid Smajli) kanë botuar libra mbi praninë angleze në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, asnjë amerikan nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Lukasi është i pari. Dhe rrëfimi i tij është brilant. * * *Libri i Peter Lukasit fillon me një njeri, oficerin e parë amerikan me origjinë shqiptare Thomas Stefan, një agjent i shërbimit sekret të OSS-it, i cili zbarkoi në Shqipëri më 18 nëntor 1943, për të vazhduar me përshkrimin se si u ndërtua dhe funksionoi i gjithë misioni me rreth 25 pjesëtarë në radhët e tij gjatë luftës. Lidhjet e tij me Enver Hoxhën e “divorci” me të, gjenden në këtë libër. Në faqet e fundit të veprës autori na tregon përmbledhtas fundin e misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Tiranë pas luftës, një mision që u detyrua ta linte Shqipërinë menjëherë pas luftës, duke i lënë të dy vendet pa marrëdhënie diplomatike për 45 vjet. Lukas është i paanshëm. Në vend të anshmërisë, ai na rrëfen një histori magjepsëse se si misioni amerikan i OSS-it kreu detyrën e tij në një mjedis tej mase armiqësor dhe kompleks. Këtë e vërteton fakti që ai nuk i sheh ngjarjet bardh e zi. Por është dhe hulumtues. Ai përzgjedh me kujdes të gjitha pjesët e tablosë enigmatike, historitë personale, episodet, ngjarjet historike, dokumentet arkivale, fotografi të kohës, dëshmi të shkruara, rrëfime gojore, dhe mandej i përcjell ato së toku. * * *Deri më sot, gjithçka dinin shqiptarët për rolin e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte ajo ç’ka thuhej në një tekst së tepërmi të ideologjizuar të historisë së Partisë së Punës (Komuniste) të Shqipërisë si dhe në kujtimet e shkruara nga diktatori komunist i Shqipërisë Enver Hoxha, botuar në vitin 1982 nën titullin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. Një libër i studiuesit shqiptar Arben Puto, “Nëpër analet e diplomacisë angleze”, i botuar në mesin e viteve ’80 në Tiranë, mbështetej në një burim të pasur dokumentesh arkivale të Foreign Office (Ministrisë së Jashtme Britanike), sikurse kishin bërë edhe një sërë autorësh anglezë që botuan përshtypjet e tyre personale nga përvoja në Shqipëri. Lukasi i njeh të gjitha këto vepra, por, ndryshe nga të tjerët, ai zbulon informacione që asnjë nga autorët e tjerë nuk i dinë. Dhe ai e bën këtë me shumë saktësi. Edhe autorët e tjerë kanë portretizuar Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, dy figurat qendrore në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, por askush nuk ka arritur t’i portretizojë ata me realizmin dhe me plotësinë e Peter Lukasit në këtë libër.  Përshkrimet e tij kombinohen me saktësinë e mijëra dokumenteve origjinale që janë ruajtur në Arkivat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara si dhe me rrëfimet personale të shumë individëve që kanë njohur Hoxhën dhe Shehun gjatë luftës, njerëz që Lukasi i ka intervistuar për librin e tij.  * * *Peter Lukas e tërheq lexuesin në shpellën e panoramës (Seaview) në gadishullin e Karaburunit ku shkelën së pari njerëzit e misionit amerikan të Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS). Mandej ai udhëton përmes territoreve të Shqipërisë Jugore të pushtuara nga fashistët italianë dhe nazistët, midis qyteteve dhe fshatrave popullsia e të cilave ishte thellësisht e ndarë në llogore të kundërta të luftës. Njëra palë ishin të Kuqtë (Partizanët komunistë) që luftonin kundër ushtrisë italiane dhe pushtuesve nazistë, por që njëherësh luftonin edhe ata që bashkëpunuan me ta, Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Për më tepër, Lukasi na çon në shtabin e partizanëve komunistë, në Labinot e Çermenikë, në qytetet dhe fshatrat e sapo çliruara (Berat dhe Përmet) dhe në ato ku komunistët shqiptarë kishin vendosur bazat e qeverisë së pas luftës të Shqipërisë. * * *Më vonë, Lukasi na çon drejt ngjarjes më të rëndësishme të luftës antifashiste të Shqipërisë, çlirimit të kryeqytetit, duke na përfshirë edhe ne emocionalisht në atmosferën sa dramatike aq edhe të gëzueshme të atyre ditëve. Natyrshëm, pas çlirimit të Shqipërisë rrëfimi i Lukasit na fut në atë çfarë u bë Shqipëria nën regjimin komunist të Hoxhës. Ai e bën këtë duke i treguar lexuesit se si dhe pse u përkeqësuan marrëdhëniet e Hoxhës me misionin amerikan të OSS-it, duke përshkruar pasandaj me realizëm mënyrën me të cilën Partia Komuniste e Hoxhës - udhëheqëse e Lëvizjes Nacionalçlirimtare u shndërrua në një forcë politike që vendosi një diktaturë komuniste në Shqipëri. Tragjedia qëndron në faktin që Lëvizja Nacionalçlirimtare e Hoxhës, e cila kishte luftuar kundër pushtimit fashist duke qenë në aleancë me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, përfundoi në një luftë kundër atyre që e kishin mbështetur. Sipas Peter LukaS “Enver Hoxha dhe partizanët e tij komunistë kishin qëllime të ndryshme nga anglezët dhe, më vonë, edhe nga amerikanët. Aleatët kishin një luftë për të fituar kundër gjermanëve. Hoxha gjithashtu kishte një luftë për të fituar kundër gjermanëve. Por ai zhvillonte në të njëjtën kohë edhe një luftë civile kundër Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Hoxha donte ta bënte atë luftë siç donte ai dhe jo siç donin anglezët dhe amerikanët. Hoxha toleronte amerikanët. Por ai urrente anglezët dhe nuk iu zuri besë kurrë atyre”.  “Shqipëria dhe Ballkani historikisht ishin nën sferën angleze të ndikimit. Shtetet e Bashkuara ishin një partner i ri në koalicionin ballkanik anglo-amerikan. Megjithatë, nuk mund të flitet se misioni amerikan i OSS-it në Shqipëri u vu nën komandën e anglezëve. Ndonëse njerëzit e OSS-it shpesh bashkëpunuan me kolegët e tyre anglezë të SOE-s (Drejtorisë së Operacioneve të Posaçme), shpesh ata u vunë në garë me njëri-tjetrin për mbledhjen e informacioneve sekrete. Hoxha, ndërkaq, ndërseu me shkathtësi një grup kundër-tjetrit”. “Enver Hoxha ishte një politikan që përdori me sukses instinktet e tij luftarake në betejat brenda partiake për të marrë kontrollin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Qoftë me dhelpëri, me poshtërim, apo thjesht me vrasjet prapa krahësh, Hoxha qe në gjendje t’i nxjerrë jashtë loje të gjithë kundërshtarët në betejën për pushtet dhe të sundojë për dyzetepesë vjet. Ai e kishte kuptuar që në fillim se ai që kontrollon Partinë Komuniste kontrollon ushtrinë, dhe ai që kontrollon ushtrinë sundon gjithë vendin”.Misioni Në rrëfimin e tij, “Misioni amerikan në Shqipëri”, Peter Lukas zbulon një mister dhe shfaq të vërtetën, e cila nuk është treguar ndonjëherë deri në këtë moment. Ai shfrytëzon një galeri të pasur karakteresh që veprojnë në mjedise dhe rrethana të ndryshme gjatë viteve të luftës. Ndërkohë disa aspekte që theksohen dukshëm janë se amerikanët nuk donin të ishin palë në luftën civile, në luftën brenda luftës që u zhvillua në Shqipëri gjatë pushtimit nazist. Megjithatë, amerikanët ishin të prirur të mbështesnin ata që ishin të vullnetshëm të luftonin nazistët. Dhe doli se ata që luftonin ishin komunistët. Kështu që të pesë grupet e Shërbimit Sekret të OSS-it që u dërguan në Shqipëri nga nëntori i vitit 1943 deri në mbarim të luftës u lidhën me partizanët komunistë, përderisa komunistët ishin qartësisht i vetmi grup i Rezistencës në Shqipëri i vendosur për të luftuar nazistët. Filmi Regjisori i njohur me origjinë shqiptare Stan Dragoti, ka menduar të realizojë një film me subjektin e kësaj vepre. Në fakt këtë ide ia ka shtënë ndër mend vetë autori i librit, Peter Lukas, i cili ngul këmbë se tani më tepër se 50 vjet nga vdekja e agjentit Thomas Stefan, publikimi i kësaj historie do ndikojë në rivlerësimin e figurën së tij, pasi ndihmoi Shqipërinë përgjatë Luftës së Dytë Botërore në rolin e një ure lidhëse me ekuivalenten e të tanishmes CIA (Central Intelligence Agency). Por sipas vetë regjisorit Dragoti, i cili është shprehur gjatë një interviste pak kohë më parë, ajo që e bën të mundshëm këtë film është fakti se Tom Stefan ishte i ngarkuar të vriste diktatorin komunist, Enver Hoxhën. Por Stefan nuk e bëri këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›