Vritet nga kunati 30-vjeçari
• Një 30-vjeçar mbeti i vrarë dhe e fejuara e tij e plagosur mbrëmjen e djeshme, pas një sherri me kunatin.SHKODER/ RITVAN DIBRA Ngjarja e rëndë ka ndodhur në katin e katërt të një pallati në lagjen “Kongresi i Përmetit” të Shkodrës. Sipas policisë, viktima është Ardian Muja, ndërsa 19-vjeçarja Sidorela Bushati u plagos rëndë. Iniciatori i përplasjes për vdekje është cilësuar paraprakisht Fatjon Bushati, 23 vjeç, i cili pas ngjarjes ndodhet në gjendje të rëndë depresive. Gjithçka ndodhi rreth orës 19:00, duke tronditur të gjithë banorët e pallatit. Nga hetimet e para të policisë, një sherr i një muaji më parë mes Mujës dhe kunatit të tij duket se ka paraprirë krimin. Shkak për këtë përplasje mësohet se ka qenë mospëlqimi i vëllait të vajzës për fejesën me Mujën. Kur 30-vjeçari ka trokitur mbrëmë në shtëpinë e të fejuarës, në derë ka dalë vëllai i saj, Fatjon Bushati, i cili ka nisur sërish debatin. Grindja ka precipituar në një përleshje mes dhëndrit dhe kunatit. Duke rikrijuar skenën e krimit, ekspertët e policisë thanë, se Bushati ka hyrë në shtëpi dhe ka marrë një thikë për të qëlluar mbi të fejuarin e motrës. Por në këtë moment Ardiani ka nxjerrë një pistoletë dhe ka nisur të qëllojë ndaj kunatit. Kur ka parë këtë skenë, 19-vjeçarja ka dalë me shpejtësi dhe ka hyrë në mes për t’i ndarë, por një plumb e ka lënë të plagosur. I vëllai i është hedhur 30-vjeçarit dhe ka nisur të përleshet me të, duke arritur t’i marrë armën nga dora. Disa herë ka qëlluar ndaj tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Përleshja ka alarmuar banorët e pallatit, të cilët kanë lajmëruar me shpejtësi policinë. Në momentin e arrestimit të Bushatit, ndërsa tentonte të largohej, burime nga policia e Shkodrës pohuan se ai ndodhej në gjendje të rëndë psikologjike. Më pas ata janë ngjitur në katin e katërt të pallatit dhe kanë parë viktimën me pistoletën vetëm pak centimetra larg dorës të mbuluar në gjak, ndërsa vajza ende gjallë pranë tij. Vajza është dërguar në spital, ku menjëherë i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa për të vëllanë e saj policia kërkoi ndihmën mjekësore, për shkak të gjendjes mendore. Pritet që pas përmirësimit të tij, të merret dëshmia e saktë mbi ngjarjen, ndërsa janë marrë në pyetje familjarët e tjerë për marrëdhëniet e krijuar mes dy të rinjve. Ardian MujaEmri i viktimës u përfol 6 vjet më parë, si i dyshuar në vendosjen e një sasie eksplozivi në makinën e një punonjësi policie në lagjen “Salo Halili” të Shkodrës. Pas lirimit për mungesë provash, Muja akuzoi policinë se e kishte keqtrajtuar, me qëllim të pranonte krimin. Policia nuk konfirmoi dje nëse ai ishte përfshirë në ndonjë vepër penale.