“Bombat“ me telekomandë, Shqipëria tranzit i një pjese të trafikut
16/04/2005 Prokuroria shqiptare në bashkëpunim me drejtësinë malazeze ka arritur të zbulojë gjithë rrjetin dhe funksionimin e trafikut të lëndëve plasëse në Ballkan. Hetim që u kurorëzua me kapjen e tre shqiptarëve, dy malazezëve dhe gjashtë “bombave“ me telekomandë. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se janë identifikuar edhe persona të dyshuar malazezë për implikimin e tyre në këtë rrjet. Madje, këta të fundit dyshohen si prodhuesit dhe furnizuesit e këtyre “bombave“, që dyshohet të jenë përdorur në disa atentate. Sipas Prokurorisë, tashmë është konfirmuar se prodhuesit e këtyre bombave e ushtrojnë aktivitetin e tyre kriminal në Mal të Zi. Këta të fundit, në bazë të porosive që u vijnë, dyshohet se montojnë dhe përgatisin “bombat“ artizanale me telekomandë. Një sasi jo shumë e madhe eksplozivi C4, në të cilën montohet një celular. Kur në numrin e celularit kryhet thirrje, ky aktivizon ndezjen dhe mundëson shpërthimin, thuajse e njëjtë me atë të një bombe me telekomandë. Burimet thonë se pesë të arrestuarit dyshohet të jenë pjesa e transportuesve të këtij rrjeti. Ndërsa dy malazezët Branko Raiçeviç, Altian Saloviç, dyshohet të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me furnizuesit. Burimet e akuzës pohojnë se tre shqiptarët e arrestuar; Sandër Gjinaj, Mirash Dushku dhe Rrok Pepaj, dyshohet të kenë transportuar edhe më parë lëndë plasëse të këtij lloji. Sipas Prokurorisë, Shqipëria në këtë trafik mendohet të jetë në rolin e vendit tranzit. Ndërsa Mali i Zi si vendi ku prodhohen dhe më pas shpërndahen. Ndërkaq, dyshohet se nëpërmjet Shqipërisë furnizohet një pjesë e vendeve të rajonit, ato të cilat nuk kanë kontakt gjeografik me Malin e Zi. Burimet thonë se vendi ynë ka qenë edhe vetë i goditur nga këto lloje lënde plasëse, ku vetëm kohët e fundit kanë ndodhur disa atentate dhe shpërthime që janë përdorur lëndë plasëse, të cilat janë aktivizuar me celular.