E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pasuria Kriminale, PAMECA ndërgjegjëson Policinë e Shtetit

16/04/2005  TIRANË- PAMECA i dhuron Policisë së Shtetit 1500 libra të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë. Që sot e tutje, specialistët e sektorit të Kriminalistikës, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Rendit, Florion Serjani, duhet të informohen me ndryshimet e reja që janë bërë, sidomos ato në lidhje me konfiskimin e aseteve kriminale. Në këtë aktivitet, të zhvilluar dje paradite në ambientet e Ministrisë së Rendit, merrte pjesë edhe kreu u dikasterit blu, Igli Toska, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, drejtues të misionit PAMECA dhe përfaqësues të Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë. Sipas Serjanit, Bashkimi Evropian, nëpërmjet PAMECA-s, misionit të asistencës policore në Shqipëri, ka financuar blerjen e 1500 librave të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dhe Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, të cilat, së bashku me praktikën gjyqësore, janë të azhornuara deri në tetor 2004. Këto libra do t’u dhurohen punonjësve të Drejtorisë së Policisë Kriminale dhe Drejtorisë së Krimit të Organizuar, jo vetëm për t’i ndihmuar ata në punën e tyre të përditshme. Misioni i PAMECA-s ka ndihmuar jo në pak raste Ministrinë e Rendit Publik si në pajisje logjistike, ashtu edhe në eksperiencat e pasura të vendeve perëndimore. Një ndër to përmendet Laboratori Kriminalistik në dikasterin blu. Policia angleze, gjithashtu ka asistuar në ndihmë profesionale, ndërsa autoritetet amerikane herë pas here vijnë në Tiranë për t’u konsultuar me ekspertët shqiptarë, sidomos në zhvillimin e disa dosjeve ende pa zgjidhje. Prova e fundit e Policisë Shqiptare është Brukseli, ku specialistët do raportojnë punën njëvjeçare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›