E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pas verifikimeve, “Kakami” zyrtarisht i vdekur

16/04/2005  Prokuroria e Vlorës ka vendosur të mos fillojë procedim penal rreth rubrikave të disa mediave greke, që u publikuan edhe në Shqipëri disa javë më parë, se Alfred Nebiu, i ashtuquajturi Kakami është gjallë dhe se ka inskenuar vdekjen e tij. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se këto lajme të publikuara nuk kanë dhënë indicion për fillimin e hetimit, pasi në to nuk ekzistonte asnjë provë konkrete për të vërtetuar një gjë të tillë. Burimet pohojnë se pas verifikimeve të shkrimeve dhe rubrikave televizive rreth këtij lajmi, nuk është vërejtur asnjë element provues për një fakt të tillë, që Alfred Nebiu të jetë gjallë dhe jeton në Greqi. Sipas Prokurorisë, ka dokumente zyrtare dhe prova konkrete që vërtetojnë se “Kakami” ka vdekur dhe nuk ka asnjë lloj mundësie të jetë gjallë. Burimet e organit qendror të akuzës pohuan se është e vërtetuar zyrtarisht që Alfred Nebiu është i vdekur. Ekziton deklarimi i familjarëve të tij, i siguruar në gjykatë në cilësinë e provës materiale, kur kanë pohuar para trupit gjykues se medalioni që iu gjet njërit prej viktimave ishte i Alfred Nebiut. Tjetër fakt që konfirmon se “Kakami” ka vdekur, është edhe ekspertiza mjeko-ligjore. Atëherë, ekspertët kriminalistikë kanë matur gjatësinë e kufomës së skeletizuar nga zjarri. Nga kjo matje ka rezultuar se gjatësia e skeletit ishte e njëtjë me atë të “Kakamit”, që ishte shtathedhur. Fillimisht, policia e qytetit bregdetar pohoi se do të zhvarrosej trupi që ndodhej në varrin e “Kakamit” dhe do të krahasohej ADN-ja e tij me të prindërve. Por pas kryerjes së disa verifikimeve, Prokuroria ka vendosur të mos fillojë hetim. Disa javë më parë një gazetar i televizionit grek "ANT1", kishte të dhëna se Alfred Nebiu jeton aktualisht në Athinë, pasi është parë dhe e njohin tashmë në ambientet e natës së kryeqytetit grek. Më pas lajmi vijonte me përshkrimin e "Kakamit" si një njeri që kishte organizuar një grup të njohur kriminal gjatë trazirave të vitit 1997 në qytetin e Vlorës, të akuzuar për shumë vrasje, rrëmbime, pengmarrje, vendosje gjobash etj. "Aktualisht merret me njerëz të dyshimtë dhe punon për ta në Greqi", ka vijuar kronika në “ATN1”. Më 9 shtator 1999, policia e Vlorës u njoftua se në periferi të qytetit, pas një përplasje për larje hesapesh, u gjetën Alfred Nebiu e 2 shokë të vrarë dhe të djegur plotësisht në furgonin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›