E Hënë, 2 Nëntor 2026

Granatahedhës pranë SHISH në Tropojë, vijnë te Krimet e Rënda

16/04/2005  Dyshohet për një grup të strukturuar. Versioni se mund të kenë qenë kundër zyrës së SHISH, heq kompetencat e akuzës së rrethit

Dosja hetimore për goditjet me granatahedhës pranë zyrës së SHISH-it dhe një karburanti në Tropojë, ka kaluar për kompetencë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Organi i akuzës Tropojë kishte konkluduar paraprakisht se ngjarja ishte organizuar nga një grup personash në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Nga hetimet dyshohet që personat e identifikuar operativisht si autorë të mundshëm të ngjarjes, të kenë kryer edhe më parë sulme të tjera me armë dhe konsiderohen si pjesë e një bande të strukturuar kriminale. Ky është edhe shkaku që vazhdimësia e hetimeve për këtë ngjarje do të ndiqet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Kompetenca

Prokuroria e Tropojës i ka përcjellë për kompetencë hetimesh Prokurorisë së Krimeve të Rënda materialet e dosjes për katër goditjet me granatahedhës pranë zyrave të SHISH-it në qytetin verior, të shtunën e javës së kaluar. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se nga hetimet paraprake është konkluduar se autorët e ngjarjes dyshohet të jenë pjesëtarë të një bande të strukturuar kriminale. Burimet thonë se, autorët e dyshuar, të identifikuar operativisht, mendohet të kenë kryer edhe të tjera vepra penale të ngjashme me këtë të fundit. Tjetër shkak që kjo dosje i ka kaluar për kompetencë hetimesh Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë edhe dy pistat e ngritura rreth motivit të ngjarjes. Sipas burimeve po hetohet në versionet se objektiv i goditjeve mund të ishte zyra e SHISH-it ose karburanti përballë godinës, që është pronë e Feriz Kërnajës. Nisur nga pista e parë e hetimit, ku bëhet fjalë për një institucion shtetëror të rëndësisë së veçantë, siç është godina e zyrave të SHISH-it, burimet sqarojnë se në të tilla raste është kompetenca e Krimeve të Rënda të hetojë.

Hetimi

Prokuroria po heton në dy pista të mundshme rreth ngjarjes së një jave më parë në Tropojë, nga të cilat pas mbledhjes së provave njëra do të përjashtohet. Burimet thonë se dyshohet që objekt të ketë qenë godina e SHISH-it, pasi predhat kanë qëlluar më afër saj dhe një prej tyre ka dëmtuar murin rrethues. Por, ende nuk është përjashtuar mundësia që predhat të kenë pasur si objektiv pikën e karburantit përballë, që është pronë e Kërnajave dhe i është dhënë me qira një personi të lagjes. Këtë motiv e ka dhënë zyrtarisht edhe Ministria e Rendit pas ngjarjes. Sipas burimeve të policisë, ndaj këtij karburanti është qëlluar edhe disa herë të tjera. Policia ka arritur të përcaktojë se predhat vinin nga lagjja “Kojë” në drejtim të qytetit. Gjithashtu janë identifikuar në rrugë operative edhe disa persona të dyshuar për autorësinë e ngjarjes, apo që kanë dijeni rreth saj, pohojnë burimet. Ato përfundojnë se ende nuk është arritur të sigruohet ndonjë provë konkrete për të vërtetuar autorësinë e të dyshuarve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›