E Hënë, 2 Nëntor 2026

Burrë e grua denoncojnë njëri-tjetrin për rrahje

16/04/2005  Çifti i divorcuar, dy padi penale të ndryshme në gjykatë

TIRANË – Burri rreh gruan, por edhe gruaja nuk e fal. Të dyja palët përplasen përfundimisht në gjykatë për të "fundosur" kundërshtarin. Janë intelektualë, divorcuar gati dy vjet më parë. Megjithatë problemet mes tyre janë të vazhdueshme, madje, kanë zbritur në gjykatë. Duan të hakmerren ndaj njëri-tjetrit dhe për këtë qëllim kanë bërë padi penale. Gruaja akuzon burrin për rrahje dhe e kundërta. Që të dy bashkëshortët kanë bërë padi ndaj njëri-tjetrit. Fillimisht është burri që ka bërë padi për rrahje ndaj gruas në gjykatë, duke siguruar nga mjeku edhe një raport mjeko-ligjor. Por menjëherë më pas është gruaja ajo që bën padi po për rrahje. Kjo padi regjistrohet tek gjyqtar Sokol Tona. Gruaja, sipas gjyqtarit, arrin të marrë edhe një raport mjeko-ligjor nga mjeku Sokrat Meksi. Pas fillimit të gjyqit, gruaja i ka kërkuar burrit të tërheqë padinë, pasi edhe ajo do të bënte një gjë të tillë. Kështu, profesori i inxhinierisë, J.K., që pretendonte se ishte rrahur nga gruaja, tërheq padinë. Nuk e ka bërë këtë veprim ekonomistja M.M. Ajo ka thënë në gjykatë se ka prova për të dënuar burrin e saj që e rrihte vazhdimisht. Acarimet vazhdojnë. J.K., i kundërvihet gruas. Ai bën padi direkt në gjykatë, duke pretenduar se në datën 6 janar 2004, në ambientet e shtëpsë ku banojnë në dhoma të ndara, është rrahur nga ish-bashkëshortja. J.K. shprehet në kërkesë-padinë e tij se gruaja e ka qëlluar me mjete të forta, çfarë t'i kapte dora, karrige, lodra fëmijësh, duke i shkaktuar edhe hematoma në trup. J.K. ka siguruar një raport në Spitalin Ushtarak në datën 7 janar 2004. Pas kësaj date çështja ka zbritur në gjykatë. Dosja e burrit kundër gruas është tek gjyqtari Fehmi Petku. Ndërsa ajo e gruas kundër burrit te gjyqtari Sokol Tona. Palët nuk paraqiten vetë në gjyq. Ekonomistja M.M. përfaqësohet nga avokatja Marjana Jahja. Dje gjyqtari Fehmi Petku, që kishte edhe seancën e radhës për këtë konflikt familjar, nuk e ka zhvilluar për shkak të mungesës së avokates. Ndërsa gjyqtari Sokol Tona tha se ka më shumë se një vit e gjysmë që nuk po arrin të përfundojë këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›