Pengmarrja e fëmijës tek Krimet e Rënda
LEZHE - Hetimi për pengmarrësin e 6-vjeçarit M.Prenga nga lagjja Kodër Marlecaj në Lezhë, do të kryhet nga Krimet e Rënda. Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë që u bë ditën e djeshme, Gjykata e Lezhës e la në burg Gëzim Markun, ndërsa i dha "ok" kërkesës së akuzës, që çështja të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Vetë 25-vjeçari që ndodhej në bankën e të akuzuarve i është përmbajtur deklaratës së dhënë edhe në polici. Ai pohoi para trupit gjykues, se ishte penduar për krimin që kishte kryer dhe se gjithçka e kishte bërë për t'u hakmarrë ndaj babait të fëmijës, Antin Prenga. Për këtë të fundit 25-vjeçari dyshonte se i kishte marrë të dashurën me qëllim trafikimi. Në hetim në gjendje të lirë është edhe taksisti, që transportoi Markun me fëmijën. Ai deklaroi se nuk kishte pasur dijeni për atë që kishte ndodhur. r.n