E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi i emigrantëve, Shehi: Greqia mund të ndërhyjë në votime

 

Pas kërkesave të shumta të partive politike dhe shoqërisë civile për përfshirjen në zgjedhje të emigrantëve, vjen zëri i parë kundër. Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi tha dje në një prononcim për mediat, se emigrantët nuk mund të përfshihen në procesin zgjedhor, pasi janë të gjitha mundësitë që vendet fqinj të ndikojnë në këtë votim. Duke iu referuar ndërhyrjes së elementëve të politikës greke veçanërisht në proceset zgjedhore në Himarë, kreu i LZHK-së hedh dyshime për sjelljen elektorale të emigrantëve, veçanërisht atyre në Greqi. "Ky është një komunitet për hir të mungesës së shtetit të vet është detyruar të ndërrojë emrin, kështu që nuk e ka problem as të ndërrojë votën. Janë rreth 100-150 mijë votues që përbëjnë 10-15 për qind të zgjedhësve dhe vota e tyre mund të jetë përcaktuese për fatin e politikës në Shqipëri. Vota e tyre mund të jetë e ndikuar dhe kështu mund të përcaktohet lidershipi politik nën mbikëqyrjen e fqinjëve, ndaj mendoj se kjo është prematurë dhe me rrezik për demokracinë", u shpreh Shehi. I kontaktuar nga gazeta "Panorama" lidhur me këtë çështje, Shehi tha se një problem i tillë nuk është me emigrantët shqiptarë në Itali, por kushtet teknike. "Koha ka treguar që vetëm grekët kanë pasur interesa të tilla në Shqipëri, ndërsa italianët jo. Por nga ana tjetër, kushtet teknike për të votuar edhe emigrantët që jetojnë në Itali janë thuajse të pamundura. Kjo pasi tre emigrantë janë në Milano, katër në Torino e kështu me radhë. Pra, është e pamundur që ata të votojnë", theksoi më tej Shehi. Sipas tij "e mira do të ishte që ata të votonin, pasi kanë një ndikim goxha të madh në ekonominë shqiptare, por për këto që thashë më sipas është e pamundur". Gjithsesi, me gjithë kërkesën e vazhdueshme të disa forcave politike dhe G99 për përfshirjen edhe të emigrantëve në votimet e ardhshme, duket se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë të vendosura që të paktën edhe në këtë proces zgjedhor ata të mos jenë pjesë e votimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›