E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet kambisti, dy të maskuar morën 41 mijë euro

 

SHKODER / RIDVAN DIBRA

Dy persona të "maskuar" me skafandra motori i grabisnin kambistit 41 mijë euro. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, në lagjen "Dergut" të Shkodrës. Viktimë e kësaj grabitjeje, e cila dyshohet të jetë mirorganizuar deri në detaje nga autorët, është 40-vjeçari Altin Heqimi. Kambisti është grabitur në momentin që do të hapte portën e madhe të oborrit të shtëpisë e tij. Sipas dëshmisë së dhënë në polici, 40-vjeçari kishte mbaruar punën rreth orës 20:00. Pasi mori me vete çantën me paratë, ai mbylli dyqanin e tij tek "Dollari", zonë ku ushtronte punën e përditshme si kambist. Kur i është afruar shtëpisë, Heqimi del nga makina për të hapur portën e oborrit, duke e lënë mjetin e ndezur, ashtu siç bënte zakonisht. Në këtë kohë, grabitësit vepruan. Kambisti dalloi dy persona në një motor me skafandra në kokë, të cilët u afruan nxitimthi, hapën bagazhin e makinës dhe u larguan me shpejtësi. Në përfundim të kësaj skene, kambisti u afrua me të shpejtë tek mjeti i tij. Por ai pa që në bagazhin e makinës nuk ndodhej çanta me paratë që ishin lekë shqiptare dhe valutë. Pas ngjarjes, 40-vjeçari bëri denoncim në Drejtorinë e policisë së Shkodrës. Ai deklaroi se dy grabitës të maskuar me skafandra i kishin marrë atij çantën, në të cilën ndodheshin rreth 41 mijë euro. Sipas policisë, në bazë të hetimeve që janë bazuar kryesisht edhe në deponimet e vetë të së dëmtuarit, grabitësit kanë qenë dy persona, që kanë lëvizur me një motor "skuter". Në bazë të deponimeve të tij, policia dyshon se grabitësit e kishin paramenduar me imtësi mënyrën e realizimit të kësaj grabitjeje. Ata mund të kenë studiuar më parë çdo lëvizje të kambistit, duke pasur edhe informata të sakta për orën kur dilte nga dyqani, deri te detajet e tjera të lënies ndezur të makinës në momentin kur hapte portën. Sipas policisë, dyshohet se grabitësit e kanë ndjekur më parë, derisa janë bindur për ritualin e veprimeve të 40-vjeçarit. Blutë e Shkodrës kanë shoqëruar disa persona, të cilët mund të jenë të implikuar apo kanë dijeni për këtë grabitje. Por deri tani, nuk ka ende të identifikuar si autorë të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›