E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Kalvari im prej disidenti”

24/05/2005  Flet Osvaldo Paia, kundërshtari më i njohur i regjimit të Fidel Kastros, në Kubë: “Qëkurse SHBA-ve u nevojitet Guantanamo, gjendja këtu është përkeqësuar”

... “Unë mendoj se shumë vetë nuk e dinë mirë atë që ndodh këtu. Kjo nuk është një diktaturë e së majtës. Eshtë një diktaturë dhe kaq. Sa herë që ndokush vjen këtu për t’i shtrënguar dorën, apo për të mbështetur gjoja armiqtë e tij, është njësoj sikur të presë kokën e vëllezërve tanë në burg”

Paia është një katolik, ai udhëheq lëvizjen kristiane për çlirim, si dhe afro 140 grupe klandestinë anti-Fidel. Thotë se Kuba është një shtet “ateist, madje laik, vetëm sepse është më e lehtë të nënshtrosh një popull të shkrishtëruar dhe pa shpresë”

HAVANA – Paralajmërimin Osvaldo e kish bërë: “Nuk mund t’ju them shumë gjëra, çdo fjalë përbën një rrezik”. Tani që nevojitet që ta shkruajë, intervistën, e cila tashmë i ka kushtuar përjashtimin atij që e ka bërë, kujdesi është i dyfishtë: kryetarit historik të disidencës antikastriste, që ka marrë çmimin Sakharov në 2002 dhe kandidat për Çmimin Nobel, nuk mund t’i kërkosh të artikulojë gjithë sa ka thënë. Përsenë e kishte shpjeguar ai vetë: “Jeta ime në këta tre vjet është bërë edhe më e vështirë. Qëkurse amerikanët kanë shkëputur disi vëmendjen nga Iraku dhe kanë nevojë për Gjirin e Guantanamos, Kastro bën çfarë të dojë. Eshtë kthyer në një kalvar shpirtëror, jo vetëm politik. Kanë burgosur mua dhe familjen time. Sigurimi i shtetit më ka hyrë deri edhe në dhomën e gjumit, teksa flija me time shoqe. Kontrollojnë tre fëmijët e mi, ndjekin miqtë. Kush ka kontakte me mua, humbet vendin e punës. Kanë kërcënuar madje dhe priftin e lagjes: donin të dinin ato që unë i kisha thënë kur isha rrëfyer. Kanë shkuar dhe kanë kontrolluar edhe bibliotekën time, në kërkim të titujve komprometues”. “Po të mos jenë odet që i thur Kastros, Gabriel Garsia Markez”, çdo titull kthehet në kërcënim. Paia Sardinas është 53 vjeç. Jeton kështu që kur ishte 36.

“Çfarë është Kastro, çfarë është kastrizmi, unë e kam mësuar në shkollë. Por jo për gënjeshtrat që na detyronin të studionim. Një herë, më shpëtoi një batutë mes shokësh. Diçka jo e mirë, nga ato gjëra që thuhen mes 17-vjeçarësh. Më degdisën menjëherë në Isla de Pinos, ku më lanë për tre vjet. Duke pastruar banja dhe çarë dru, dhjetë orë në ditë. Kur ime shoqe ishte shtatzënë, erdhën paramilitarët e Fidelit dhe kontrolluan gjithë shtëpinë, duke na zhdëpur në dru. Kjo është historia ime. Më ka shërbyer për të patur një besim më të fortë. Dhe qëtë tjerët të rrëfejnë më së miri historinë e tyre”.

Të tjerët, për Paian janë kundërshtarët që organizuan mbledhjen anti-Kastro, më 20 maj. Atij, nuk i pëlqejnë. “Udhëheqësit tanë janë në burgje, ata jo. Unë kam një projekt, Varelan, i cili kërkon liri shprehjeje, liri shtypi, grumbullimi, sipërmarrjeje, përveç amnistisë dhe një ligji të ri elektoral: këta disidentë janë kundër projektit. Shumë prej tyre, në të vërtetë janë kolaboracionistë të regjimit. Tre prej tyre janë qartësisht miq të policisë politike, ne kemi provat. Një lloj opozicioni i mbretit, një lëvizje që nuk mund të shkaktojë telashe. Ata janë një fyerje e vërtetë për disidentët realë”.

Paia është një katolik, ai udhëheq lëvizjen kristiane për çlirim si dhe afro 140 grupe klandestinë anti-Fidel. Thotë se Kuba është një shtet “ateist, madje laik, vetëm sepse është më e lehtë të nënshtrosh një popull të shkrishtëruar dhe pa shpresë”.

Dhe nuk kërkon të zgjatet lidhur me Marta Beatriz Roque, ekonomisten e sapoliruar nga burgu, e cila ishte iniciatorja e mbledhjes së datës 20 maj: regjimi ka kryqëzuar pronarin e shtëpisë ku u krye mbledhja, Feliz Bonne, dhe bashkëshortja e tij përfundoi në burg, por për Paian “ka shumë dyshime përreth këtyre njerëzve dhe është e vështirë t’u besohet”. Në Kubë, teorikisht, mjaftojnë 10 mijë firma qytetarësh për të paraqitur një projektligj. Projekti Varela i Paias, i injoruar nga shtypi dhe televizioni shtetëror, ka grumbulluar në pak ditë trefishin. Kur mbërriti në Ansamblenë Kombëtare për diskutim, Kastro i ndërpreu për një kohë të papërcaktuar punimet e saj dhe futi në burg 52 bashkëpunëtorë të Paias: “Për ta, askush nuk duhet të lëvizë as gishtin. Disidentët nuk ekzistojnë. Nëpër botë dëgjohet vetëm zëri i kubanëve të Majemit dhe tani, i këtyre zotërinjve, që kanë mobilizuar gazetarë dhe europarlamentarë. Nga Italia kam parë që janë vënë në lëvizje radikalët e Panelës dhe Ema Boninos, dëshironte të vinte edhe mbesa e Musolinit. Po këta parlamentarë ku jetojnë? Kështu ata bëjnë vetëm lojën e Kastros”.

Fideli është një argument, i cili ka ndarë më dysh politikën italiane... “Unë mendoj se shumë vetë nuk e dinë mirë atë që ndodh këtu. Kjo nuk është një diktaturë e së majtës. Eshtë një diktaturë dhe kaq. Sa herë që ndokush vjen këtu për t’i shtrënguar dorën, apo për të mbështetur gjoja armiqtë e tij, është njësoj sikur të presë kokën e vëllezërve tanë në burg”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›