Hiqet embargoja mbi Nitromak-un
Ushtria "heq" dorë nga bllokimi i reparteve të magazinimit të tritolit të firmës "Benchel&Enka"
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet e kryesuar nga gjyqtari i vetëm i çështjes Ilir Mustafaj, pushoi padinë civile të kompanisë "Nitromak" që magazinon në dy repartet ushtarake të marra me qira, tritolin e firmës "Benchel & Enka", pas mosparaqitjes së paditëseve.
Shkak për këtë mos paraqitje të shoqërisë "Nitromak", sipas gjykatës, është bërë marrëveshja mes saj dhe Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka hequr dorë nga vendimi i saj për bllokimin e dy reparteve ushtarake të marra me qira nga shoqëria dhe që shërbenin për magazinimin e tritolit që përdorej për hapjen e rrugës Durrës-Kukës nga firma "Benchel & Enka".
Sipas padisë që tashmë është pushuar, shoqëria "Nitromak" do vazhdojë të shfrytëzojë ambientet e repartit ushtarak të Burizanës së Krujës dhe Repartit Ushtarak 4300, që ndodhet në Qesarakë të Tiranës, për të magazinuar tritolin e importit që përdoret për ndërtimin e rrugës Durrës - Kukës.
Padia e shoqërisë "Nitromak"sh.p.k. ka nisur të shqyrtohet më 19 shtator të vitit të kaluar, ndërsa objekti i saj ishte "Detyrimi i palës së paditur që të respektojë detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Qiramarrjes numër 230/2 datë 25 janar 2008 të lidhur midis shoqërisë "Nitromak" dhe Repartit Ushtarak numër 4300, për sipërfaqen prej 200 metër katrorë që ndodhet në grup-depot në Borizanë.
Ky bllokim ka ardhur menjëherë pas arrestimit nga prokuroria të katër personave të akuzuar për përfshirje në afera korruptime përse i përket dhënies së licencës kësaj firme, si dhe favorizimi për qira të ulët, që detyroi Ministrin e Mbrojtjes që pak ditë pas arrestimit, konkretisht më 12 gusht prish kontratën me firmën "Nitromak". Për këto abuzime u arrestuan për tu lënë të lirë nga Gjykata e Lartë me masën e sigurisë "arrest shtëpie" shtetasit Shkëlzen Madanin, Kadri Sulin, Aurela Çota dhe Ferdinand Hodo.