Bombula e amortizuar i vë flakën shtëpisë, rrezikon 73-vjeçarin
Shkodër-Pakujdesia dhe amortizimi i bombulës së gazit ka sjellë djegien e një apartamenti dhe dëmtimin e një të moshuari në qytetin e Shkodrës. Qazim Avdiu 73 vjeç, ka pësuar djegie sipërfaqësore në fytyre dhe gjymtyrë nga shpërthimi i një bombule gazi 5-litërshe. I moshuari ka qenë duke përgatitur kafen e mëngjesit, kur bombula ka marrë flakë duke përfshirë brenda pak minutave dhomën ku ai jetonte. Banesa e të dëmtuarit ndodhet në katin e parë të një pallati në lagjen” Manush Alimani” të Shkodrës. Fqinjët e kanë ndihmuar 73-vjeçarin të dalë me shpejtësi nga banesa dhe i kanë dhënë ndihmën e parë. Ardhja e zjarrfikëseve ka bërë të mundur lokalizimin dhe shuarjen brenda pak minutave të flakëve. Zjarri ka shkrumbuar ato pak orendi që ndodheshin në njërën dhomë të banesës së 73-vjeçarit Avdiu, ndërkohë që i dëmtuari ndodhet në spitalin rajonal të Shkodrës jashtë rrezikut për jetën. Pallati ku ndodhet apartamenti ku ra zjarri është mbi 40-vjeçar dhe sipas forcave të mbrojtjes nga zjarri, ai përbën një rrezik jo të vogël pasi suvatimi ka rënë në një pjesë të madhe të dhomës në banesën që u dogj nga flakët.