Bonano: Nga Shqipëria e tim eti ka mbetur vetëm zemra
Alma Mile
Nga Shqipëria e babait të tij ka mbetur shumë pak. çdo gjë reflekton dëshirën për t’u zhvilluar dhe për të kapur kohën e humbur. Që kur ka zbuluar kulturën shqiptare, kritiku italian i artit, Pino Bonanno nuk bën tjetër veçse mendon se si t’ua tregojë edhe të tjerëve “zbulimin” e tij. Prej tre vitesh zhvillon takime, thur projekte dhe së shpejti do të vërë në jetë disa syresh. Në një intervistë Bonanno tregon lidhjen e tij me Shqipërinë, qysh me rrëfimet e të atit, që ka qenë në Tiranë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si e sheh zhvillimin e artit shqiptar dhe këshillat për t’i shpëtuar shuarjes së identitetit. çfarë e lidh një kritik italian me Shqipërinë?
Së pari nga një raport human shumë i fortë, plot ndjeshmëri e respekt intelektual, që ekziston mes meje dhe një artisti shqiptar, piktorit Ziso Kamberaj. Por është edhe dashuria për kulturën shqiptare, për të cilën unë dija pak, madje thuajse asgjë. Mendoja se isha injoranti i vetëm i Italisë, por kur nisa të mësoj mbi kulturën shqiptare, fillova të kërkoj, të njoh muzikën, letërsinë, artin viziv e t’i flisja për to operatorëve kulturorë italianë, institucioneve, etj, kuptova që kjo injorancë është e madhe, e paimagjinueshme. E di se ka pasur shumë probleme, që kanë shtyrë që kjo kulturë të mos njihej, por ka pasur edhe një mungesë interesimi nga ana e historianëve, studiuesve. Nuk kemi mundur të lexojmë tekste të rëndësishme të shkrimtarëve të njohur shqiptarë, sepse përkthimet janë të pakta. Kadare në Itali është i përkthyer në 4-5 tituj, shumë pak për një autor që ka qenë kandidat disa herë për çmimin Nobel. Mua që më intereson poezia, për të gjetur një libër në italisht të Kadaresë, kam porositur në Zvicër. Këto janë problemet e komunikimit. Prandaj po përgatitem të bëj diçka.
ç’mund të na thoni më konkretisht për projektet tuaja?
Nuk më intereson të sjell kulturën italiane në Shqipëri. E di që jeni shumë të zotët dhe gati të gjithë dini të flisni e të lexoni italisht, kështu që do të shtoja vetëm gjëra që i njihni. Jam i interesuar të njoh dhe të përhap kulturën shqiptare, të realizoj aktivitete që të njihet në Itali dhe në Evropë. është kjo për të cilën po punoj prej tre vitesh. Po punoj për organizimin e një festivali të letërsisë shqipe në Itali me ndihmën e Visar Zhitit, që po bën një punë shumë të mirë si atashe kulturor në Ambasadën shqiptare në Itali. Do të vazhdojmë aktivitetet për promovimin e artit pamor dhe jo vetëm piktorin Ziso Kamberaj, me të cilin kam punuar edhe në Gjermani, Austri, Spanjë, Itali, por dhe me të tjerë artistë të tjerë shqiptarë. Po punoj edhe për një projekt bashkëpunimi mes institucionesh kulturore dhe akademike italiane me Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Kemi kryer disa takime dhe po ngremë një projekt, sipas të cilit studentët shqiptarë të kryejnë mastera në akademitë evropiane. Janë mastera që do t’u japin atyre mundësinë të përfshihen në projekte të ndryshme në Itali, apo bashkëpunim me galeri private në Itali. Shpresoj të organizoj një ekspozitë me një artist shqiptar në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe kjo ekspozitë të xhirojë në galeritë e Evropës, Italisë, Vjenës, Parisit, etj,
Ju thatë se nuk dinit asgjë mbi Shqipërinë, ç’përshtypje ju la kur e vizituat?
Kisha një kujtim nga Shqipëria që më vinte nga tregimet e tim eti, i cili në ’39-ën ishte në Shqipëri. Ai ka marrë pjesë në ndërtimin e nënstacionit elektrik të Tiranës. Ai asnjëherë nuk u përfshi me fashizmin, përkundrazi, nuk firmosi dhe iu desh të largohej. Ka qenë partizan. Kështu që në nivel gjenetik kisha këtë pasion që buronte nga tregimet e tim ati. Jam me origjinë kalabreze dhe vendi im është afër Spezana Albanese, kështu që e njoh gjuhën dhe kulturën arbëreshe, ndonëse bëhet fjalë për një traditë që vjen nga e kaluara. Kisha një njohje të urbanistikës, arkitekturës mesdhetare, gjithashtu kam vizituar vendet ish-komuniste të Evropës Juglindore dhe kur erdha për herë të parë nuk pata surpriza. Më ra në sy braktisja urbanistike, por nuk ishte një e re, por një konstatim. Kjo ishte një kosto që e kanë kaluar të gjitha vendet ish-komuniste në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Tre vjet më parë mendoja se kishte shumë punë për tu bërë, por njihja vullnetin dhe aftësitë e shqiptarëve. Kur u ktheva dy vjet më parë, mbeta i tronditur pozitivisht. Herën e parë erdha nga Rinasi, duke kaluar një rrugë plot gropa, por pas një viti aty kishte një autostradë. Pashë një aktivizim të madh urbanistik, ndërtesa, dyqane, çka tregon dëshirën e madhe për t’u rritur.
çfarë ka mbetur nga Shqipëria e tregimeve të babait tuaj?
Ka mbetur zemra, emocioni, atmosfera. Unë e di që zhvillimi e zvogëlon këtë atmosferë, këtë emocion, pasi e kemi kaluar në vitet ’60. Sot në Itali, me dëshpërim kërkojmë të rimarrim traditën. Nevoja për zhvillim ndonjëherë dëmton nevojën për të ruajtur rrënjët, traditën, identitetin. Duhet gjetur një ekuilibër mes nevojës për t’u zhvilluar dhe ruajtjes së traditës. Nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën këto. Të fshish gjithçka, tabula rasa, është një modernizim fals, provincialitet i dukshëm. Kur ne t’i kemi shkatërruar rrënjët, brezat e rinj pa të kaluar, do jenë dhe pa të ardhme, sepse nuk do të dinë ku të mbështeten. Mjerë ata që bëjnë “tabula rasa”.
Gjatë 50 viteve arti në Shqipëri iu nënshtrua rregullave të soc-realizmit dhe pas tij artistët lëvruan të gjitha rrymat, për të gjetur veten, nga sa keni parë në galeri e muze, çfarë vini re?
Rreth 50 vjet izolim ndikojnë shumë në kulturë dhe nevoja për të eksperimentuar duhet kuruar me shumë kujdes. Tranzicioni është shumë delikat. Dëshira për të renë nuk duhet kthyer në një avanguardizëm dhe eksperimentalizëm me çdo kusht. Kjo çon në shkatërrimin e identitetit. E kam parë në Itali dhe shumë vende të tjera. Ndaj dhe u them artistëve të rinj që të kenë kujdes, që të mos marrin këtë rrugë, pasi përplasesh pas murit. Vjen një moment që nuk e di se kush je. Një artist shqiptar nuk mund të jetë amerikan dhe një kinez nuk mund të jetë shqiptar. Mund të jetë një artist ndërkombëtar, por duke përdorur kulturën e vet. Nëse bëhet kjo, të hapen dyert dhe komunikon 360 gradë. Duhet të themi se arti i realizmit socialist nuk është i gjithi i “degjeneruar”, jo rastësisht tregjet thithin vepra të kësaj periudhe. Gjatë historisë ka gjithnjë diçka interesante dhe kjo duhet ruajtur, jo të shkatërrohet. Duhet kuptuar se kush ishte realizmi socialist nën ideologjinë komuniste dhe kush ishte nevoja e brendshme e artistit për të bërë të njohur në atë moment tharmin e kulturës së këtij populli. Kam parë në vendet e Lindjes shumë artistë që edhe pse bënin art të realizmit socialist, kishin një forcë të madhe shprehëse. Kur hapnin sirtarët e tyre shihja një art të madh ndërkombëtar. Pra kishte një art të dyzuar, njëri për të mos vdekur, për të mos u burgosur dhe një tjetër për të jetuar ndërgjegjen e vet dhe lirinë e mendimit. Kjo sot mund të jetohet. Por kjo liri shprehjeje nuk mund të ishte nëse nuk do të ishte kjo bazë e fortë e artit të ashtuquajtur “popullor”, apo “tradicional”. Sot, kur nuk ka më frikë, këto të dyja mund të gërshetohen bashkë. Edhe arti fashist është quajtur i degjeneruar, jo? Por ka piktorë shumë të mirë, madje Sironi në Bashkimin Sovjetik konsiderohej si nje artist komunist. Shpesh arti nuk ka nevojë për “përcaktorë”. është regjimi ai që e bën artistin të bardhë, të kuq, apo të verdhë. Artisti është gjithnjë i lirë, kur është autentik dhe nuk përdoret.
E vështirë të jetosh nga arti, jo?
është e vështirë për të gjithë. është shoqëria e tillë, por kur dikush punon shumë dhe zgjedh cilësinë, në fund fiton. Por për të arritur cilësinë duhet shumë impenjim dhe vuajtje.
Shumë bëjnë dhe kompromise..
Duhet bërë kujdes, që të bësh kompromise pa kompromentuar ndërgjegjen dhe dinjitetin. Duhet jetuar, por për këtë duhet gjetur një lloj ekuilibri. Punë do të thotë të prodhosh dhe të përhapësh kulturë. Nuk është “djallëzore” të shesësh piktura. Në shkolla, një artist i ri duhet të mësoje të bëjë art, por duhet të mësojë edhe si bëhet një ekspozitë, një katalog, apo si shitet një pikturë. Për mua të shesësh një pikturë është si të shesësh coca-cola, këpucë, apo çfarëdo lloj prodhimi tjetër. është mirë që artisti të jetojë me artin e vet dhe të mos merret me punë tjetër, pasi kjo komprometon impenjimin, cilësinë.