E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria: Procedurat e reja për përfitimin e pensionit të pleqërisë



Eljona Ballhysa
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme vendimin për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës nga organet e administratës shtetërore pas plotësimit të kushteve për pension pleqërie. Ky vendim parashikon përcaktimin e procedurës për përfitimin e pensionit të pleqërisë nga nëpunësit dhe punonjësit e administratës shtetërore dhe të agjencive në varësi duke përjashtuar subjektet private. Në bazë të këtij vendimi, organet e administratës shtetërore duhet të shqyrtojnë nëse nëpunësit e tyre i kanë përmbushur kushtet për të përfituar pension pleqërie në bazë të ligjit për sigurimet shoqërore dhe të marrin masat për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës me këta persona.
Vendimi
“Ky vendim rregullon procedurat që do të ndiqen nga organet e administratës shtetërore, të financuara tërësisht apo pjesërisht nga buxheti i shtetit, në rastet e plotësimit nga ana e nëpunësit/punonjësit të siguruar, të kushteve për pension pleqërie, në përputhje me dispozitat e ligjit ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’. Institucione të administratës shtetërore, në kuptim të këtij vendimi, janë institucionet qendrore, institucionet e varësisë si dhe ndërmarrjet e shoqëritë tregtare shtetërore. Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi të gjitha subjektet dhe individët që, pavarësisht objektit të veprimtarisë, ushtrojnë veprimtari private”, - shkruhet në vendimin e qeverisë. Sipas këtij vendimi, organet shtetërore bëjnë konfirmimin e nëpunësve që plotësojnë kushtet për pension pleqërie në bazë të dispozitave të ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” dhe më pas vendosin të ndërpresin menjëherë marrëdhëniet e punës për këtë kategori nëpunësish/punonjësish. Në bazë të ligjit për sigurimet shoqërore, në nenin 31 të tij shkruhet se “pension pleqërie të plotë përfitojnë personat e siguruar; burrat e përfitojnë në moshën 65 vjeç dhe gratë në moshën 60 vjeç, pasi të kenë plotësuar 35 vjet sigurim”. Ndërsa në nenin 31 të këtij ligji përcaktohen kushtet për të përfituar pension pleqërie të reduktuar. “Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar kur: kanë plotësuar jo më pak se 35 vjet sigurim; kanë mbushur moshën 62 vjeç për burrat e 57 vjeç për gratë; kur mosha e daljes në pension të plotë pleqërie është më e madhe se këto mosha; kur nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.
Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni është 0.6 për qind në muaj”, - shkruhet në ligjin për sigurimet shoqërore.

Pasaportat e zakonshme do të jenë të vlefshme deri në përcaktimin e një afati

Qeveria ende nuk ka vendosur se deri kur do të jenë të vlefshme pasaportat e zakonshme që janë ende në përdorim. Në një vendim të miratuar dje në Këshillin e Ministrave janë bërë disa shtesa dhe ndryshime vendimit të mëparshëm për procedurat e pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike. Kryesisht ndryshimet janë teknike, duke rregulluar disa terma në vendimin e vjetër. Ndërkohë që një pikë e këtij vendimi parashikon se pasaportat e zakonshme që janë ende në përdorim do të jenë të vlefshme deri në një afat përfundimtar që do të përcaktohet më vonë.
“Pasaportat e vlefshme, të zakonshme, do të jenë në qarkullim deri në përcaktimin e një afati përfundimtar”, - shkruhet në vendim, ndërkohë që bëhet e ditur se do të mbeten në fuqi tarifat që përdoren tani për të tërhequr një pasaportë biometrike, duke nënkuptuar se kjo tarifë do të ndryshojë në të ardhmen. “Tarifat për pajisjen dhe ripajisjen me pasaportë biometrike janë të përcaktuara në kontratën koncesionare, ratifikuar me Ligjin Nr.9972, datë 28.7.2008. Me përfundimin e kësaj kontrate, këto tarifa do të përcaktohen me akte ligjore dhe nënligjore”, - shkruhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. “Pasaporta biometrike, e zakonshme, tërhiqet pranë drejtorive dhe komisariateve të policisë. Tërheqja e pasaportës biometrike kryhet nga shtetasi ose i ngarkuari me prokurë të posaçme, ose një pjesëtar i afërt i familjes (bashkëshortja/prindi, fëmija madhor) ose kujdestari ligjor për të miturit dhe për shtetasit pa zotësi për të vepruar. Pasaporta e shërbimit dhe ajo diplomatike tërhiqet pranë zyrës përkatëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, - shkruhet në vendim.

17 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›