E Diel, 1 Nëntor 2026

Hysi: “Ministri Basha të marrë masa parandaluese kundër trafikimit të njerëzve”



Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, reagoi dje ndaj Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku i kërkoi qeverisë të marrë masa parandaluese të trafikimit të njerëzve. Në këndvështrimin e PS-së, raporti thekson se qeveria nuk përmbush as standardet më minimale për eliminimin e trafikimit.

Deklarata
“Vetëm dy ditë, pasi zëdhënësi i ministrit të Brendshëm deklaroi publikisht se trafiku i njerëzve nga Shqipëria është një trillim i opozitës, raporti i DASH-it për trafikimin e qenieve njerëzore për 2010-n edhe njëherë e rendit Shqipërinë në listën e vendeve që janë burim trafikimi i burrave, grave e fëmijëve për punë të detyruar e prostitucion”, - u shpreh Hysi, duke shtuar se “raporti thekson se ministria që drejton Lulzim Basha nuk përmbush as standardet minimale për eliminimin e trafikimit, se kjo ministri nuk u ofron mbrojtje viktimave të trafikimit që marrin guximin të bashkëpunojnë me Drejtësinë duke kompromentuar rëndë nxjerrjen përpara Drejtësisë së fajtorëve për këto krime, se në disa prej agjencive kyçe nën varësinë e kësaj ministrie ka mungesë vullneti politik në luftimin e këtij fenomeni, se korrupsioni i kudogjendur përbën një nga pengesat kryesore në parandalimin dhe luftimin e trafikimit”. Deputetja Hysi i ka bërë thirrje ministrit Basha që t’i lërë retorikat boshe për arritje të qeverisë në luftën kundër trafikimit dhe të marrë masa parandaluese. Ministri Basha do të bënte mirë të jepte llogari për këtë situatë të papranueshme dhe këtë njollë të turpshme mbi imazhin e vendit, përgjegjësia për të cilën bie para së gjithash mbi të. Përpara se të flasë për arritje të paqena, ministri i Brendshëm do të bënte mirë të shpjegonte para qytetarëve të këtij vendi se ç’masa është duke marrë për të ndihmuar viktimat e trafikut? Ai do të bënte mirë të dilte përpara publikut shqiptar e të tregonte se si po e lufton mungesën e vullnetit politik për t’i dhënë fund trafikimit?” - u shpreh Hysi.
Apeli
Në këtë kontekst, sipas Hysit, Partia Socialiste i kërkon qeverisë të lërë mënjanë retorikat lidhur me rezultatet e shkëlqyera të luftës kundër trafikimit dhe shfrytëzimit kriminal të njerëzve, fëmijëve dhe grave dhe të marrë masa konkrete për parandalimin e ndikimit të faktorëve që nxisin këto trafiqe. Gjithashtu, Hysi thekson se qeveria duhet të marrë masa reale dhe lehtësisht të matshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit, shfrytëzimit për punë të detyruar dhe aktivitete ilegale dhe të masë rezultatet e parandalimit të trafikimit me rastet reale të parandaluara dhe me numrin e viktimave të mbrojtura realisht dhe jo me rastet e proceduara dhe të dënuara.

Dade: “PS-ja pranoi draftin e ndërkombëtarëve për krizën, mungon firma e Berishës”

Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, theksoi në një prononcim për mediat se socialistët kanë pranuar draftin e propozuar nga ndërkombëtarët. Tashmë, sipas saj, është firma e kreut të maxhorancës Sali Berisha që mungon në marrëveshjen e kompromisit. "Ne jemi dakord me draftin, i cili ka qenë në duart e politikës, por edhe në duart e ekspertëve respektivë, të cilët kanë punuar, janë takuar disa herë dhe që përfaqësojnë PD-në dhe PS-në. Ne kemi ardhur tani në një limit, i cili është i përputhshëm edhe në opsionet që ofrojnë vetë Bashkimi Europian dhe partnerët tanë euroatlantikë të mbështetur dhe nga SHBA. I takon Sali Berishës që të japë miratimin dhe të mos i çojë gjërat përtej caqeve", - tha Dade.
Një takim Rama-Berisha në këtë situatë mund të ishte një zgjidhje, sipas Dades, e cila thotë se kreu i socialistëve është i gatshëm në çdo moment të takojë kryeministrin Berisha. "Edi Rama është i gatshëm të takohet me zotin Berisha në çdo moment dhe në çdo situatë për sa kohë që gjithçka do të jetë në favor të zgjidhjes së krizës politike", - tha Dade. Takim i dytë i mundshëm në Strasburg me ftesën e parlamentarëve europianë mund të ndodhë, megjithëse kryesocialisti Edi Rama do të jetë në Amerikë për disa ditë në një aktivitet të Internacionales Socialiste, që nis në datën 20 qershor.

Imami: “Franca garanton mbështetje për Shqipërinë në procesin integrues të saj”

Franca do të mbështesë Shqipërinë në të gjitha proceset e saj integruese në Bashkimin Europian. Kështu e ka siguruar ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, homologu i tij francez, Herve Moren. "Ajo që me siguroi në mënyrë të përsëritur ministri Moren është mbështetja e plotë, pa dyshime, pa ekuivoke për qeverinë shqiptare në të gjitha proceset integruese, sikurse e përmenda për shkak të seriozitetit të përfshirjes, së punës, së përpjekjes, së këmbënguljes së qeverisë shqiptare për transformimin e vendit, siç e thashë ekonomik, politik, ushtarak", - deklaroi Imami.
Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Francës, si dy vende anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, po shtrihet tashmë në çështjen e sigurisë, veçanërisht në përmirësimin e teknologjisë. Dy ministrat diskutuan edhe mbi çështjen e misioneve të paqes, brenda konceptit të sigurisë kolektive, ku Shqipëria pritet të dërgojë edhe 45 trupa të tjerë në kuadër të misionit ISAF. Deri në fund të vitit në Afganistan, vendi ynë do të ketë mbi 350 ushtarakë. Ministri i Mbrojtjes, Imami, gjatë vizitës në Francë, vizitoi edhe panairin më të madh në botë për mjetet ushtarake.

17 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›