E Diel, 1 Nëntor 2026

Bonot e privatizimit, interes minimal

18/05/2010 Pavarësisht rishpërndarjes, qytetarët nuk shkojnë t’i tërheqin

Interesi i shitjes vazhdon të mbetet në normën 7 për qind

Pavarësisht se procesi i rishpërndarjes së bonove të privatizimit që janë depozituar në kompanitë investuese nga Raiffeisen Bank, interesi i qytetarëve ka qenë shumë i ulët për tërheqjen e tyre. Burime nga Ministria e Financave bënë të ditur dje se sipas të dhënave paraprake, mësohet se fluksi i qytetarëve të interesuar për tërheqjen e këtyre bonove kanë qenë mjaft i ulët. Vetëm në Tiranë dhe në disa rrethe është konstatuar një fluks relativisht i madh gjatë ditëve të para, i cili ka ardhur duke rënë çdo ditë. Duket se ky mosinteresim ka ardhur pikërisht nga vlera shumë e ulët që kanë këto letra me vlerë në tregun valutor. Sipas të dhënave të kambistëve, vlera e bonove të privatizimit në treg ishte me 7 për qind, ndërkohë që nuk ka asnjë sinjal që kjo vlerë do të rritet. Madje disa prej tyre theksonin se vlera do të vazhdojë të ulet duke kapur mesataren e shitjes që ka qenë në normën 5 për qind. Me fillimin e procesit të pagesave të legalizimeve me bono privatizimi përqindja e shitjes së tyre në tregun e këmbimit valutor u rrit ndjeshëm. Sipas procedurave të miratuara me ligj prej datës 21 mars, qytetarët po paguajnë me letra me vlerë, detyrimin e përllogaritur ndaj Agjencisë së Legalizimit dhe sipas bankave, prej ditës së parë të fillimit të këtij procesi, interesi i qytetarëve ka qenë i lartë. Ky interes dha edhe impaktin e parë në tregun e këmbimit ku pas një rënie të menjëhershme të bonove ku dje vlera në treg arriti në 12 për qind. Por ky interes ishte vetëm pak ditë, pasi vlera e truallit është në përputhje me sasinë e bonove që ka çdo familje çka ka bërë që interesi i qytetarëve të interesuar të jetë për sasi shumë të vogla. Pikërisht ky interesim në nivel të ulët ka bërë që vlera e shitjes së bonove të bjerë me të paktën 5 për qind brenda pak ditësh, ndërkohë që parashikohet që vlera të shënojë rënie të mëtejshme.

Rishpërndarja

Aktualisht ka filluar procesi i rishpërndarjes së bonove të depozituara në kompanitë investuese në Shqipëri. Ky proces, i cili ka nisur më 1 prill, do të zgjasë 7 muaj, pra deri më 30 shtator. Ndërkohë nga ana e tyre, bankat e nivelit të dytë do të raportojnë pas 30 shtatorit pranë Ministrisë së Financave për sasinë e bonove që janë shpërndarë dhe ato të mbetura.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›