Bonot e privatizimit, qeveria i zhvlerëson të treg pas nisjes së rishpërndarjes
Ervin KOÇI
Bonot e privatizimit, një instrument financiar (letër me vlerë) në duart e qytetarëve kanë pësuar një zhvlerësim drastik në javën e fundit. Ndryshe nga sa pritej, skema e qeverisë për t’i rihedhur në qarkullim këto letra me vlerë, ka rezultuar totalisht e dështuar. Aktualisht, qytetarët që i posedojnë por dhe ata që po i rimarrin pas rishpërndarje që po bën qeveria, nuk janë interesuar që t’i shesin ato për shkak të vlerës qesharake që ato kanë në treg. Po ashtu as qytetarët që duhet t’i përdornin ato për të kryer pagesat e një pjesë të objekteve që kanë për të legalizuar, nuk janë treguar të interesuar. Vetëm dje të tregun valutor, bonot e privatizimit shiteshin me 7 për qind të vlerës së tyre nga 12 për qind që ishte vetëm disa javë më parë, në një kohë që tregtarët që i merrnin dhe i shisnin, pohuan për gazetën “Albania” se, “gjatë ditëve të ardhshme përqindja e tyre pritet të bjerë më tej deri sa të dalin fare nga qarkullimi”. Por më shumë se një zhvlerësim në treg, vlera e bonove të privatizimit duke se fsheh një spekulim të madh, kjo për vetë faktin që këto letra me vlerë janë instrumente të mira për të privatizuar objekte të ndryshme shtetërore. Sipas ekspertëve të ekonomisë, “duket se është vetë shteti ai që e stimulon rënien e interesit të këtyre lloj letrave me vlerë, për më tepër që ato posedohen sot në pjesën më të madhe nga qytetarët”.
Rishpërndarja
Procesi i rishpërndarjes së bonove të depozituara në kompanitë investuese në Shqipëri ka filluar që nga data 1 prill 2010. Ky proces, do të zgjasë 7 muaj, pra deri më 30 shtator. Ndërkohë nga ana e tyre, bankat e nivelit të dytë do të raportojnë pas 30 shtatorit pranë Ministrisë së Financave për sasinë e bonove që janë shpërndarë dhe ato të mbetura. “Procedura e asgjësimit të bonove të mbetura, do të rregullohet me akt të veçantë, në përputhje me legjislacionin e fushës”,- thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Financave. Ky ligj detyron ministrinë që të kthejë bonot e privatizimit tek individët dhe për të bërë të mundur këtë, ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga shpërndarja e letrave me vlerë dhe bonot e privatizimit, shumica e të cilave nuk është futur ende në përdorim dhe pritet që së shpejti të kalojnë për procesin e legalizimeve.
Bonot
Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë, ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndara dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi. Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoreshin. Megjithatë, interesi i qytetarëve duket të jetë shumë i ulët, çka ka ndikuar edhe në vlerësimin e bonove në tregun e shkëmbimit valutor. Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më e njohura mbetet “Anglo-Adriatika”, në të cilën kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh.
BOX///////////////////////////////////////
Bonot e thesarit, BSH i uli interesat në 8.13 për qind
Interesat e bonove me afat maturimi 12 muaj të qeverisë shqiptare, në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë u ulën me 22 pikë bazë, në krahasim me ankandin paraardhës. Interesi mesatar i ponderuar ra në 8.13 për qind, interesi më i ulët i shënuar që para fillimit të krizës financiare ndërkombëtare. Arsyeja e rënies së interesave lidhet me likuiditetin e lartë të krijuar nëpër banka për shkak të rritjes së shpejtë të depozitave gjatë dy muajve të fundit. Qeveria pati kërkuar 6.6 miliardë lekë borxhe 12-mujore, por oferta e bankave qe e mjaftueshme për të mbuluar dyfishin e kërkesës së qeverisë.
Interesat e bonove 3-mujore u ulën në 5.9 për qind, duke shënuar për herë të parë në një vit interes më të ulët se 6 për qind. Tre muaj më parë, bonot 12-mujore qenë shitur për 8.91 për qind, ndërsa ato tremujore qenë shitur për 6.29 për qind. Qeveria shqiptare ka planifikuar të shlyejë 35.7 miliardë lekë interesa (rreth 350 milionë dollarë) për borxhin e brendshëm gjatë vitit 2010. Rënia e interesave të bonove redukton kështu në mënyrë të ndjeshme koston e borxhit për buxhetin e shtetit. Depozitat në sistemin bankar shqiptar u rritën me 8.9 miliardë lekë gjatë muajit mars, në krahasim me shkurtin, ndërkohë që kreditë u rritën me vetëm 2.1 miliardë lekë. Rritja shumë e shpejtë e depozitave në krahasim me kreditë, bëri që bankat të rrisnin interesin për blerjen e bonove të thesarit të qeverisë, gjë që solli edhe presion për uljen e interesave.
Eurobondi, shpresat e Shqipërisë për emetim të shpejtë ulen prej krizës greke
Tirana zyrtare nuk ka hequr dorë nga emetimi i eurobondeve dhe aktualisht po pret për përmirësimin e situatës në tregun financiar ndërkombëtar, por ndërkohë, tregu duket se po përkeqësohet. Një plan rezervë i Ministrisë së Financave parashikonte emetimin e eurobondeve brenda dy javëve të ardhshme, duke supozuar se paketa e ndihmës e FMN-së dhe BE-së për Greqinë, do të qetësonte tregjet. Në fakt, tregjet duken larg të qenët të qetësuar. Gjatë tri ditëve të fundit, interesat e bondeve të vendeve në zhvillim, (ku klasifikohet edhe Shqipëria), kanë vijuar të rriten, bursat kanë rënë dhe euro ka humbur një pjesë të konsiderueshme të vlerës së vet kundrejt monedhave të tjera. Nga ana tjetër, agjencia e lajmeve “Bloomberg” njoftoi dje se për herë të parë që nga viti 2008, posedimi i bondeve të vendeve në zhvillim po shkakton humbje për investitorët. “Rusia mund të jetë vendi i fundit në zhvillim që arriti të emetojë bonde me interesa të ulëta, për shkak se përhapja e krizës greke në botë i ka bërë bondet e vendeve të tilla jofitimprurëse për investitorët”,- tha “Bloomberg”. Agjencia citoi zëvendësministrin shqiptar të financave Nezir Haldeda, duke thënë se, Shqipëria “po monitoron tregjet” për të gjetur “kohën më të përshtatshme” për debutimin në tregun e bondeve në euro. Shqipëria kishte planifikuar fillimisht të shiste bondet në fund të prillit, por përkeqësimi i situatës në politikën e brendshme, si dhe përkeqësimi i situatës në tregun botëror, e bënë të pamundur për momentin.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 06.05.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.18%
12M 12-mujor 7.14%
6M 6-mujor 6.18%
3M 3-mujor 5.35%
1M 1-mujor 5.12%
1Ë njëjavor 4.85%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.58%
1Ë njëjavor 5.97%
o/n njëditor 5.76%
12M 12-mujor 8.80%
6M 6-mujor 7.79%
3M 3-mujor 6.93%
8 Maj 2010