E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ministri Ndoka: Prapaskenat e qeverisjes së kryeministrit Berisha

Sipas Ndokës, kreu i qeverisë nuk është sistematik në punë. Kreu i PDK-së tregon marrëdhëniet e Berishës me Topin dhe Topallin

Eljona Ballhysa
Ish-ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, në një intervistë për gazetën “Albania”, ka vendosur të zbardhë prapaskenat e qeverisjes së kryeministrit Berisha. Si është kryeministri pas dyerve të mbyllura të qeverisë, marrëdhëniet e tij me ministrat, humori qeveritar, marrëdhëniet me ministrat, por dhe me kryetaren e Kuvendit dhe Presidentin e Republikës, vijnë në këndvështrimin e një ish-ministri të kabinetit qeveritar. Ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim te kreu i qeverisë, një njeri të palodhur në punë, Ndoka tregon se Berisha është një njeri josistematik në punë. Sipas kreut demokristian, Berisha u kushton më shumë rëndësi spiunllëqeve, sesa informacioneve zyrtare. Madje Ndoka shprehet se Berisha e ka praktikë pune krijimin e strukturave paralele, duke emëruar nëpër ministri drejtorë që nuk kanë marrëdhënie të mira me ministrin, në mënyrë që të mbajë lidhjet me ta dhe të anashkalojë ministrat. Ish-ministri tregon se Berisha është një politikan që nuk e mban fjalën e dhënë dhe se për hir të pushtetit është i gatshëm të bëjë çdo lloj kompromisi.
Në kushtet e krizës politike në të cilën ndodhet vendi, sipas Ndokës, Berisha është i gatshëm të ulet në tryezë jo vetëm me Ramën, por me cilindo përfaqësues të PS-së me të cilin mund të bëjë marrëveshje që ai të vazhdojë të mbajë pushtetin. Ndoka jep shembuj konkretë të punës dhe të marrëdhënieve të tij në kohën kur ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë me kryeministrin Berisha.

Zoti Ndoka, si ish-ministër i Shëndetësisë, si një person që keni bashkëpunuar me kryeministrin Berisha, si është të punosh me të?

Kryeministri Berisha është një njeri josistematik në punën e tij. Ai priret nga politika e ditës, e çastit. Më tepër u kushton rëndësi spiunllëqeve dhe informacioneve që i vijnë nga rrugë të tjera, jozyrtare, sesa marrëdhënieve me anëtarët e kabinetit të tij. Madje, në shumicën e rasteve ai krijon struktura paralele. Gjithmonë duke u përpjekur të dublojë njerëzit, duke ua marrë atyre kompetencat, duke bashkëpunuar me njerëz poshtë ministrave, duke emëruar drejtorë në ministri që janë të padëshiruar nga ministrat dhe duke krijuar një lloj konfuzioni në organizimin e punës. Ajo që është më kryesorja për drejtimin e një qeverie, që Berisha e ka pasur defekt ndoshta nga mosnjohja e asaj detyre të rëndësishme, nga mungesa e një eksperience, e ka bërë që të jetë një njeri operativ në dukje, por problematik në punët sistematike në qeverisje. Unë kam pyetur shpeshherë edhe kolegët e mi që, nëse kryeministri konsultohet me ta, ndan mendime, jep detyra, a i ndihmon ata? Por kanë vënë re shqetësimin e njëjtë të kolegëve me shqetësimin tim. Pasi unë vërejta, gjatë periudhës që kam kryer detyrën e ministrit të Shëndetësisë, se ishin vetëm kontaktet e mia si ministër, por asnjëherë nuk gjeta mbështetje nga kryeministri. Ai nuk kishte asnjë strategji për reformimin e sistemin shëndetësor. Madje ai ishte i painformuar, nuk kishte asnjë lloj informacioni për këtë sistem. Në një kohë që kryeministrat e tjerë paraardhës thërritnin çdo javë ministrat në takime, ku merrej në analizë puna e çdo ministri, merrej informacion dhe jepeshin detyra, për fatin e keq, kjo nuk ka ndodhur me kabinetin e zotit Berisha.

Si zhvillohej një mbledhje qeverie? Ishte kjo një mbledhje formale, apo një mbledhje ku kishte debat?

Berisha mjaftohej vetëm me një mbledhje të Këshillit të Ministrave, që ishte vetëm një shfaqje mediatike, sesa një mbledhje qeverie. Në atë mbledhje mungonte debati, mungonin idetë, propozimet, diskutimet. Ajo mbledhje parapërgatitej nga stafi i ngushtë i kryeministrit dhe shumica e projektligjeve viheshin në tryezë ose 24 orë përpara mbledhjes, ose 5 minuta para mbledhjes së ministrave. Kjo është një praktikë mjaft e gabuar. Pra ministri kishte vetëm 24 orë kohë për t’u njohur me volumin e punës, që është e pamjaftueshme.

A e keni ngritur ju këtë shqetësim dhe çfarë përgjigje keni marrë?

I është kërkuar disa herë dhe është ngritur si shqetësim edhe nga ministra të tjerë, pasi nuk ka pasur kohë të mjaftueshme, por është gjetur si pretekst që për vendimet e qeverisë, që janë vendime kolegjiale, nuk mbahet përgjegjësi.

A konsultohej ai me ministrat?

Në pamje të parë duket se ajo që ka pozitive Berisha është se kur i paraqet një ide për mbarëvajtjen e punës, ai të mbështet dhe jep miratimin, pastaj ndoshta në mënyrë të nëndheshme përpiqet të dëmtojë. Unë kam tentuar ta kaloja spitalin e mushkërive në një spital universitar, pasi ka vetëm një të tillë dhe do të ishte mirë të kishte dy. Por kjo praktikë, që fillimisht u pranua nga Berisha, ka zgjatur 8 muaj në Këshillin e Ministrave duke u penguar nga njerëzit poshtë Berishës dhe ndoshta edhe me dijeninë e tij. Një reformë e tillë është bllokuar 8 muaj, ndërkohë që Berisha e kishte pranuar si propozim. Këto janë praktika jofunksionale për të cilat çdo ministër nuk flet për t’i përmirësuar, pasi ata kanë frikë mos hiqen nga kryeministri. Është krijuar një ambient ku çdo njeri u bindet urdhrave verbale të Berishës. Janë disa reforma që unë i kam nisur dhe janë bllokuar rrugës.

A është kryeministri Berisha një njeri apo politikan i fjalës së dhënë?

Mbahet si i tillë. Ai është një person për të cilin është krijuar një ide që e mban fjalën, por në të vërtetë nuk është i tillë. Është një politikan i pabesë. Atë që e thotë e shumëzon me zero sapo kthen kurrizin. Ndërsa në marrëdhënie institucionale, për mbarëvajtjen e punëve, është më ndryshe. Kurse në aspektin e një politikani është një njeri që nuk e mban fjalën e dhënë. Unë kam raste pa fund. Mund të përmend tre marrëveshjet e firmosura mes Berishës dhe PDK-së, që vetë Berisha i ka shkelur pa dhënë asnjë shpjegim.

A ka Berisha ministra të preferuar, apo besnikë, me të cilët ndan më shumë mendim se me të tjerët?

Berisha ka pasur një kabinet grupazhesh. Ministra që e kanë luftuar njëri–tjetrin, e kanë sulmuar njëri-tjetrin. Unë jam përpjekur të qëndroj larg këtyre grupeve, pasi duke pasur dhe një ministri problematike, jam përpjekur të kem marrëdhënie korrekte me të gjithë kolegët e mi. Nuk i kam vënë re këto, kush është mik me Berishën dhe kush jo.

A bën humor kryeministri Berisha në mbledhje qeverie, pas largimit të mediave, apo është një kryeministër serioz?

Po, është një njeri që bën humor, pavarësisht se bën humor kinez, që shpeshherë i detyronte ministrat që të nxirrnin dhëmbët me zor. Por është njeri që përpiqet ta çtensionojë situatën.

Kemi parë një Berishë që është takuar me ish-kryeministrin Nano, për të cilin ka deklaruar një lumë akuzash. A prisni një takim mes Berishës dhe Ramës në këtë kohë krize?

Berisha është një politikan i paskrupullt, i cili e mbush me urrejtje elektoratin shqiptar për kundërshtarin politik, siç ishte rasti me zotin Nano. Nanon ai e akuzoi dhe për vrasjen e zotit Hajdari, e ka cilësuar mafioz, kriminel, duke qenë i bindur se shumë akuza ishin artificiale, por duke manipuluar opinionin shqiptar. Ndërsa sot e shohim në një miqësi me të, duke e ndarë pushtetin me të, me një ish-kryeministër që është në emigracion. Ai asnjëherë nuk mori masa të hetojë Nanon, ashtu sikurse ka akuzuar dhe deklaruar. Ai po keqpërdor herë pas here ish-kryeministrin sipas interesave të tij politike. Ne e kemi parë zotin Nano duke bërë thirrje kundër PS-së. Përdorja apo keqpërdorja e Nanos është e vetëdijshme. Nano e shikon Berishën si kamerdare për t’u rikthyer në politikë. Por është momenti që së bashku të dalin nga politika, me turp për fatkeqësi, sepse për faj të tyre ky popull ka mbetur mbrapa.

Përsa i përket takimit me Ramën, a prisni një takim të tijin me Berishën për zgjidhjen e krizës?

Berisha takohet me çdo njeri kur është në ditë të keqe. Nuk ka kufi, nuk ka skrupuj, madje i harron të gjitha akuzat duke thënë se i ka bërë në fushatë elektorale. Në këto momente Berisha është i gatshëm të ulet me çdo lloj politikani, vetëm të vazhdojë qeverisjen e tij. Atij i intereson vetëm karrigija e kryeministrit. Nuk e ka fare problem se vendi është në krizë dhe institucionet nuk funksionojnë. Ai ka problem që të ketë 71 deputetë, që të bëjë pazare, të bëjë diversion. Ai është një njeri që mbahet mend për përçarjen e të gjitha partive shqiptare, majtas edhe djathtas, duke filluar me Shoqatën e ish-të Përndjekurve Politikë, me Ballin Kombëtar, me PDK-në, me PBDNJ-në, me çamët, me socialdemokratët, me PS-në u përpoq së fundi. Është politikan që në formimin e tij ka si moto parimin “përça dhe sundo”.

BOX
Ndoka: “Berisha ka pasur frikë se mos Topi i merrte partinë”

Sipas ish-ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, marrëdhënia e Berishës me Topin ka qenë e mistershme, por as miqësore dhe as institucionale. Kjo për shkak se Berisha, sipas Ndokës, gjithmonë ka pasur frikë se mos Topi i merrte PD-në. “Marrëdhëniet e zotit Berisha me zotin Topi janë të mistershme. Unë që i kam njohur nga afër shoh një marrëdhënie frike mes z. Berisha dhe z. Topi. Nuk ka qenë asnjëherë marrëdhënie as miqësore dhe as institucionale. Topi i ka qëndruar shumë larg Berishës. Berisha ia ka pasur frikën Topit se mos i merrte partinë. Topi nuk është përzier me klanet e pista të Berishës. Ai ka qëndruar një politikan shumë i pastër, në distancë dhe në një moment të rëndësishëm ai gjeti kohën e duhur duke u shkëputur nga bataku i PD-së dhe duke u zgjedhur president i vendit. Topin e shikonin gjithnjë si pasuesin e Berishës në PD. Por sot jemi në pozita të tjera dhe nuk dihet si do të rrjedhin ngjarjet. Por unë nuk e shikoj Topin si pasardhës të Berishës në PD, pasi grupimet në PD janë të frikshme dhe të korruptura”, - është shprehur Ndoka.

Ndoka: “Topalli, një shërbëtore e betuar e Berishës”

Përsa i përket kryetares së Kuvendit, Ndoka shprehet se Topalli është përdorur nga Berisha dhe se ajo ka zgjedhur t’i shërbejë atij për të bërë karrierë në politikë.
“Topalli është thjesht një shërbëtore e zotit Berisha. Është një njeri që futet në zyrën e Berishës dhe qëndron 2-3 orë pa e ditur pse ka hyrë dhe duke hyrë me mendtë e saj dhe duke dalë me mendtë e Berishës. Por është një politikane që është keqpërdor me vetëdije për të bërë karrierë vetëm nëpërmjet servilizmit pa kushte ndaj Berishës. Ndërsa Berisha e ka përdorur sa herë ka dashur. Ka pasur marrëdhënie të tilla që për 6 muaj nuk e ka pritur fare në zyrë. Por, me rastin e Gërdecit, Topalli mori rol përcaktues edhe ndaj zotit Berisha, për shkak se Berisha ishte në pozitë të vështirë. Ajo mbajti peng disa dokumente të dosjes së Gërdecit, ku përfshihej djali i Berishës. Por Topalli nuk ka asnjë lloj mbështetjeje. Madje as në Shkodër, pasi ajo ka dalë në balotazh në zgjedhje. Ajo e ka shkatërruar atë qytet me emërimet e saj korruptive. Por Berisha e njeh shumë mirë dhe vetëm një fjalë të thotë ai, aksionet e saj politike bien menjëherë”, - është shprehur Ndoka.

8 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›