Midhja e Butrintit, vazhdon embargoja nga BE
Midhja e Butrintit ka nisur të tregtohet por vetëm brenda vendit. Prodhuesit e saj parashikojnë rritje me disa tonë më tepër, ndërkohë që dyert e tregut europian ende nuk janë hapur për këtë produkt shqiptar. “Vitin e kaluar është prodhuar rreth 1300 tonë. Për këtë vit prodhimi parashikohet të jetë rreth 1500 tonë”,- sipas Arjan Demirit, drejtor i Ndërmarrjes së Rritjes dhe Zënies së Peshkut. Edhe pse prej tyre ekziston ambicia që midhja e Butrintit të kalojë kufijtë për eksport jashtë vendit, ende nuk janë hapur dyert e tregut europian. Demiri tha se, hapja e tregut ndërkombëtar për midhjen është thjesht një vendim politik, pasi midhja e Butrintit, ndryshe nga sa thuhet, i plotëson të gjitha kushtet për eksport. BE-ja ka vendosur një embargo ndaj midhjes së Butrintit, kur ajo eksportohet e gjallë, për shkak se në disa periudha të vitit, deti fut në liqen një sasi algash të dëmshme përtej normave të lejuara nga BE-ja. Në këto raste, mbledhja e midhjeve duhet të ndalohet deri sa niveli i algave të ulet brenda normës së lejuar. Sipas këshillave nga Brukseli, autoritetet e menaxhimit në Sarandë duhet të dëshmojnë se janë në gjendje të bëjnë analizat vazhdimisht dhe të ndalojnë mbledhjen e midhjeve sa herë që vërehet rritje tej normave e elementeve të dëmshme. Por deri tani, të gjitha rishikimet e embargos nga ana e Komisionit Europian kanë dalë në konkluzionin se sistemi i kontrollit nuk është funksional brenda standardeve të kërkuara.
8 Maj 2010