E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj u përgjigjet ndërkombëtarëve: “Transparenca na nxjerr nga greva”



PS-ja nuk tërhiqet nga kërkesa e saj për hapjen e kutive me gjithë qëndrimet që vijnë nga brenda dhe jashtë vendit. Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ka reaguar dje pas deklaratës që bëri komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, duke theksuar se “e drejta për transparencë mbështetet te Kushtetuta”. “Kjo nuk ka të bëjë me ndryshim të rezultatit, apo me vendime të Kolegjit Zgjedhor, por ka të bëjë me respektimin e një të drejte ligjore", - u shpreh deputetja Leskaj. Në emër të Partisë Socialiste, ajo ka falënderuar komisionerin Fyle për angazhimin dhe mbështetjen që u ka dhënë proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe për nxitjen që i ka bërë politikës shqiptare për zgjidhjen e krizës politike në vend. "Partia Socialiste beson se kriza është politike dhe zgjidhja duhet të vijë nga politika. Partia Socialiste mbetet e angazhuar seriozisht për zgjidhjen e krizës duke besuar që transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit do të ndihmojë Shqipërinë në plotësimin e kritereve politike të Kopenhagenit", - nënvizoi Leskaj.
Dy ditë më parë, Bashkimi Europian u ka dhënë ultimatum dy partive kryesore shqiptare duke kërkuar zgjidhjen e menjëhershme të krizës. “Mendoj se Bashkimi Europian dhe unë personalisht jemi shprehur shumë qartë për këtë çështje: Bëj thirrje te qeveria dhe opozita për përgjegjësinë e tyre të përbashkët, për një zgjidhje të bazuar në Kushtetutë dhe që të garantojë transparencën”, - tha komisioneri Fyle. Ndërkohë, në axhendën e ministrave të Jashtëm të BE-së, në takimin që do të zhvillojnë më 10-11 maj 2010, është përcaktuar edhe raundi i radhës së bisedimeve mes Shqipërisë dhe Brukselit zyrtar.

Box a
Kriza, Internacionalja Socialiste kërkon zgjidhje

Situata politike në Shqipëri është komentuar edhe nga drejtuesit e Internacionales Socialiste. Kreu i saj, Luis Ajala, i dërgoi një letër Komitetit për Europën Juglindore, në të cilën thuhet se problemet në Shqipëri kanë mbetur të pazgjidhura që nga zgjedhjet e qershorit 2009, për të cilat kërkohet sa më parë një zgjidhje demokratike. Në letrën e sekretarit të Përgjithshëm të Internacionales theksohet se si familja politike e Internacionales Socialiste, ashtu dhe ndërkombëtarët, duan të shikojnë një zgjidhje paqësore të krizës.

KËRKESA
Ngjela: “Presidenti Topi t’i japë zgjidhje krizës politike”

“Kjo është vota e lirë për demokracinë. Janë vrarë njerëz të mëdhenj në të gjithë botën. Ja pra, 200 njerëz po shkojnë drejt martirizimit të tyre për një njeri, i cili e urren popullin e vet. I drejtohem Presidentit të Republikës duke i kërkuar të marrë funksionin e tij të kryetarit të shtetit dhe t’i japë zgjidhje kërkesës për liri që i kërkon populli i tij. Kush nuk bën detyrën e tij, kush fshihet, është ai që ka vjedhur dhe shkatërruar vendin. Berisha është ai që ka krijuar një tension të tillë. Nuk ka krijuar asnjë vepër në 4 vjet e gjysmë. Krijoi një fabrikë vdekjeje që punonte me skllevër, me fëmijë të vegjël, me barut. Dhe është akoma kryeministër. Turp për të! Por turp edhe për ne që e durojmë. Ku mund të ketë një kryeministër në botë që të çojë fëmijën dhe të punojë me barut?! Unë nuk e di ku është Gërdeci. Turp për të! Por nder i madh për ju që keni dalë këtu. Shqiptarët kërkojnë dinjitet kombëtar, liri, e cila është shkallmuar nga manipulimi i votave tuaja. Ju ka grabitur votat, na ka grabitur votat. Kemi 200 mijë njerëz, të cilët po na tregojnë se nuk është e lehtë ta fitosh lirinë. Pasi ta fitojmë jam i bindur që do ta ngremë në qiell. Do të ecim përpara drejt fitores sonë. Jam i bindur, më datën 9 maj hajdeni të gjithë këtu që ta përfundojmë”.

Dokle: “Zgjidhja e krizës politike qëndron në “zgafellen e kryeministrit”

Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle, i ka cilësuar pozitive, por edhe të vonuara takimet që Presidenti i Republikës Bamir Topi zhvilloi dje me ndërkombëtarët dhe zv.kryeministrin Ilir Meta. “Në këto bisedime të kujtohet koha e humbur”, - tha Dokle, duke theksuar se opozita nuk do t’i japë fund grevës pa gjetur një zgjidhje, e cila është vetëm ajo e hapjes së kutive. “Modalitetet janë të ndryshme, por nuk ka zgjidhje pa hapur kutitë”, - nënvizoi Dokle. Sipas deputetit Dokle, zgjidhja qëndron në “zgafellen e kryeministrit”.

Kodheli: “Dialogu në tryezë fillon te hapja e kutive”

Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, deklaroi dje se opozita nuk do të kthehet mbrapsht dhe se greva e urisë do të vazhdojë. “Fillimi i diskutimeve tona në tryezë fillon te hapja e kutive. Kjo është përgjigjja jonë, që u kemi dhënë edhe Partive Popullore. Kemi 10 muaj që kemi kërkuar të dialogojmë me maxhorancën, por ky dialog duhej të ishte bazuar në vërtetësinë e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Ne kemi qenë gjithnjë të hapur për dialog, por duhen hapur kutitë që populli të shikojë ku ka shkuar vota e tij”, - tha Kodheli, duke iu përgjigjur apelit të Partive Popullore Europiane për rifillimin e dialogut para dy ditëve.

Arrestohet protestuesi i Partisë Socialiste, kundërshtoi policinë

Tiranë - Arrestohet një protestues pasi thyen xhamin e makinës së policisë dhe i kundërshton uniformat blu. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se dje, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 është marrë masa e arrestit në flagrancë ndaj shtetasit Marjan Kolpodja, 20 vjeç, lindur e banues në Barraj të Shkodrës. Arrestimi i tij është bërë sepse pas përfundimit të protestës së zhvilluar rreth orës 20:30 të dy ditëve më parë, ka thyer një xham të automjetit të policisë dhe më pas i ka kundërshtuar këto të fundit në krye të detyrës. Dosja me materiale hetimore që janë përpiluar në ngarkim të tij i janë dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “dëmtim prone”.

Fino: “Kryeministri Berisha duhet të reflektojë”

Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha të reflektojë. “Kryeministri të dalë në dritare e t’i shikojë shqiptarët që kërkojnë votën e lirë. I kam kërkuar kryeministrit të reflektojë, si socialist, si qytetar dhe si ish-kryeministër i vendit. Por, Sali Berisha ka frikë nga populli. Sot, nga ky bulevard, i rikujtoj kryeministrit që të dalë në dritare, të ngrejë grilat që i kanë zënë sytë dhe t’i shikojë shqiptarët që kërkojnë të votojnë të lirë”, - u shpreh Fino, duke shprehur mirënjohje dhe mbështetje për grevistët në çadër.

Dule: “Fundi i protestës do të jetë fitorja ndaj demokracisë”

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, iu drejtua autoriteteve ndërkombëtare në vendin tonë se idealet për të cilat po lufton opozita nuk kanë asnjë ndryshim me idealet e etërve të demokracisë. “Sot u vu në lëvizje gjithë diplomacia në vendin tonë. Dëshirojmë t’i themi ambasadorit të SHBA-ve se idealet tona nuk kanë asnjë ndryshim nga idealet që na mësuan etërit e demokracisë amerikane. Vlerat tona janë vlerat e themeluesve të Unionit Europian, për ato jemi këtu dhe për ato do të luftojmë”, - u shpreh Dule. Ai nënvizoi se fundi i protestës do të jetë fitorja ndaj demokracisë.

8 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›