E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat që shiten brenda vendit, taksa me të larta se makinat e importuara

Komisioni i Ekonomisë miraton projektligjin për taksat kombëtare


Makinat e vjetra që importohen, por edhe ato që shiten brenda vendit, do të taksohen dy herë më shumë. Makinat e përdoruara që shiten vendit do të tatohen një herë kur hyjnë në Shqipëri dhe një herë kur kalojnë nga një pronar te tjetri. Ministria e Financave ka bërë një riformulim të kësaj takse e cila bazohet tek cilindrat, tek taksa fiks e llojit të karburantit dhe

tek taksa fikse për çdo vit përdorimi. Deputetët e Komisionit të Ekonomisë, kërkuan që të bëhet emetimi për lëndët që kanë efekte negative, me qëllim që taksa të mos bazohet vetëm tek vjetërsia e automjeteve. Koefiçenti i taksës së mjeteve të përdorura do të jetë 0.5, për autoveturat dhe 0.25 për mjetet e tjera. Ndërsa taksa  e karburantit do të jetë 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Nga ana tjetër përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, sqaroi se një taksë e tillë do të vilet gjatë importimit të automjetit në Dogana. Ndërsa gjatë shitjeve brenda vendit do të vilet nga Drejtoritë rajonale të Transportit Rrugor. Të ardhurat nga taksa e importimit të mjeteve të përdoruara ka qenë 2.9 miliardë lekë, për vitin 2009. Sipas ekspertëve të Financave, me këto ndryshime në ligj, ka një pritshmëri edhe më të lartë të të ardhurave nga taksat e mjeteve.


Komisioni

Projektligji Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 Për taksat kombëtare, të ndryshuar, që u diskutua dje në Komisionin për Ekonominë dhe Financat në thelb synon rishikimin e disa taksave kombëtare dhe rregullimin e disa problemeve të konstatuara gjatë zbatimit të ligjit aktual. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave shpjegoi ndryshimet kryesore që ky projektligj propozon duke u ndalur fillimisht në heqjen e emërtimit të taksës së mjedisit dhe kalimin si taksa kombëtare të ndara të taksës së mjeteve të përdorura të transportit, taksës së karbonit për benzinën, benzolin, gazoilin dhe qymyrin, si dhe taksës së ambalazheve plastike të lëngjeve. Aplikimi i rentës minerare fikse, është një tjetër ndryshim që propozohet në projektligj, ndërkohë që do të jetë Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që do të përcaktojnë vlerën e saktë në përqindje të rentës së pasurisë minerare sipas vlerës së tregut për çdo mineral apo grup mineralesh. Deputetët vlerësuan këtë projektligj, duke nënvizuar se ky ndryshim plotëson pikërisht prioritetin qeverisës për decentralizimin fiskal dhe e cilësuan atë si një tregues të frymës së bashkëpunimit midis qeverisjes vendore dhe organeve të qeverisjes lokale. Kryetari i Komisionit, Edmond Spaho u ndal në çështjen e ndalimit të përdorimit të materialeve plastike dhe kalimit drejt materialeve të riciklueshme për ambalazhim. Sipas zotit Spaho Ministria e Financave duhet të shohë në tërësi problematikën e mjedisit dhe të krijojë mekanizma të mbrojtjes mjedisore. Anëtarët e tjerë të Komisionit gjithashtu theksuan se është shumë e rëndësishme që të hartohet një axhendë për çështjet e mjedisit, të cilat mbeten shqetësim kryesor edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Pas shqyrtimin dhe diskutimit edhe nen për nen të projektligjit, Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi kalimin e projektligjit për në seancë plenare.


Taksa e re
Taksa e re e propozuar nga Ministria e Financave parashikon një koeficient fiks prej 0.5 për çdo vit vjetërsie të makinës për autoveturat ndërsa për mjetet e tjera koeficienti do të jetë 0.25 për çdo vit prodhimi. Ky koeficient, do të përdoret edhe për llogaritjen e taksës së mjedisit për makinat që shiten brenda Shqipërisë. Pra për makinat që e kanë paguar taksën në doganë dhe poseduesit i shesin pas përdorimit për një kohë në vend. Taksa do të llogaritet si diferencë ndërmjet taksës së llogaritur në çastin e shitjes brenda vendit dhe asaj të paguar në doganë. Për formulën e re të llogaritjes së taksës së importit të mjeteve të përdorura janë bërë këshillime me ekspertë të Komisionit Evropian. Përjashtohen nga pagimi i taksës së mjeteve të përdorura të transportit në import dhe në shitje, autoveturat tip 4+1 vende dhe me cilindrat jo më shumë se 2500 kubikë kur këto mjete kalojnë në zotërim të invalidëve apo veteranëve të luftës. Projekt ligji është hartuar bazuar në rekomandimet e Komisionit Evropian se taksa e importit të mjeteve të përdorura është mbitaksë dhe nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, Ministria e Financave propozon rishikimin e mënyrës së vendosjes së kësaj takse, duke ruajtur qëllimin e kësaj takse mbrojtjen e ambientit, por edhe duke respektuar dispozitat e MSA.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›