Bonot e thesarit, bien interesat me 17 pikë në tregun bankar
Ervin KOÇI
Interesat e bonove të qeverisë me afat maturimi 12-mujor ranë me 17 pikë bazë në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë, duke shënuar një nga ndryshimet më të forta në shumë kohë. Të dhënat mbi ankandin, treguan se interesi mesatar i pranuar për bonot 1-vjeçare ishin 8.56 për qind, ndërkohë që në ankandin paraardhës ato ishin 8.73 për qind. Në krahasim me një vit më parë, bonot 1-vjeçare janë vlerësuar me 0.57 për qind më pak. Rënie u shënuan edhe në interesin mesatar të pranuar për bonot 3 dhe 6-mujore. Në ankandin e fundit, kërkesa e bankave të nivelit të dytë për blerjen e bonove e tejkaloi ofertën me 150 për qind, gjë që tregon një nivel të lartë likuiditeti të sistemit bankar. Në tetorin e kaluar, BSH-ja e uli normën bazë të interesit në ekonominë shqiptare nga 5.75 në 5.25 për qind. U deshën katër muaj që ulja e interesit bazë të sillte ulje të kostos së borxhit publik. Por shkaku kryesor i rënies së interesave duket se ka qenë vendimi i qeverisë për të pranuar më shumë blerje borxhi nga qytetarët e zakonshëm. Qeveria shqiptare paguan interesa për borxhin e brendshëm prej 410 miliardë lekësh dhe rënia e interesave të bonove të thesarit me 0.5 për qind, i kursen afërsisht rreth 15 milionë euro shpenzime në vit.
Interesi i borxhit
Bankat blejnë borxhin në bazë të interesit konkurrues, ndërsa individët në bazë të interesit mesatar. Në këtë mënyrë, borxhi ndaj individëve është edhe më i lirë. Kjo është një ndër arsyet pse u ndryshua marrëveshja dhe gjysma e borxhit u ofrua për individët. Por nga ana tjetër, kjo ofertë e MF-së ka sjellë edhe ndryshimin e destinacionit të kursimeve, nga bankat e nivelit të dytë te borxhi i qeverisë. Në një ekonomi, nuk është fort e pëlqyeshme që kursimet e qytetarëve të shkojnë për të financuar borxhin dhe jo në depozitat e bankave. Sidoqoftë, kjo lloj konkurrence dhe ulja e kërkesës për borxh, ka sjellë edhe një efekt tjetër. Norma e interesit të bonove të thesarit po pëson një ulje të vazhdueshme. Sipas ekonomistëve, ulja e interesit ka ardhur nga ulja e kërkesës së qeverisë për borxh dhe nga oferta e re që ka bërë MF-ja për të zëvendësuar borxhin e brendshëm me eurobonde. Duke qenë se pritet që brenda majit qeveria të firmosë shitjen e eurobondit mbi 300 milionë euro, atëherë edhe kërkesa për para në këtë periudha paraprake është më e vogël. Nga ana tjetër, bankat e nivelit të dytë, po mundohen të bëhen më konkurruese në krahasim me ofertën e huaj, duke ulur normat e interesit. Ulja e normave të interesit për bonot e thesarit ka një ndikim direkt në uljen e normës së interesit për depozitat e qytetarëve por edhe në uljen e normës së interesit për kreditë.
Reduktimi i kërkesës
Qeveria ka refuzuar një pjesë të kërkesës së bankave të nivelit të dytë për të blerë borxhin. Në njoftimin e fundit të BSH-së, e cila është tregtuesja e bonove të thesarit, thuhet se nga kërkesa e bankave të nivelit të dytë është pranuar vetëm 95.66 për qind. E thënë ndryshe, kërkesa për borxh e qeverisë ka qenë më e vogël se sa oferta e bankave. Në ankandin e dy javëve më parë, edhe kërkesa e individëve, të cilët marrin pjesë në ankand, nuk u pranua 100 për qind, por vetëm 84 për qind. Në ankandin e fundit, nga 40 kërkesa konkurruese, pra të bankave, u pranuan vetëm 26 kërkesa. Një situatë e tillë është parë edhe në vitin 2006-2007, kur kërkesa e qeverisë për borxh ka qenë më e vogël se sa oferta e bankave dhe individëve. Në fakt, duhet theksuar se një amendim i marrëveshjes mes MF-së dhe BSH-së, ka ndryshuar përqindjen e ofertës së bonove. Kështu në ankand 50 për qind e bonove i ofrohen individëve dhe 50 për qind bankave të nivelit të dytë. Ky ndryshim ka të bëjë më shumë me interesin e borxhit.
Minierat, kushte të reja për investitorët
Kompanitë që do të marrin në shfrytëzim një minierë do t'iu duhet të bllokojnë shuma të konsiderueshme parash në formë garancie ndaj shtetit shqiptar për rehabilitimin e zonës pas përfundimit të afatit të përdorimit sipas kontratës. Kushti në fjalë pritet të përfshihet në ligjin e ri që po hartohet për sektorin minerar në vend i cili jep një siguri më shumë për përmirësimin e infrastrukturës pas shfrytëzimit të minierave. Sipas dispozitave ligjore që pritet të konkretizohen së shpejti në një projektligj që do të kalohet për miratim në mbledhjet e ardhshme të qeverisë, përfituesi i një leje minerare duhet të derdhë garancinë financiare çdo vit në kuadër të realizimit të planit të rehabilitimit të zonës. Në këtë mënyrë ligji synon të parandalojë rastet e shfrytëzimit pa kriter të minierave ku kompani të ndryshme i braktisin ato pasi kanë marrë lejen duke lënë në mëshirë të fatit minierën por edhe hapësirën përreth saj. Kjo garanci financiare përdoret vetëm me urdhër të Ministrit të Ekonomisë në rastet kur ai e sheh të nevojshme ndërhyrjen në një zonë të caktuar. Krahas kësaj ligji synon të detyrojë edhe kompanitë që kanë kërkuar të marrin në shfrytëzim minierat e braktisura që para fillimit të punës të bëjnë rehabilitimin e zonës. Para se të marrë lejen për shfrytëzimin e një miniere investitori duhet të paraqesë pranë METE-s planin për mbylljen e saj duke parashikuar formën e rehabilitimit, si dhe investimet që parashikon të bëjë në të. Me miratimin e ligjit të ri parashikohet ngritja e një regjistri minerar të vendit kur të jenë të pasqyruara të gjithë veprimtaritë në këtë fushë. Një masë tjetër për ruajtjen e mjedisit ka të bëjë me ndalimin në mënyrë kategorike të kompanive që pas shfrytëzimit t'i përdorin ato për depozitimin e lëndëve të toksike apo mbeturinave të tjera industriale. Kjo do të arrihet edhe nëpërmjet kontrolleve të vazhdueshme që parashikohet të kryhen nga autoritete përgjegjëse si dhe përfaqësuesit e qeverisjes vendore. Duke pasur parasysh edhe një nga kërkesat kryesore të minatorëve gjatë protestave të tyre, përmirësimin e kushteve të punës, ligji iu kërkon investitorëve trajtimin e punonjësve në mënyrë të denje duke parandaluar aksidentet në punë si dhe trajnimin e vazhdueshëm të tyre.
Fullani-Jelasic, diskutohet stabiliteti financiar në rajon
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka pritur dje në një vizitë zyrtare homologun e tij serb Radovan Jelasic. Në qendër të diskutimeve në takimin e zhvilluar midis dy guvernatorëve, ka qenë stabiliteti financiar i rajonit, ku është theksuar se bashkërendimi i politikave të ndryshme makro-ekonomike do të ndihmonte më shumë në integrimin rajonal dhe atë evropian. Në këtë kuadër, guvernatorët bënë një ekspoze të zhvillimeve më të fundit makro-ekonomike në vendet përkatëse, duke u fokusuar në sfidat që këto Banka Qendrore kanë në drejtim të stabilitetit financiar dhe integrimit evropian. Një pikë tjetër e rëndësishme e diskutimit midis guvernatorëve ishte dhe thellimi i bashkëpunimit, ku aktualisht midis dy bankave është duke u zbatuar marrëveshja e bashkëpunimit teknik të nënshkruar gjatë vitit të kaluar.
Tani gjithë bizneset, pagesat e taksave on-line
Këtë muaj, 25 mijë subjekte të regjistruar në skemën e TVSH-së do të jenë të detyruar të deklarojnë on-line të gjitha taksat e tyre. vendimi hyri në fuqi në 1 janar fillimisht për kompanitë e mëdha, ndërkohë që do të shtrihet gradualisht edhe për bizneset e tjera duke përfshirë edhe subjektet e vogla private. Deri tani, deklarime on-ilne e kanë bërë 846 kompani të mëdha ndërsa priten edhe subjektet e TVSH-së. Bizneset mund të deklarohen nga zyra e tyre nëpërmjet internetit për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi të ardhurat personale, sigurimet shoqërore të punonjësve dhe tatimin mbi fitimin. Nëpërmjet deklarimeve on-line, informacioni merret në kohë reale, çka ndihmon si administratën ashtu edhe biznesin.
18 Mars 2010