Bostinaru: “Rrëzimi i propozimeve të PS-së sot në Kuvend do ti kushtonte vendit”
Zëvendëskryetari i Delegacionit për Europën Juglindore, Viktor Bostinaru, deklaroi dje se nëse maxhoranca do të rrëzojë sot në Kuvend propozimet e Partisë Socialiste, kjo do t’i kushtonte vendit. Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për stabilitet politik. Bostinaru shprehu besimin se kryeministri Sali Berisha dhe partia e tij do të ndërmarrin vendime të zgjuara për mirëfunksionimin e Parlamentit, por gjithashtu për të mirën e vendit.
Cili është mesazhi për qeverinë dhe Partinë Socialiste sot kur në Kuvend pritet të ketë votim mbi nismat e PS-së për hetimin e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të votimit?
Mesazhi im si zëvendëskryetar i Delegacionit për Europën Juglindore është i qartë si kristali: Qeveria duhet të gjeje zgjidhje. Qeveria dhe kryeministri duhet të jenë në Kuvend për të negociuar për zgjidhje politike. Unë besoj se zoti Berisha dhe partia e tij do të ndërmarrin vendime të zgjuara për mirëfunksionimin e Parlamentit, por gjithashtu për të mirën e vendit. Nëse jo, zoti Berisha duhet të jetë i përgatitur për kostot.
Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve janë hedhur poshtë propozimet e PS-së për hapjen e kutive. Sot sigurisht do të ketë një votim në Kuvend, por nëse kërkesat e saj do të rrëzohen, çfarë do të ndodhë?
Le të mos gjykojmë paraprakisht. Sepse zoti Berisha dhe partia e tij vazhdimisht në mënyrë të përsëritur i kanë premtuar Europës se ata do të gjejnë zgjidhje, se do të punojnë së bashku me Partinë Socialiste për një zgjidhje politike dhe tani është koha e duhur për ta bërë këtë. Nëse sot maxhoranca do të vendosë të refuzojë propozimet e Partisë Socialiste, kjo do t’i kushtojë. Dua të jem i qartë: do të jetë me kosto, pasi Shqipëria ka nevojë për stabilitet politik. Shqipëria ka nevojë për mbështetjen Parlamentit Europian dhe nëse nuk do ketë zgjidhje, si një anëtar i Delegacionit për Europën Juglindore nuk do të isha thjesht dhe vetëm i shqetësuar, por do ta konsideroj këtë si një dështim të angazhimeve europiane të Shqipërisë dhe konsekuencat do të jenë në përputhje me këtë. Por shpresoj ende se vendime të zgjuara do të ndërmerren nesër nga maxhoranca dhe në fund do të kemi një zgjidhje politike
18 Mars 2010