Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Ina Rama të kërkojë imunitetin e Mediut
Laureta Rryçi
Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka kërkuar dje publikisht kryeprokurores Ina Rama që t’i drejtohet Kuvendit për t’i hequr imunitetin ministrit Fatmir Mediu. Nëpërmjet një deklarate për mediat, KSHH shprehet se kryeprokurorja është e vetmja që ka hapësirën ligjore për të bërë një kërkesë të tillë. Në deklaratën për shtyp shpjegohej se ky reagim nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit vjen gjashtë muaj pas vendimit të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ky i fundit akuzohej për shpërdorim detyre për tragjedinë e Gërdecit. “Kanë kaluar afro 6 muaj nga dita kur Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me Vendimin Nr. 6, datë 14.09.2009, vendosi pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mund të vazhdojë”, - thuhet në deklaratën e djeshme.
Kërkesa
Juristët e KSHH-së kanë shkuar më tej duke argumentuar vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë. “Kjo Gjykatë ka arsyetuar se ‘organi i akuzës nuk mund të mbështetet në kërkimin e vazhdimit të gjykimit kundër të pandehurit mbi bazën e një autorizimi të lëshuar nga Kuvendi i mëparshëm, sepse ky autorizim, për nga vetë natyra e tij, është i kufizuar në kohë. Ky autorizim bie dhe zhvishet nga efektet… edhe kur i pandehuri gjatë gjykimit rifiton një mandat të rregullt parlamentar’. Në vazhdim të arsyetimit të këtij vendimi, Gjykata e Lartë është shprehur se ajo ndodhet në pamundësi për t’i kërkuar Kuvendit të Shqipërisë autorizim për vazhdimin e ndjekjes penale të të pandehurit Fatmir Mediu, sepse, sipas ligjit, të drejtën për të kërkuar këtë autorizim e ka vetëm prokurori. Vendimet e Gjykatës së Lartë, siç dihet, janë të formës së prerë”, - shpjegohet në deklaratën e KSHH-së. Më tej thuhet se Komiteti Shqiptar i Helsinkit mendon se Prokuroria e Përgjithshme, jo vetëm ka pasur e ka të gjitha mundësitë ligjore t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për miratimin e një autorizimi të ri që do të mundësonte vazhdimin e ndjekjes penale, në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë, por ajo ishte e detyruar për një veprim të tillë. Juristët shpjegojnë se në nenin 292 të Kodit të Procedurës Penale, midis të tjerave, thuhet se vendimi i pushimit për shkak të mungesës së kërkesës për autorizim për procedim nuk pengon ushtrimin e ndjekjes penale, për të njëjtin fakt dhe kundër të njëjtit person, në qoftë se më pas jepet autorizimi.
Detyrim
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke e konsideruar si detyrim këtë nismë nga ana e Prokurorisë, është i mendimit se ky institucion, në përmbushje të kompetencave të tij, duhet t’i shkojë deri në fund punës së nisur, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore për këtë qëllim. Më tej thuhet se neni 148 i Kushtetutës sanksionon se “Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit…”, dhe këtë ajo duhet ta kryejë me objektivitet, bazuar në legjislacionin në fuqi, pa pasur të drejtë të bëjë seleksionime subjektive për asnjë person, qoftë ky edhe deputet. “Duke pasur parasysh faktin se tragjedia e Gërdecit, që u shoqërua me viktima të shumta në njerëz dhe me dëme të mëdha materiale, përbën një arsye të fortë për të tërhequr vëmendjen e opinionit të gjerë, brenda e jashtë vendit, jo vetëm për faktin e ndodhur por dhe për ngarkimin me përgjegjësi penale të fajtorëve. Për këtë arsye qytetarët dhe mbarë opinioni pyesin, cili është shkaku që prokuroria vazhdon të heshtë? Ata janë veçanërisht të interesuar të dinë se çfarë e pengon Prokurorinë e Përgjithshme t’i drejtohet Kuvendit për të kërkuar autorizim të ri për ndjekjen penale të Fatmir Mediu, aq më tepër kur, jo vetëm Mediu dhe avokatët e tij janë shprehur për vazhdimin e gjykimit, meqë kjo ishte ‘në interesin e tyre’”, - thuhet në deklaratën e djeshme të KSHH-së.
Reagimi i ndërkombëtarëve për tragjedinë e Gërdecit
KSHH, në deklaratën e djeshme, thekson faktin se një çështje e tillë ka tërhequr edhe vëmendjen e ndërkombëtareve, të cilët i janë referuar asaj në vazhdimësi që nga koha e ngjarjes. Në raportin e fundit të DASH-it lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në vendin tonë, nuk lihet pa përmendur edhe çështja “Mediu”. “Janë pikërisht arsyet e përmendura më lart që e bëjnë KSHH-në të prononcohet publikisht dhe t’i sugjerojë Prokurores së Përgjithshme që në format dhe mënyrat që ajo do t’i çmojë të përshtatshme, në kuadrin e transparencës dhe interesit të opinionit publik të sqarojë pozicionimin ligjor të organit që drejton lidhur me çështjen e mësipërme”, - thuhej në deklaratë.
Akuzat zyrtare që ishin ngritur nga Prokuroria ndaj Mediut
Akuzuar për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 të K. Penal, si dhe akuzuar për veprën penale ushtarake “shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak kuadër-komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të K. P. Ushtarak dhe neni 25 i K. Penal.
Vendimi i Gjykatës së Lartë dhe reagimi i palëve
Më 14 shtator të vitit 2009, kolegjit penal të kryesuar nga Besnik Ymeraj, iu deshën më shumë se dy orë për të vendosur pushimin e çështjes pas gjykimit mbi pretendimet e palëve mbi vijimësinë e këtij procesi. Avokatët mbajtën fort si provë mandatin e deputetit të fituar më 7 shtator të këtij viti nga klienti i tyre. Ndërsa përfaqësuesit e akuzës pretenduan se heqja imunitetit ishte ende e vlefshme për sa kohë që gjykata nuk kishte dalë në një vendim të formës së prerë. Familjarët kërcënuan se do të bënin vetëgjyqësi për humbjen e të afërmve të tyre. Pas pushimit të çështjes nga Gjykata e Lartë, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, shprehet se nuk i njeh vetes asnjë lloj imuniteti, ndërsa kërkon zbardhjen e plotë dhe me transparencë tragjedisë së Gërdecit. "Nuk i njoh vetes asnjë lloj imuniteti për hetimin e kësaj çështjeje. Përfaqësuesit e mi ligjore pavarësisht nga kushtet e reja procedurale kërkuan vazhdimin e gjykimit me anë të një memo", - thuhet në deklaratën për media të Mediut. I rizgjedhur deputet e njëherazi i dekretuar nga presidenti si ministër i Mjedisit, me propozim të Berishës, Mediu theksoi se pozicioni i tij i ri nuk i jep asnjë imunitet shtesë dhe kërkon hetimin dhe gjykimin e çështjes deri në fund.
Pasojat që solli tragjedia e Gërdecit
27 persona të plagosur rëndë, të përshkruar në aneksin nr. 1, bashkëlidhur.
109 persona të plagosur lehtë nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 2, bashkëlidhur.
67 persona me dëmtime të tjera të lehta nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 3, bashkëlidhur.
61 persona të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit, të përshkruar në aneksin nr. 4, bashkëlidhur.
5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi të tyre, 13 ferma bujqësore dhe blegtorale, të përshkruar në aneksin nr.5, bashkëlidhur. Kjo vlerë dëmi është kompensuar nga shteti dhe interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.
Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 102 500 000 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv që përfshin shkatërrimin dhe dëmtimin e objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.
Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 1 323 600 354 lekë nga veprat penale të shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.
18 Mars 2010