Partia Socialiste sot në Kuvend, ultimatumi i fundit për hapjen e kutive
Pas rrëzimit të nismës së Partisë Socialiste për hapjen e kutive dy ditë më parë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Grupi Parlamentar i saj doli dje nga mbledhja me vendimin për të marrë pjesë sot në Kuvend. Socialistët vendosën të marrin pjesë në seancën e sotme me qëllim, vetëm shqyrtimin e nismave të propozuara nga opozita për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Grupi vendosi të mos qëndrojë në Parlament për çështje të tjera. Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që deri në datën 18 mars të dyja palët të gjejnë gjuhën e përbashkët të mirëkuptimit për të dalë nga kriza politike. Por, nga ana tjetër, maxhoranca ka vazhduar ofensivën e saj ndaj kutive të 28 qershorit, duke dalë me pretekstin se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk lejon hapjen e tyre.
Rrëzimi
Dy ditë më parë socialistët braktisën Komisionin e Ligjeve pas propozimeve që bënë demokratët për ndryshim të nismave të PS-së për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Anëtarësia e djathtë e Komisionit të Ligjeve rrëzoi nenin që rekomandonte hapjen e kutive, një prej kërkesave kryesore të opozitës për hetimin e zgjedhjeve të qershorit.
Partia Demokratike kërkoi të ndryshojë nenin 4 të projektligjit, që hetimi parlamentar të fokusohet në çështje të tjera, përveç materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit. Tre deputetë të PD-së, Gent Strazimiri, Eduart Halimi dhe Edi Paloka paraqitën disa propozime mbi projektligjin e PS-së për hetimin e zgjedhjeve. Demokratët propozuan që neni 4 i PS-së, që synon hapjen e kutive të votimit dhe këqyrjen e materialeve zgjedhore nga komisioni hetimor, të përfshijë një periudhë kohore prej 3 muajsh. Gjithashtu, PD-ja kërkon ndryshimin e një paragrafi në nenin 3, sipas të cilit, objekti i hetimit duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte që tregojnë qartë se çfarë hetohet. Në Nenin 1, PD-ja kërkon të bëhet një ndryshim, sipas të cilit komisionet hetimore nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështjet e gjykuara nga gjykatat e vendit, nuk mund të kenë objekt dhe as të hetojnë çështje, fakte apo kompleks faktesh për të cilat është regjistruar kallëzim penal në prokurori ose kur ato janë në shqyrtim gjyqësor.
Qëndrimi
Edhe pse maxhoranca ka shfaqur arrogancë dhe shpërfillje jo vetëm ndaj opozitës dhe ndërkombëtarëve për gjetjen e një konsensusi mes palëve, PS-ja ka bërë të qartë se pas 18 marsit do të nisë protestat nëse maxhoranca nuk jep mundësinë për hapjen e kutive. Kreu i PS-së, Edi Rama, dy ditë më parë i ka dërguar kryeministrit Sali Berisha një letër ku i kërkon të reflektojë për gjetjen e konsensusit. Rama i ka bërë thirrje kreut të Ekzekutivit të lejojë hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit përmes hapjes së kutive, duke lënë pas përgjithmonë të shkuarën e manipulimit të procesit zgjedhor. Kreu i selisë rozë thekson se hetimi i mbështetur plotësisht mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë do të përmbushë jo vetëm të drejtën e ligjshme, por edhe detyrimin e PS-së karshi zgjedhësve. Sipas tij, hetimi do të bëhet për të verifikuar zbatimin e legjislacionit gjatë një procesi zgjedhor të dyshimtë e të kontestuar. Gjithashtu, për të identifikuar problemet që duhen zgjidhur për të ardhmen duke propozuar ndryshimet përkatëse ligjore dhe për të hedhur dritë mbi përgjegjësitë eventuale për moszbatimin e ligjeve në fuqi, të cilat, ashtu siç e përcakton ligji për hetimin parlamentar, komisioni hetimor ua çon për ndjekje të mëtejshme organeve të Drejtësisë.
PBDNJ: Gjykata lejon hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive
Kreu i Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, dje nga Gjirokastra deklaroi se është pro ngritjes së komisionit hetimor për hapjen kutive. Dule nënvizon edhe nevojën e rishikimit të Kodit Zgjedhor sipas sugjerimeve të OSBE/ODIHR-it. “Për ne është i kotë i gjithë debati që zhvillohet me objekt të hapen apo të mos hapen kutitë e votimit. Përgjigjen e ka dhënë Gjykata Kushtetuese në vitin 2003. Asgjë nuk mund t’i pengojë komisionet hetimore parlamentare të marrin në hetim dhe të kërkojnë transparencë. Edhe sipas sugjerimeve të OSBE/ODIHR-it duhet të rishikojmë në aspekte të caktuara Kodin Zgjedhor”, - u shpreh Dule. Deklarata e tij pati si qëllimi denoncimin e vonesës së ndërtimit të rrugës së re Dhrimadhë - Sopik, një segment i shkurtër rrugor i financuar nga fonde të Bashkimit Europian, që lidh Sopikun, njërin prej fshatrave të krahinës së Pogonit me pikën kufitare të Drimadhës në kufirin grek.
18 Mars 2010