E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajon: “Bashkëpunimi mes palëve politike, me interes për vendin”



Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, i bëri apel dje maxhorancës dhe opozitës të tregohen të gatshme për një dialog bashkëpunues në të mirë të vendit. Fajon theksoi se bashkëpunimi mes palëve është në interes të vendit, pasi Shqipëria është në fazën finale të liberalizimit të vizave. Eurodeputetja nënvizoi se hetimi dhe masat e propozuara nga opozita duhet të arrijnë transparencën e plotë, si themeli i përmirësimeve të rëndësishme në mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet në të ardhmen për të përmbushur standardet ndërkombëtare. Vetëm në këtë mënyrë, sipas saj, do të mund të vendoset themeli i një dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës. “Përpara votimit, nesër (sot) në Parlamentin shqiptar për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor, i cili duhet të bëjë një hetim të plotë të mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, do të doja të theksoja rëndësinë e një dialogu bashkëpunues transparent dhe të përgjegjshëm mes palëve”, - tha Fajon. Përsa i përket rrugës së integrimit europian, Fajon theksoi se Shqipëria duhet të jetë efikase dhe konkrete kur vjen puna tek integriteti, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore. “Unë shpresoj sinqerisht se Parlamenti Shqiptar do ta ketë parasysh se kjo është po ashtu koha për të provuar pjekurinë politike dhe se në mënyrë të bashkuar do të arrijë një zgjidhje pozitive dhe konstruktive. Shpresoj që partitë e qeverisë shqiptare pas kthimit të opozitës në Parlament do të japin një përgjigje pozitive ndaj kërkesave të opozitës për të ngritur një komision hetimor dhe për të siguruar transparencën e zgjedhjeve për të gjitha forcat politike në Parlament çdo herë, pas zgjedhjeve lokale apo parlamentare”, - u shpreh Fajon.

18 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›