E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot e thesarit, bien interesat në 5.99 përqind

Interesat e bonove të thesarit me afat maturimi 3-mujor kanë nisur të ulen për herë të parë pas disa muajsh rritje. Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka Qendrore, vetëm një ditë më parë, interesat e bonove 3 mujore ranë në 5.99 për qind, kur në ankandin e mëparshëm, interesat për bonot me afat të njëjtë maturimi ishin 6.3 për qind. Rënia e interesit  të bonove ndodhi pak ditë pasi Banka e Shqipërisë kishte marrë vendim për uljen e normës bazë të interesit me 0.5 përqind. Por ekspertët e Bankës Qendrore thonë se është ende herët për te dhënë një vlerësim përfundimtar nëse kostoja e borxhit shtetëror ka filluar  kurbën rënëse, pas rritjes së fortë që shënoi gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar. Ata presin reagimin e tregut edhe për interesat e bonove me afat maturimi 1-vjeçar nga të cilat përcaktohen dhe normat e interesave të kredive që bankat japin për qytetarët dhe bizneset. Në ankandin e fundit të zhvilluar në janar, përpara uljes së normës së interesit, bonot njëvjeçare kapën nivelin maksimal të viteve të fundit mbi 8.95 përqind. Ekspertët thonë se presin që efekti i normës së interesit të jetë më i madh në uljen e interesit të bonove, por gjithçka do të varet nga kërkesa e qeverisë për borxh. Nëse kërkesa e qeverisë do të vazhdojë të jetë e lartë, atëherë interesat e bonove mund të mbeten në nivelet e larta aktuale, duke rrezikuar që edhe interesat e kredive për qytetarët të mbeten të larta.

Email This Klikime: 12

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›