E Diel, 1 Nëntor 2026

Bonot e thesarit do shiten nga bankat e nivelit dytë

09/04/2005  Olters, BSH duhet të shesë paralelisht me bankat e nivelit të dytë bono për individët

Shitja e bonove të thesarit për individë mund të bëhet dhe nga sportelet e bankave të nivelit të dytë, duke çliruar nga kjo “përgjegjësi” Bankën e Shqipërisë. Ideja e Guvernatorit, Fullani, është bërë publike përpara drejtuesve të bankave, të cilët, edhe pse e kanë përqafuar idenë, duket se nuk kanë qenë të gatshëm. Bonot për individët, të cilët e “ngatërruan” BSH-në në një histori pastrimi parash, tashmë duhet të gjejnë një tjetër treg, ku dhe duhet të drejtohen të gjithë ata individë që nuk përfaqësojnë banka. Por, ndërkaq, edhe pse ideja tingëllon mirë dhe nuk kundërshtohet nga askush, zbatimi nuk duket kaq i shpejtë. Problemit të infrastrukturave i shtohet dhe fakti se kalimi i bonove të thesarit nga sporteli i BSH-së tek ai i bankave të nivelit të dytë, do të shoqërohet me kosto të lartë për individët. “Nga ana e Bankës së Shqipërisë ekziston një asimetri lidhur me çështjen e komisioneve për shërbimin e shitjes së bonove të thesarit, ndërkohë që banka e Shqipërisë i shet pa komision, bankat tregtare aplikojnë komisione”, ka kujtuar në fjalën e vet, Jan Petër Olters, përfaqësues i Përhershëm i FMN-së në Tiranë. Olters ka qenë i qartë kur i ka kërkuar BSH-së të mbajë të hapura sportelet për individë, duke konkurruar paralelisht me bankat e nivelit të dytë. “Për këtë arsye, pa konkurrencën e sportelit të Bankës Qendrore, ose si një opsion për të ardhmen në Ministrinë e Financave, është e qartë se bankat do t’i shesin publikut bono thesari vetëm me një komision relativisht të lartë”, ka deklaruar Olters. Kështu, duke iu referuar eksperiencës nga vendet e tjera, përfaqësuesi i FMN-së i ka kërkuar BSH-së të marrë si shembull vendet ku individët kanë akses për të blerë në të dyja sportelet. “Në shumë vende të tjera ekziston alternativa për individët për të blerë bono thesari në sistemin bankar, ose në sportelin e autoriteteve shtetëror, ose në internet”, u shpreh Olters. Gjithsesi, Guvernatori Fullani i ka paraprirë kësaj çështje, duke deklaruar se BSH-ja nuk do të heqë dorë nga ky proces. “Dua të sqaroj individët se do të vazhdojnë të marrin pjesë në tregun primar të letrave me vlerë dhe ky treg do të vazhdojë të organizohet nga Banka e Shqipërisë“, tha Fullani. Transferta e tregut të bonove të thesarit në bankat e nivelit të dytë, jo vetëm që është një proces që kërkon kohë, por dhe shumë përgatitje nga bankat. Duket se vetëm dy apo tre banka janë të gatshme për të filluar këtë process, ndërkohë që të gjitha bankat e tjera kërkojnë kohën e tyre. Olters i ka mbrojtur bankat e papërgatitura, duke kërkuar që t’i jepet kohë nga ana e BSH-së procesit të kalimit të tregut primar të bonove dhe për bankat. “Për të forcuar besimin e një publiku hezitues në sektorin financiar, është mjaft e rëndësishme të mos surprizoni pjesëmarrësit e tregut me reforma të ngutshme dhe të paralajmëruara”, ka deklaruar Olters. Duke prezantuar idenë përpara drejtuesve më të lartë të bankave të nivelit të dytë, Fullani ka sqaruar se realizimi i një procesi tranzicioni të butë dhe me pak kosto në drejtim të ruajtjes së pjesëmarrjes së individëve në tregun primar, është tashmë një objektiv që ka marrë gjithë vëmendjen e BSH-së. „Kam parasysh lehtësimin e procedurave dhe rritjen e sigurisë për përdorimin e këtyre letrave me vlerë si kolateral nxitjen e tregut ndërbankar dhe atij të kreditit“, është shprehur Fullani. Drejtuesit e bankave të nivelit të dytë e kanë përkrahur idenë, duke premtuar se do ta vendosnin në axhendën e tyre si projekt të parë. Por ka nga ata që kërkojnë kohë për të vënë në jetë një projekt të tillë. “Kjo nuk është një gjë që mund të bëhet brenda ditës, ose brenda natës, sepse janë disa procedura për t’u zgjidhur, sepse mund të ketë banka që janë të gatshme që të operojnë, siç janë bankat e mëdha, por ne, aktualisht, nuk jemi të gatshëm, por do të marrim masat se çfarë duhet nga pikëpamja teknike, nga pikëpamja organizative dhe nga pikëpamja e funksionimit që ky blerës të largohet nga Banka e Shqipërisë të vijë tek ne dhe të mos gjejë pengesa të jenë gati”, është shprehur Edvin Libohova, drejtor i Bankës Popullore.

Çfarë duhet bërë për të kaluar bonot te bankat e nivelit të dytë

-Ministria e Financave dhe BSH-ja duhet të rishikojnë bazën rregullative që mbulon pjesën e emetimit të bonove të thesarit në formë regjistrimi

-Banka e Shqipërisë do të rishikojë rreguloren mbi tregun sekondar dhe me pakicë të bonove të thesarit në Shqipëri

-Komisioni i Letrave me Vlerë duhet të shikojë bazën rregullative që lidhet me pjesën e licensimit të regjistruesve të letrave me vlerë

-Bankat e nivelit të dytë duhet të procedojnë me Komisionin e Letrave me Vlerë, me qëllim sigurimin e licencës për mbajtjen e regjistrit të letrave me vlerë për individët Adrian Fullani

Banka e Shqipërisë pas përfundimit të këtij procesi do të përgatisë planin strategjik për kalimin e individëve nga sportelet e saj në drejtim të sporteleve të bankave të nivelit të dytë. Koha që do të ketë në dispozicion Banka e Shqipërisë, do të shfrytëzohet dhe për të testuar paraprakisht mendimin e investitorëve “Individë”. Banka e Shqipërisë po punon që brenda një kohe të shkurtër të shikojë mundësinë e rritjes së shumës së pjesëmarrjes së individëve, nëpërmjet BSH-së në tregun primar të bonove të thesarit si dhe në vendosjen e një komisioni për veprimet e reja, që ata do të kryejnë në të. Komisioni do të ndikojë vetëm mbi individë që do të dëshirojnë të përdorin BSH-në për të marrë pjesë në tregun primar.

Edvin Libohova

Për sa i takon interesave të bonove të thesarit, duhet që tregu i tyre dhe individët mund të interesohen gjatë gjithë kohës për t’u njohur me normat e interesit. Sidoqoftë, klienti kur të shkojë në sportelet e bankës do të shikojë normën e interesit të depozitës dhe atë të bonove të thesarit dhe mund të vendosë nëse do të blejë bono ose do të vendosë paratë në depozita. Ka banka që e kanë më të ulët interesin e depozitave dhe individët kanë interes të blejnë bono. Por, për shembull, te Banka Popullore e kanë interesin e depozitave më të lartë, sepse ne e kemi 7 për qind normën e interesit të depozitave njëvjeçare, kështu që me më pak burokraci, klienti mund të preferojë të vendosë në depozita.

Jan Peter Olters

“Nga ana e Bankës së Shqipërisë ekziston një asimetri lidhur me çështjen e komisioneve për shërbimin e shitjes së bonove të thesarit, sepse, ndërkohë që Banka e Shqipërisë i shet pa komision, bankat tregtare aplikojnë komisione. Për këtë arsye, pa konkurrencën e sportelit të Bankës Qendrore është e qartë se bankat do t’i shesin publikut bono thesari vetëm me një komision relativisht të lartë. Në shumë vende të tjera ekziston alternativa për individët për të blerë bono thesari në sistemin bankar, ose në sportelin e autoriteteve shtetërore ose në internet. Për të forcuar besimin e një publiku hezitues në sektorin financiar është mjaft e rëndësishme të mos surprizoni pjesëmarrësit e tregut me reforma të ngutshme dhe të palajmëruara“.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›