E Diel, 1 Nëntor 2026

Porositë e Mao Ce Dunit, Enveri i kthen në libra xhepi për komunistët

09/04/2005  Si e zëvendësoi Enveri krizën ekonomike shkaktuar nga BS-ja me ndihmën e Kinës?

Kur nisi zbatimi praktik i parimit "mbështetje në forcat tona"? Cilat ishin tre postulatet e vendosura nga Enveri? Në skenën politike të PPSH hyn udhëheqësi kinez, Mao Ce Duni. Cilat ishin porositë e tij për komunistët shqiptarë?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Orientimi për të gjetur rezerva të brendshme zbuloi dhe një burim: në portet e vendit qenë grumbulluar pajisje importi, të cilat qenë porositur nga drejtues ekonomikë të pakujdesshëm. Në kushte e egra të bllokadës, ato shkuan më në fund atje ku duhej.

Me fillimin e lëvrimit të kredive kineze dhe zgjerimit të tregtisë me Kinën, gjendja u përmirësua në mënyrë rrënjësore. Qarkullimi i mallrave midis dy vendeve u rrit 10 herë, krahasuar me vitin 1960, ndërsa pesha specifike e Kinës në vëllimin e përgjithshëm të tregtisë së jashtme arriti nga 7% në 55%, duke barazpeshuar plotësisht largimin e Bashkimit Sovjetik.

Edhe pse treguesit e pesëvjeçarit nuk arritën as gjysmën e atyre që qenë planifikuar, përfundimi i ndërtimit të objekteve industriale të tillë, si kombinati i shkrijes së bakrit në Rubik, hidrocentrali i Shkopetit, ndërmarrjet e industrisë së lehtë në Korçë, Tiranë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, dëshmuan se udha për daljen nga kolapsi ishte gjetur. Propaganda partiake nxitoi të njoftonte se çarja e “bllokadës imperialiste-revizioniste" ishte kryer dhe, ndonëse Shqipëria vazhdonte të mbetej “një kështjellë e rrethuar”, ndihma e Kinës së madhe garantonte sigurinë e saj ekonomike e politike.

Bashkëpunimi me RPK-në në fushën ekonomike u shoqërua nga afrimi i mëtejshëm ideologjik. Udhëheqja partiako-shtetërore shqiptare përvetësoi tërë grumbullin e stereotipeve, që Mao Ce Duni dhe pasuesit e tij shpallnin si të vetmet postulate të vërteta të teorisë dhe praktikës socialiste.

Parimi i mbështetjes në forcat e veta u përvetësua nga Tirana, që në zanafillën e afrimit shqiptaro-kinez, edhe pse në kushtet e Shqipërisë nuk mund të zbatohej praktikisht.

As përmasat e vendit, as burimet natyrore, as niveli i zhillimit ekonomik, nuk siguronin qoftë dhe një nivel të pranueshëm jetese, duke siguruar gjithçka vetë. Për këtë arsye, që në nëntor të vitit 1961, E.Hoxha bëri një formulim tjetër të variantit shqiptar "të mbështetjes në forcat e veta". Ai deklaroi se Shqipëria "ka marrë dhe do të marrë nga miqtë dhe vëllezërit e vet të vendeve socialiste jo lëmoshë, por vetëm ndihmë internacionaliste në kredi dhe do t’i marrë ato në të ardhmen, vetëm nga ato vende socialiste, të cilat do të dëshirojnë ta japin këtë ndihmë. Kështu lindi formulimi i mbështetjes, kryesisht në forcat tona. Ky parim nuk solli asgjë të re në praktikën e zhvillimit ekonomik, sepse në vitet e pesëvjeçarëve të parë programet në fushën e industrisë e të bujqësisë u hartuan nisur nga mundësitë e brendshme të vendit.

Udhëheqësit e PPSH-së u bënë përkrahësit më të vendosur të ideve maoiste. Ata përvetësuan teorinë e superfuqive, të cilat drejtojnë botën dhe e kanë ndarë atë në sfera influence. Në këtë skemë, Bashkimi Sovjetikt i jepej roli i partnerit social-imperialist të imperalizmit amerikan. Tre postulatet kryesore: “mbështetja në forcat e veta”, teoria e “kështjellës së rrethuar” dhe “dysuperfuqive”, qenë baza ideologjike e politikës së RPSH-së për shumë vite. Bashkë me risi të tjera që pohonin përparësinë e pakundërshtueshme të stimujve moralo-ideologjik ndaj atyre materialeve, ato u vunë në themelin e direktivave për pesëvjeçarin e katërt. Porosia e Mao Ce Dunit, se fitoren në frontin ekonomik mund ta arrijmë vetëm pas arritjes së fitores në frontin ideologjik, u fut në përmbledhjen e citateve, të cilat sipas modelit kinez u bë në libër xhepi për të gjithë anëtarët e partisë. Duke dyshuar se ky formulim në një farë mënyre binte ndesh me teorinë marksiste mbi bazën dhe superkulturën, një prej teoricienëve të njohur partiakë shqiptarë nxori këtë përfundim kompromisi: “PPSH-ja, duke pranuar si parësore ekonominë, vë në plan të parë politikën proletare.

Në tetor të vitit 1965, KQ i PPSH-së dhe Këshilli i Ministrave të RPSH-së iu drejtuan popullit me thirrjen për të diskutuar objektivat e planit të ri, duke thelluar vijën e masave, duke luftuar për revolucionarizimin e mëtejshëm në të gjitha fushat e jetës. Ashtu siç pritej, punonjësit iu përgjigjën, duke premtuar në faqet e revistave dhe gazetave të rritnin rendimentin e punës pa kërkuar investime, të zgjeronin sipërfaqen e drithrave duke hapur toka të reja në zona malore dhe të bënin një kthesë vendimtare në blegtori.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›