E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëri i milionave: Lamtumirë Papë!

09/04/2005  Ratzinger u ndërpre edhe një herë teksa i afrohej fundit të fjalimit nga brohoritjet, duartrokitjet ritmike dhe thirrjeve “Gjon Pali Shenjt”, ose “Shenjti Gjon Pal”, nga turma. Në fillimin e Meshës, Ratzinger iu lut Zotit që “t’i japësh shërbyesit tënd dhe Papës sonë, Gjon Pali II, i cili me dashurinë e Krishtit udhëhoqi Kishën tënde, shpërblimin e premtuar të gjithë pastorëve besimtarë të Ungjillit”.

Vetë Roma ishte në një gjendje pezull. Pak pas mesnatës hyri në fuqi ndalimi i trafikut të makinave në qendrën e qytetit. Hapësira ajrore u mbyll dhe raketat antiajrore jashtë qytetit ishin në gatishmëri të plotë. Anijet luftarake patrullonin si bregun e Mesdheut, ashtu edhe lumin Tiber pranë Vatikanit

Presidentë, kryeministra dhe mbretër u bashkuan me pelegrinët dhe klerikët e lartë dje në Sheshin e Shën Pjetrit për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papës Gjon Pali II, në një shërbesë funerale që solli në Romë miliona vetë, në një prej grumbullimeve më të mëdha fetare të kohëve moderne.

Duartrokitjet shpërthyen teksa arkivoli i drunjtë i Gjon Palit, i stolisur me një Kryq dhe një M (Maria) u nxorr nga Bazilika e Shën Pjetrit dhe u vendos në një tapet përpara altarit. Libri i Ungjillit u vendos mbi arkivol, ndërkohë që era shfletonte faqet e tij.

Kori i Vatikanit këndoi Himnin Gregorian “Jemi Prehje të përjetshme, o Zot” dhe më pas vijoi shërbesa. Kardinalët, të veshur me rroba fetare të bardha e të kuqe, nisën të ecin nëpër shesh, ndërsa veshjet ua trazonte era.

Kardinali Jozef Ratzinker, kreu i Kolegjit të Kardinalëve, një njeri i besuar i Gjon Palit dhe një pasardhës i mundshëm i tij, udhëhoqi Meshën dhe e përmendi atë si “Papa ynë i dashur” gjatë një fjalimi predikues që përmblidhte jetën e Papës, që nga koha kur punonte në fabrikë në Poloninë e pushtuar nga nazistët, deri në ditët e tij të fundit si kreu i 1 miliard katolikëve në botë.

I ndërprerë më shumë se 10 herë nga duartrokitjet e të pranishmëve, Ratzinger, një gjerman zakonisht gjakftohtë, u mallëngjye tek kujtonte një prej shfaqjeve të fundit në publik të Gjon Palit – kur ai bekoi besimtarët për Pashkë, që nga dritarja e studios së tij.

“Ne mund të jemi të sigurtë se Papa ynë i dashur qëndron sot në dritaren e shtëpisë së Atit, që ai na sheh dhe na bekon”, tha ai mes duartrokitjeve, edhe të klerikëve të lartë, duke treguar me gisht nga dritarja në katin e tretë, mbi shesh.

“Sot ne varrosim eshtrat e tij në tokë si farë e pavdekësisë – zemrat tona janë të mbushura me trishtim, e në të njëjtën kohë me shpresë dhe mirënjohje të thellë”, tha Ratzinger në një italishte me theks të rëndë.

Ai tha se Gjon Pali ishte një “prift deri në fund” dhe tha se ai kish ofruar jetën e tij për Perëndinë, “sidomos mes vuajtjeve të muajve të fundit”.

“Shenjt, menjëherë!”

Ratzinger u ndërpre edhe një herë teksa i afrohej fundit të fjalimit nga brohoritjet, duartrokitjet ritmike dhe thirrjeve “Gjon Pali Shenjt”, ose “Shenjti Gjon Pal”, nga turma. Në fillimin e Meshës, Ratzinger iu lut Zotit që “t’i japësh shërbyesit tënd dhe Papës sonë, Gjon Pali II, i cili me dashurinë e Krishtit udhëhoqi Kishën tënde, shpërblimin e premtuar të gjithë pastorëve besimtarë të Ungjillit”.

Pas Meshës, që zgjati dy orë e gjysmë, trupi u zhvendos thellë nën Bazilikë, ku iu bashkua eshtrave të disa Papëve, që janë varrosur prej shekujsh pranë varrit tradicional të apostullit Pjetër, Papës së parë.

Gjon Pali kishte kërkuar në Testamentin e tij që të varrosej në dhe, dhe trupi i tij u vendos për t’u prehur nëntokë, poshtë Bazilikës. Varri i tij është mbuluar me një gur të sheshtë, mbi të cilin është gdhendur emri i tij dhe datat e lindjes dhe vdekjes. Pelegrinët do të mund ta vizitojnë.

Afro 300 mijë vetë mbushën Sheshin e Shën Pjetrit, ndërsa të tjerë u derdhën në Rrugën e Pajtimit që të çon drejt lumit Tiber, por miliona të tjerë e panë ceremoninë në ekrane gjigandë të ngritur nëpër Romë.

Sheshi dhe bulevardi që çon drejt tij ishin një det i vërtretë flamujsh të kuq e të bardhë që valëviteshin prej pelegrinëve të ardhur nga vendlindja e Papës, Polonia.

“Donim t’i thoshim lamtumirë për herë të fundit Atit tonë”, tha Joana Zmijevlsa, 24 vjeçe, e cila kishte udhëtuar për 30 orë nga vendlindja e saj për në Romë.

Udhëheqësit

Këmbanat nisën të bien teksa udhëheqësit botërorë nisën të zënë vendet e tyre në karriget e drunjta të veshura me të kuqe. Dhjetë minuta përpara fillimit të funeralit, mbërriti delegacioni amerikan, kryesuar nga Presidenti Bush dhe që përfshinte të atin, ish- presidentin George W. H. Bush dhe ish-presidentin Bil Klinton.

Presidenti Bush u ul në rreshtin e dytë, pranë të shoqes, Laura. Në krah tyre ishte Presidenti francez, Zhak Shirak dhe e shoqja Bernadette. Dy presidentët u panë të shtrëngojnë duart në fillimin e ceremonisë.

Vetë Roma ishte në një gjendje pezull. Pak pas mesnatës hyri në fuqi ndalimi i trafikut të makinave në qendrën e qytetit. Hapësira ajrore u mbyll dhe raketat antiajrore jashtë qytetit ishin në gatishmëri të plotë. Anijet luftarake patrullonin si bregun e Mesdheut ashtu edhe lumin Tiber pranë Vatikanit.

Autoritetet italiane morën mnasa të jashtëzakonshme për të mbrojtur mbretërit dhe krerët e shteteve, që merrnin pjesë në funeral. Mes tyre kishte udhëheqës hebrenj dhe myslimanë nga më shumë se 80 vende, përfshirë presidentët e Sirisë dhe Iranit, si dhe Mbretin e Jordanisë.

Rreth botës

Vdekja e Papës të shtunën e kaluar shkaktoi një shpërthim të jashtëzakonshëm dhembshurie dhe dashurie në të gjithë botën dhe solli në Romë afro 4 milionë pelegrinë, duke e dyfishuar kështu popullsinë e qytetit. Pjesa më e madhe e tyre, megjithatë, e kanë parë ceremoninë në ekranë gjigandë.

Në Krakovë, Poloni, ku Papa kishte studiuar për priftërinë, afro 800 mijë vetë e panë funeralin në tre ekrane gjigandë të vendosur në një fushë. Shumë prej tyre e kishin kaluar natën rreth zjarreve, pas Meshës që kishte mbledhur në shesh mbi një milion vetë.

Në Varshavë, sirenat u dëgjuan për tre minuta, për të njoftuar kryeqytetin polak lidhur me nisjen e funeralit.

Besimtarët u mblodhën në Filipine, Vietnam dhe kudo tjetër për të parë shërbimin në televizion, ose për t’u lutur për shpirtin e Papës. Një turmë e madhe, prej afro 10 mijë besimtarësh, mbushi Katedralen e Notre Damit, në Paris

Shërbesa

Funerali i Gjon Palit nisi me një ceremoni intime, në të cilën morën pjesë vetëm klerikë të lartë, të cilët vendosën një çantë me medalje argjendi dhe bronxi si dhe një dorëshkrim, ku përfshihej e gjithë jeta e tij, në arkivol. Sekretari i tij privat, kryepeshkopi Stanislav Dziviz dhe mjeshtri i ceremonive liturgjike, kryepeshkopi Piero Marini vendosën një vello të mëndafshtë mbi fytyrën e Papës, përpara se të mbyllej arkivoli. Dziviz u pa të lotojë disa herë gjatë zhvilimit të Meshës.

Vatikani e kishte nxjerrë Testamentin e Papës në prag të funeralit. Shkruar në gjuhën polake, gjatë më shumë se 22 viteve, duke filluar pesë muaj pas ditës së zgjedhjes në tetor 1978, ai jepte udhëzime për varrimin e tij dhe gjithashtu i thoshte sekretarit privat që të digjte shënimet personale pas vdekjes.

Papa thoshte gjithashtu në testament se kishte menduar të tërhiqej në vitin 2000, kur iu shfaqën shenjat e para të dobësisë shëndetësore.

Të enjten, dyert gjigande të bronxta në Shën Pjetër u mbyllën për publikun, në përgatitjet për Meshën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›