Raporti sekret: “SAGEM” çorientoi regjistrin e popullsisë
Zbardhet pjesa e dytë e raportit në Kosovë. Firma “SAGEM”, pretendente në Shqipëri
Habjon Hasani
Pjesa e dytë dhe e fundit e raportit të porositur nga UNMIK-u ka nxjerrë në pah dështimin e firmës “SAGEM” për të krijuar në mënyrë të saktë dhe profesionale regjistrin e popullsisë. Rezultatet e punës së kësaj firme janë pasqyruar në raport duke hedhur dritë mbi shumë probleme të dala si pasojë e dështimit të saj. “Më tej, taktikat e vonesave të “SAGEM” dhe mungesa e një përgjigjeje të përshtatshme mbi kërkesat e bëra nga klientët e saj; përpjekja fillestare dhe qëllimi i vazhdueshëm për të bllokuar klientin në sistemin e saj të papërshtatshëm; mungesa e shërbimeve të duhura kur ishin të nevojshme, nuk mund t’i atribuohen vetëm kontratës. Ajo reflekton në thelb mbi emrin dhe besueshmërinë e kompanisë, profesionalizmin e saj dhe strategjinë për të shpërndarë me mirëbesim (të cilën duket qartë që nuk e ka bërë)”, - shkruhet në raport.
Raporti
Raporti, i siguruar nga një ish-funksionar i lartë në Kosovë, është porositur nga një zyrë e posaçme e UNMIK-ut dhe më tej i është shpërndarë dhe të gjitha institucioneve qendrore të Kosovës. Pas tenderimit për prodhimin e kartave të identitetit në Kosovë, institucionet e Kontrollit të Brendshëm të UNMIK-ut urdhëruan hetimin e aktivitetit të kësaj firme e për rrjedhojë arritën të siguronin informacionin koefidencial. Ekspertiza e kryer nga “G&D” nuk është protokolluar kurrë, por ka funksionuar si një dokument thuajse sekret, pasi ka qenë vetë kjo ekspertizë që ka evidentuar mbështetjen në shumë raste të firmës franceze “Sagem” nga një pjesë e drejtuesve të UNMIK-ut, që në vitin 1999 (kohë kur kryhej tenderimi) kishte një pjesë të drejtuesve francezë. Dy ditë më parë, “Albania” faktoi se francezja ”Sagem” në mënyrë të përsëritur ka qenë epiqendra e disa skandaleve ndërkombëtare, që lidhen pikërisht me abuzimet në prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit. Por rasti më flagrant ka lidhje me Nigerinë, ku katër vite më parë, si pasojë e këtij skandali, u arrestuan tre ministra dhe dy zyrtarë të lartë. Kjo ngjarje është pasqyruar asokohe në mediat më të mëdha ndërkombëtare si BBC, Reuters, CNN etj. Sipas raportimit të BBC-së mësohet se skandali ka lidhje me dy probleme themelore, që janë karakteristike edhe për Shqipërinë.
Tenderi
Më 28 shkurt të këtij viti, shtatë kompani paraqitën ofertat në Ministrinë e Brendshme për projektin e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. "Bundes-Druckerei", kompani gjermane, "Indra" nga Spanja, "Oberthur" dhe "Sagem", të dyja nga Franca, "Consorzio-R.I.E" kompani italiane, "Zetes" kompani belge, si dhe "Nadra" nga Pakistani, janë shtatë kompanitë e huaja që kanë paraqitur kërkesat e tyre në tenderin e hapur ndërkombëtar për prodhimin e dokumenteve të identitetit dhe pasaportave biometrike. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i kryesuar nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, pranoi ofertat e shtatë kompanive të huaja të interesuara për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të identitetit dhe pasaportave biometrike. Kryetari i komisionit, Poni, bëri të ditur për të pranishmit se i gjithë procesi i pranimit dhe vlerësimit të ofertave, si dhe procesi i hapjes së zarfeve me ofertat përkatëse, u krye në transparencë të plotë dhe nën monitorimin online të kamerave. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave përbëhet nga 9 persona: kryetari, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, si dhe anëtarë: zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, Florian Nuri, Xhevdet Kopani, Andja Pustina, Edmond Gjoleka, Sokol Sheti e Etjon Kapidani.
Qeveria, prokurim për ortaken e “SAGEM”-it
Fakti i dytë që lidh zyrtarët e Ministrisë së Brendshme me firmën ”Sagem” e ka zanafillën në një vendim të vitit 2006 të qeverisë ”Berisha” lidhur me firmën që do të përcaktonte parametrat e kartës së identitetit. Duke përdorur procedurën e prokurimit të drejtpërdrejtë, qeveria, më datë 12.04.2006, vendosi: lejimin e Ministrisë së Brendshme, që, për fondin limit prej 4 000 000 (katër milionë) lekësh, miratuar në buxhetin e vitit 2006, të përdorë procedurën "prokurim i drejtpërdrejtë", me shoqërinë "Smart Card Integrators, Inc”, për prokurimin e shërbimit "Konsulencë në procesin e përgatitjes së specifikimeve, teknike, përfundimtare, të kartës së identitetit". Por sikurse rezultoi më vonë, firma "Smart Card Integrators, Inc”, e përzgjedhur ”apriori” nga qeveria, kishte një marrëveshje pikërisht me firmën prodhuese "Sagem", të firmosur në nëntor të vitit 2001. Kuptohet që kjo marrëveshje bashkëpunimi biznesi mes këtyre firmave ka si objekt edhe sipërmarrje të tjera. Sikurse rezultuan hetimet e prokurorëve në Nigeri, ”Sagem” ishte favorizuar nëpërmjet nënkontraktorëve të saj dhe bashkëpunimit të kurdisur me ”prokurim të drejtpërdrejtë”.
Raporti që i është dorëzuar UNMIK-ut për veprimtarinë e “SAGEM”-it
- Pavarësisht rëndësisë së ndërfaqes, UMNIK-u vendosi, për shkak të mosbesimit dhe mungesës së profesionalizmit të SAGEM-it, të ndalonte së bashkëpunuari në këto çështje me SAGEM. Kjo lidhej jo vetëm me dokumentet e udhëtimit dhe kartat e identitetit, por gjithashtu me ngritjen e ardhshme të Regjistrit Civil dhe përdorimit dhe nxjerrjes së të dhënave nga baza e të dhënave për të gjitha llojet e dokumenteve civile në Kosovë.
Kush dëshiron të “hedhë para të mira pas parave të këqija” ishte një fjali që përdorej brenda Administratës së UMNIK-ut. Para të këqija nënkuptonin t’i paguhej SAGEM-it më shumë para për sistemin dhe bashkëpunimin e tij jo të përshtatshëm.
-Ndërkohë, për shkak të problemeve teknike, kontrolleve të pamjaftueshme të cilësisë dhe një proces tejet i komplikuar, periudha e Ankimeve dhe Apelimeve në gusht të vitit 2000 zbuloi se një numër i madh i formularëve të aplikimit të regjistrimit civil të përpunuara gjatë Regjistrimit Civil dhe të Votuesve, kishin shumë gabime në to.
- 78% e formularëve të aplikimit kishin gabime të ndryshme në të dhënat e tyre alfat dhe/ose biometrike. Sidoqoftë, pas një vlerësimi të hollësishëm nga UMNIK-u, u arrit në përfundimin se lista e votuesve nuk do të ishte në rrezik. Megjithatë, një milion të dhëna ishin të papërdorshme për qëllimin e një regjistri civil të përshtatshëm dhe për personalizimin e dokumenteve civile.
-Këto gabime ishin të rëndësishme, pavarësisht se këto probleme mund të korrigjoheshin në një periudhë kohe relativisht të shkurtër, duke lejuar prodhimin bashkekzistues të kartave te identitetit dhe nxjerrjes së të dhënave për personalizimin e dokumenteve të udhëtimit të UMNIK-ut po të mos kishte qenë për sistemin SAGEM.
-Sistemi që SAGEM i shiti komunitetit ndërkombëtar me qëllimin e regjistrit civil dhe prodhimin e dokumenteve civile nuk linte vend për gabime ose korrigjime. Për shembull, vetëm nëse një person martohej dhe ndryshonte emrin e tij/saj, sistemi nuk mund të përdorej për ndryshimin e të dhënave të atij personi. Nuk është e nevojshme të themi se një sistem i tillë është komplet i papërshtatshëm për të manovruar kaq shumë korrigjime të cilat kërkoheshin asokohe.
-Rezultati i kësaj ishte që SAGEM i kishte djegur lidhjet e saj me komunitetin ndërkombëtar me sjelljen e saj, kujtojmë: jo më para për SAGEM.
-Sidoqoftë, asnjë kartë identiteti nuk mund të prodhohej për një milion votues për zgjedhjet lokale në tetor 2000; asnjë e dhënë nuk mund të nxirrej për dokumentet e udhëtimit ose ndonjë dokument tjetër civil.
- Gjithashtu, mbi një periudhë prej nëntë muajsh, UMNIK-u duhet të ribënte përpunimin e të dhënave. Duhej të “boshatiste” sistemin e të dhënave të SAGEM sepse nuk pranonte asnjë të dhënë të re (për korrigjime), për të korrigjuar manualisht dhe për të rifutur një milion të dhëna (tri herë për kontrollin e cilësisë) në sistemin e SAGEM për prodhimin e kartave të identitetit dhe listën e votuesve për zgjedhjet e përgjithshme (që do të zhvillohen në nëntor 2001). Për të mundësuar këtë në një periudhë kohe të shkurtër, mbi 200 punonjës u punësuan duke punuar me tre turne ditë dhe natë, shtatë ditë në javë.
-Ndikimi: UMNIK-u duhet të ndalonte procesin e regjistrimit të fëmijëve (i përcaktuar për në shtator të vitit 2000), i cili ka patur shumë jehonë dhe duhej të shtyhej lëshimi i dokumenteve të udhëtimit të UMNIK-ut për në pranverën e vitit 2001 ( e përcaktuar për në gusht të vitit 2000).
-Sistemi i SAGEM-it dhe procesi i regjistrimit Civil dhe të Votuesve i kushtoi komunitetit ndërkombëtar rreth 30-40 milionë dollarë (pa përfshirë pagat ndërkombëtare dhe paga të tjera të ngjashme). Gjer tani, shumica e kartave të identitetit janë printuar dhe rreth 60000 dokumente udhëtimi janë lëshuar. Megjithatë, është e rëndësishme të theksojmë se kosto të tjera financiare (miliona DEM) shkaktuar si rezultat i problemeve teknike dhe pasaktësitë, për të mos përmendur pastaj kostot e mëdha politike në këtë rajon tashmë delikat.
-Ia vlen të përmendet gjithashtu fakti se udhëheqja brenda komunitetit ndërkombëtar në Kosovë dhe kudo, të përfshirë në këtë proces, nuk duan t’i bëjnë publike problemet e SAGEM-it, pasi kjo do të binte mbi ta si nga ana politike ashtu edhe nga ajo e prokurimeve. Ka zëra në Kosovë se kompanitë franceze, SAGEM dhe Alcatel (kompani celularesh në Kosovë), e fituan kontratën në sajë të kombësisë (franceze) të Përfaqësuesit Special të KB të sekretarit të Përgjithshëm. Kjo duhet konfirmuar nga revizues të pavarur.
-Pavarësisht nga sa u përmend më lart, me anë të përfshirjes së vet në rajon dhe si një partner kontraktues i veçantë i UMNIK-ut për dokumentet e udhëtimit, ashtu sikurse edhe me disa burime të pavarura në Kosovë, G&D nxjerr përfundimin si më poshtë.
Përfundim:
-SAGEM veproi në mënyrë joprofesionale. Kjo reflektohet si në mënyrën që negocioi dhe formuloi kontratat me komunitetin ndërkombëtar, ashtu edhe në veprimin e saj largpamës dhe të ulët kur zbatoi detyrimet e saj ndaj projektit, kontratës klientit të saj dhe ndaj partnerëve të tjerë.
- SAGEM lëvroi me qëllim ose për shkak të paaftësisë së saj një sistem të Regjistrit Qendror Civil, jo të përshtatshëm, dështoi në shpërndarjen në kohë dhe siç dihet të shërbimeve të menaxhimit të projektit, ashtu sikurse nuk siguroi një sistem për marrjen e të dhënave për në bazë, e cila të jetë aq e përshtatshme sa të përfitonte në të ardhmen popullsia e Kosovës.
- Më tej, taktikat e vonesave të SAGEM dhe mungesa e një përgjigjeje të përshtatshme mbi kërkesat e bëra nga klientët e saj; përpjekja fillestare dhe qëllimi i vazhdueshëm për të bllokuar klientin në sistemin e saj të papërshtatshëm; mungesa e shërbimeve të duhura kur ishin të nevojshme, nuk mund t’i atribuohen vetëm kontratës. Ajo reflekton në thelb mbi emrin dhe besueshmërinë e kompanisë, profesionalizmin e saj dhe strategjinë për të shpërndarë me mirëbesim (të cilën duket qartë që nuk e ka bërë).
- Për mirëqeverisje, qeveria ose vendimmarrësi, që negocion për çështje me një rëndësi të madhe financiare dhe sofistikime teknologjike, duhet t’i japë një vëmendje parësore cilësisë së produktit, besueshmërisë së pajisjes dhe personelit dhe mbi të gjitha integritetit të partnerit që ata do të zgjedhin. Nga eksperienca në Kosovë, me lidhjen e një kontrate me SAGEM, dikush mund të presë situata dhe probleme të ngjashme financiare dhe teknike. Si rrjedhojë, kjo do të kishte një jehonë negative politike dhe do të reflektonte keq mbi autoritetet e Nigerisë.
FUND
15 Mars 2008