E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbi, Tadiç shpërndan parlamentin dhe shpall zgjedhjet më 11 maj

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e parakoshme parlamentare, të cilat do të zhvillohen më 11 maj. Të njëjtën ditë do të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale dhe krahinore në Serbi. Vendimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është marrë me iniciativën e qeverisë serbe, e cila konstatoi të hënën se nuk është në gjendje ta vazhdojë punën. “Zgjedhjet janë mjet demokratik me të cilin qytetarët do të vendosin se cilën rrugë do të ndjekë Serbia në të ardhmen. Ky është një shans për forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial si dhe hapjen, përmes integrimeve europiane, të perspektivës së zhvillimit ekonomik”, - u shpreh Tadiç, duke u bërë thirrje edhe partive dhe koalicioneve politike për një garë të qetë dhe demokratike. Menjëherë pas kësaj ka reaguar kryeministri i Serbisë në largim, Vojisllav Koshtunica, i cili në një kumtesë për mediat serbe tha se e ka humbur besimin te partnerët e deritanishëm në koalicion, Partinë Demokratike të Tadiçit dhe G17 plus. “Është shumë me rëndësi që qytetarët të votojnë për një qeveri të përgjegjshme shtetformuese dhe nacionale, e cila do të luftojë për mbetjen e Kosovës në Serbi, zhvillimin ekonomik dhe negociata të barabarta me BE-në”. Kryeministri dhe presidenti në Serbi nuk janë dakord as për shkaqet e shkatërrimit të qeverisë. Koshtunica thotë se qeveria ka dështuar për shkak të mungesës së politikës unike ndaj Kosovës, ndërsa Tadiç pohon se qeveria ka dështuar për shkak të qëndrimeve të ndryshme ndaj integrimeve europiane.

Frid: “Garancia e stabilitetit të Ballkanit, pavarësia e Kosovës”

Ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Daniel Frid, e ka konsideruar pavarësinë e Kosovës si garanci për stabilitetin e Ballkanit.
“Pavarësia e Kosovës, garanci për stabilitetin në Ballkan”, - tha Frid në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve
të Kongresit Amerikan. Frid ishte i ftuar për të dëshmuar para komisionit mbi politikat amerikane ndaj Kosovës dhe në përgjithësi ndaj Ballkanit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndihmëssekretari i Shtetit, Frid, theksoi se Ballkani mbetet një rajon kyç për SHBA-të dhe aleatët europianë dhe me zgjidhjen e statusit politik të Kosovës eliminohet edhe një burim tjetër paqëndrueshmërie në rajon. Një pyetje e rëndësishme që ngrihej vazhdimisht para zgjidhjes së statusit ka qenë mundësia e Kosovës për të mbijetuar si një shtet i suksesshëm me një ekonomi funksionale. Frid theksoi në dëshminë e tij se megjithë vështirësitë, Kosova do të ketë një ekonomi funksionale: “Me ndihmën tonë dhe mbështetjen e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova do të jetë një shtet funksional. Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në verë në konferencën ndërkombëtare të donatorëve. Megjithëse Europa do të kontribuojë me ndihma të shumta, edhe Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë do të luajnë rol. 32 vende e kanë njohur Kosovën, ose kanë shprehur plane për ta njohur atë. Këtu përfshihen edhe dy e treta e vendeve të Bashkimit Europian".

14 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›